Për dy net me radhë, Mitrovica ka kënduar e vallëzuar arbërisht me atë që është pagëzuar si “Arbëreshët në Mitrovicë ‘24” me moton “Gjaku i shprishur s’u harrua”. Se nuk u harrua tradita, kënga e gjuha është dëshmuar në skenë. Ka nisur me grupin arbëresh të valltareve “Shqiponjat”, ka vazhduar me korin polifonik “Sofioti Cantores” për të kulmuar me “Peppa Marritin” e rockut arbëresh. “Për ne që flasim arbërisht kur vijmë te Shqipëria, te Kosova, jemi shumë të gëzuar, zemra na mblidhet plot me mall për vëllezërit e motrat te Kosova e Shqipëria”, ka thënë lideri i grupit.
Janë me qindra kilometra larg njëri-tjetrit, por bashkë u bënë në një mbrëmje e cila ka rezervuar shumë muzikë, e mbi të gjitha shkëmbim kulturor: njëra anë nga bërthama mesdhetare e Italisë, tjetra nga veriu i Kosovës, Mitrovica. Arbëreshët nga Shën Sofia e Epirit të Kalabrisë u mirëpritën nga mitrovicasit në qytetin e tyre me një manifestim të veçantë. Vapa e jugut të Italisë, nuk mungoi as aty, por mbi të gjitha qe ngrohtësia.
Arbëreshët përfaqësojnë njërin nga grupet etnike më të mëdha matanë Adriatikut. Prej shekujsh ky komunitet, i pranishëm kryesisht në jug të Italisë, ka arritur të ruajë elemente të veçanta që ndërtojnë vetë identitetin arbëresh. Veshjet, ritet kulturore e fetare, gatimet, por ajo e cila vazhdon e vlerësohet ende edhe në ditët e sotme është gjuha, arbërishtja. Në fakt ruajtja e saj duket edhe si një mision i përbrendësuar në mes të komunitetit. Kjo gjuhë e cila i përket një varieteti antik-toskë, me traditën e saj të lashtë ka arritur që ta transmetojë këtë trashëgimi të pasur kulturore ndër breza e nëpër shekuj. E gurë të çmueshëm të këtij mozaiku u shpalosën edhe për publikun në Kosovë me një koncert të organizuar pikërisht për t’i nderuar arbëreshët dhe gjuhën arbëreshe.
Kjo ngjarje e cila u realizua të premten mbrëma në pishinë publike në Mitrovicë dhe të shtunën në sheshin “Isa Boletini” erdhi nën sloganin “Gjaku i shprishur s’u harrua” në kuadër të projektit “Arbëreshët në Mitrovicë ‘24”.
Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe hapja e kësaj mbrëmjeje. Vallja nga vajzat arbëreshe me veshjet tradicionale, nën tingujt e këngës popullore “Rroka mandolinën” ishin sinjali se programi filloi të shpalosej. Po në valle, ato përshkuan tërë ambientin e jashtëm, duke kaluar ndërmjet tavolinave. Në skenë u ngjitën të gjitha për ta lajmëruar pikën e parë nga mysafirët nga Kalabria.

Kori polifonik “Sofioti Cantores” e hapi mbrëmjen duke interpretuar dhjetë pika muzikore tradicionale arbëreshe në shoqërimin e pianos dhe oboas. Ky kompozicion zërash veç vlerave estetike nga ngjyrime të ndryshme tingullore, shfaqi edhe njëfarë mallëngjimi të nënvetëdijshëm në interpretim. “Kopile moj kopile” ka qenë kënga e cila nga publiku u mirëprit si një befasi. Është melodi e tekst në arbërisht i njohur për veshin. Në fund ia thanë dhe vargjeve “Jemi vëllezër e motra” në unison derisa vashat nga grupi arbëresh i valltareve “Shqiponjat” u ngjitën në skenë. Të veshura me veshjet tradicionale zunë skenën të kapura në rreth, duke hedhur hapa bashkërisht. Por krejt e veçantë ishte lidhja mes tyre me anë të një shamie teksa hidhnin hapat. Nën tingujt e këngëve me motive popullore, ritmike që shoqëroheshin nga instrumente po ashtu tradicionale u inskenua dhe një valle që shfaq zakonin e nusërimit, përgatitjen e nuses.
Kjo është vizita e parë në Kosovë për ansamblin e valleve arbëreshe “Shqiponjat”. Por njëra nga valltaret, Maria Teresa Conte, vjen në Kosovë për herë të dytë. Lidhjen historike me shqiptarët ajo e ka vazhduar edhe duke studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Itali.
“Mitrovica për ne është një qytet shumë i bukur, mikpritja që kemi gjetur këtu është shumë e madhe, ju falënderojmë me gjithë zemër, të gjithë banorët e Mitrovicës dhe Kosovës, faleminderit shumë për gjithçka!”, ka thënë ajo pas performancës me “Shqiponjat”.
Me t’u afruar orët e vona në skenë u shfaq “Peppa Marriti” rock-grupi i parë arbëresh në Itali të njohur ndërkombëtarisht për stilin unik. Rock-arbëresh e mbiquajnë zhanrin anëtarët e “Peppa...”, që konsiderohet një model në ruajtjen e arbërishtes. Grupi ndër vite ka qenë mysafir jo vetëm në skena muzikore, por edhe në auditorë universitarë.
Trajtimin e muzikës grupi e bën si një formë homazhi për rrënjët, identitetin kompleks arbëresh. Në fakt detajet shënjuese nisin që nga repertori. Lidhja e anëtarëve të grupit me gjuhën arbëreshe është gati emblematike. Të gjitha këngët janë në arbërisht por para publikut mitrovicas akullin e thyen me një version unik të përpunuar të këngës “Xhamadani vija vija”.
Performanca elektrizuese e bëri publikun për vete që në start. Në mesin e një sezone të ngjeshur mes koncerteve të shumta në Itali ata kishin vendosur që edhe për Kosovën të sillnin një repertor nga tre albumet e tyre në disa dekada veprimtarie si “Rockarbëresh” më 2005, “Këndò!” më 2009, dhe “Ajëret” 2017. Ajo që evidentohet lehtë në një analizë sipërfaqësore të muzikës që ata bëjnë është origjinaliteti i grupit. Aty mund të gjendet folk, ethno rock, pak punk, por në të njëjtën kohë asnjëra nga to, janë thjesht “Peppa Marriti” dhe rocku arbëresh.
Qëllimi i pesëshes është edhe më sublim: synon të mbrojë, nëpërmjet muzikës rock, gjuhën dhe kulturën e arbëreshëve pesëshekullorë në Italinë e Jugut.

Për frontmenin e grupit Angelo Conte, paraqitjet në vendet ku ka shqiptarë janë gjithmonë të veçanta. Edhe Mitrovica duket t’i ketë pëlqyer. E konsideron qytet të bukur.
“Për ne që flasim arbërisht kur vijmë te Shqipëria, te Kosova, jemi shumë të gëzuar, zemra na mblidhet plot me mall për vëllezërit e motrat te Kosova e Shqipëria”, ka thënë ai për KOHËN. Ka thënë t’i gëzohet shumë këtij shkëmbimi mes arbëreshëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Muzika sipas tij e ka misionin e vet në ruajtjen e trashëgimisë arbëreshe.
“Nuk flitet shume gjuha jonë, të rinjtë e flasin pak, e muzika mund ta mbajë këtë gjuhë”, ka shtuar Conte.
Shën Sofia e Epirit prej nga vijnë ka nja mbi 2500 banorë dhe arbërishtja gjëllin edhe në mbishkrime e fondin e librave të shumtë në bibliotekën qytetit, por edhe në muze me kostume. Por edhe studiuesit gjithnjë bëjnë thirrje që bartja e kësaj trashëgimie te gjenerate e re po venitet përditë.
Arbëreshët e Italisë, të cilët u shpërngulën që në shekullin XV nga Shqipëria në Itali, vazhdojnë të jenë degë e fortë e trungut shqiptar dhe hapësirë intriguese për studiuesit e fushave të ndryshme shoqërore. Për arbëreshët e veçmas për shkrimtarët arbëreshë janë botuar vepra të shumta. Njëra prej tyre edhe “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit” e Fatmir Toçit dy vjet më parë, i cili ka thënë se e argumenton se nuk janë 50 vendbanime me gjurmë arbëreshe siç njihen zyrtarisht deri vonë, por 534. Studimet për mënyrën e vendosjes së arbëreshëve në Kalabri dhe Sicilinë e sotme, vijnë tok me argumentimin e lëvizjeve të mëdha kulturore edhe para krijimit të kolegjeve të famshme arbëreshe të vitit 1732/34 e që i mëshojnë teorisë se atje ishin krijuar themelet e para të kulturës kombëtare, se atje ishin ruajtur kujtesa historike e përkatësisë kombëtare dhe ishte krijuar kulti i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ose se atje ishin krijuar shkollat e para të kulturës shqiptare.
Shkollë më vete është “Peppa Marriti”. Para ardhjes këtu anëtarët e grupit janë informuar edhe për Mitrovicën dhe historinë e këtij qyteti.
Për basistin e grupit Demetrio Corino kjo histori është shumë prekëse. Ka njoftuar se bateristi dhe një kitarist i bendit munguan këtë radhë dhe rrjedhimisht performanca zhvillohet në një stil, siç e quan ai “semiakustik”. Pos frontmenit dhe basistit prej formacionit origjinal në Mitrovicë ka qenë edhe violinisti Pino Murano.
Misionin për ruajtjen e gjuhës arbëreshe përmes muzikës e bëjnë që një kohë të gjatë, e me Kosovën e lidhin disa gjëra.
“Na këndojmë këtë muzikë me fjalët arbëreshe sepse në Itali gjuha arbëreshe është e vdekur dhe ne mendojmë që në muzikë fjala është e rëndësishme, ne e bëmë këtë gjë që 30 vjet, punojmë kështu, kemi shumë kënaqësi, por sot këtu Kosova për ne është... e kemi te zëmra, është një gjak, një gjuhë”, ka thënë ai.
Përmbylljen e këtij manifestimi e bënë nikoqirët e mbrëmjes. Rock bendi mitrovicas, ikonikët “TNT”, duke performuar disa nga rock hitet e tyre të viteve ‘90. “Moj bjondinë”, “200 ditë” e “S’ka me shqipen tonë” i dhanë fund një mbrëmjeje të veçantë.
Të shtunën mbrëma koncerti i njëjtë me paraqitjet e njëjta të pjesëmarrësve arbëreshë dhe rock grupit “Peppa Marriti” është reprizuar në sheshin “Isa Boletini”.
Lexo edhe: