Shtojca për Kulturë

Jehona e origjinës si një jetë e re për tingujt e rrënjëve shqiptare

“Koncert i veçantë që sjell në skenë trashëgiminë muzikore shqiptare, të ripërpunuar me ndjeshmëri klasike dhe interpretim bashkëkohor”, është përshkrimi për “Echos of origin”

“Koncert i veçantë që sjell në skenë trashëgiminë muzikore shqiptare, të ripërpunuar me ndjeshmëri klasike dhe interpretim bashkëkohor”, është përshkrimi për “Echos of origin”

Koncerti “Echoes of origin” ka dëshmuar se këndimi klasik dhe instrumentet tradicionale janë dy gjuhë që kur flasin së bashku, krijojnë harmoni autentike. Ka qenë homazh për identitetin, kujtesën dhe rrënjët shqiptare. Nismuar prej mexosopranos Flaka Goranci, një projekt si ky – që ka ardhur në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës – rilexon muzikën shqipe duke ua dhënë vendin e merituar jo vetëm perlave të thesarit popullor por edhe instrumenteve autentike

“Echoes of origin” ka tejkaluar kufijtë e një koncerti të zakonshëm. Projekti i mexosopranos Flaka Goranci ka qenë dialog i traditës muzikore dhe finesës së interpretimit klasik. Perla shqipe të të gjitha trevave kanë jehuar me ritmet që burojnë nga instrumentet tradicionale. Ky takim qe jo vetëm befasi, por edhe emocion i thellë për publikun. Ai që përkthehet si “Jehona e origjinës” ka qenë homazh për identitetin, kujtesën dhe rrënjët shqiptare.

Që në notat e para të koncertit që rrëfimin e parë e shpalosi në kino “Armata”, u bë me dije se nuk bëhet fjalë për një koncert të rëndomtë. As për një eksperiment të rastësishëm. Nga tingujt e parë me lahutë për “Improvizim në lahutë” nga lahutarja Lumturije Nonaj, formacioni kompletohet kur zërat bashkohen në një vijë vokali për këngën labe “Thëllëza që shkel mbi vezë”.

Këndimi i këngës tradicionale në stil lirik nga mexosopranoja e shquar, Flaka Goranci, shkrihet drejt një natyre të jazzit nën tingujt minimalë të kitarës së Tringa Sadikut. E ngjyrimin popullor e merr kur bashkohet çiftelia e Hava Bekteshit dhe Arbëresha në dajre. E krejt bashkë shkrihen në një kombinim të çuditshëm, por që mrekullisht shkon tejet bukur.

Zëri i sopranos, i disiplinuar në teknikë dhe i pasur në nuanca, e ngre këngën shqipe në imazhin e një repertori të formuar shumë më herët. Në skenën e “Armatës”, opera nuk qe e largët a elitare. Qe e prekshme, duke marrë ngjyrim kombëtar pa humbur dinjitetin estetik.

Mexosopranoja Flaka Goranci ka thënë se ideja ka qenë që muzika dhe instrumentet tradicionale të bashkëdyzohen me muzikën klasike dhe të shihet rezultati.

“Ideja ime ka qenë sesi mund të përfshijmë disa instrumente që janë tipike tradicionale si çiftelia, lahuta, por edhe defi. Sesi do të mund t’i kombinonim me muzikën klasike, me këndimin klasik. Unë si këngëtare e muzikës klasike e kam profesionin e mrekullueshëm, por gjithmonë më ka tërhequr thesari i muzikës sonë popullore dhe jam munduar që gjithmonë të kontribuoj pasi këto projekte i kontribuojnë muzikës sonë duke marrë parasysh që merr shumë kohë të gjenden këngët e duhura, të gjenden kompozitorët dhe të dhënat tjera. Si proces ka filluar prej më shumë se një vit e gjysmë”, ka thënë Goranci pas koncertit.

E koncerti ka rezultuar i suksesshëm dhe ovacionet e publikut që ka mbushur sallën plot, kanë qenë një nga dëshmitë.

Repertori është përpunuar nga kitaristja Tringa Sadiku dhe mexosopranoja Goranci.

“Nuk janë të gjitha aranzhime tonat, por zakonisht disa këngë që janë më popullore, si ‘Moj Hatixhe me shami t’kuqe’ ose ‘Dada do ta shes shes’, i kemi punuar pak më intensivisht dhe i kemi aranzhuar për stilin e këndimit klasik dhe elementet e tjera që kemi shtuar si improvizimin e të tjera. Nuk mund të them se secila, por shumica ka një ndërhyrje prej nesh. Janë nja katër këngë që janë përpunuar prej meje dhe prej Tringës”, ka thënë Goranci.

Për të ka qenë hera e parë që ka kënduar në këtë formë. Ka thënë se ka pasur dilema në kombinim, por se është dashur guxim.

Pas premierës së koncertit “Jehona e origjinës” në Prishtinë, formacioni pritet të udhëtojë me të edhe jashtë vendit dhe ftesat veçse kanë mbërritur në adresën e mexosopranos Flaka Goranci.

“Veçse e kemi marrë një ftesë. Në muajin prill jemi në Hamburg dhe kemi disa informata që na kanë kërkuar disa festivale të tjera sepse u është dukur koncerti shumë interesant dhe kanë pritur derisa të mbahet koncerti këtu. Madje edhe sot e kemi marrë një ftesë. Është projekt për vendin, është projekt shumë i mirë për trashëgiminë tonë muzikore, projekt që me anë të muzikës tregohet edhe vjetërsia e këngës, edhe poezia brenda e laramania e zonave të ndryshme të muzikës”, ka thënë ajo.

Koncertin e konsideron profesional, artistik, por që në thelb i qëndron besnik muzikës tradicionale popullore.

Kënga popullore nga Shqipëria e Mesme, “Fërfëlloj thëllëza n’ujë” i ka paraprirë “Moj Hatixhe me shami t’kuqe” që për autore ka Hamide Sadikun. Ka qenë dëshmi se sa minimaliste ka qenë muzika e mirëfilltë popullore në instrumente. E prapë është e këndshme dhe e bukur. Të tillë e ka sjellë edhe Goranci në hyrje duke kënduar me dajre pa e ndërruar konceptin e saj, por duke i dhënë efekte që e bëjnë më emocionale kontekstin e saj. Versioni i ri vjen me çiftelinë e kitarën e integruar në të, duke dhënë ngjyrime bashkëkohore.

Që në notat e para të koncertit që rrëfimin e parë e shpalosi në kino “Armata”, u bë me dije se nuk bëhet fjalë për një koncert të rëndomtë. As për një eksperiment të rastësishëm

Hava Bekteshi e cila ka luajtur me çifteli ka thënë se pozita e çiftelisë në këtë koncert ka qenë një prej veçantive të tij. Ka thënë se ka qenë ndërthurje e gjithçkaje.

“Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme, komplet ndryshe nga ajo që deri tash çiftelia ime ka pasur. I jam shumë falënderuese Flakës që e ka bërë këtë projekt, që çiftelia të bëhet pjesë e këtij projekti duke e bërë instrumentin një zë të barabartë me skenën klasike në këtë koncert. Kjo është ajo që e veçon këtë koncert. Është emocion i jashtëzakonshëm”, është shprehur ajo.

Instrumentisti i instrumenteve popullore si çiftelia, fyelli e gajdja, Fatmir Makolli, ka thënë se koncerti ka qenë gërshetim i bukur i këngës e muzikës tradicionale me këndim lirik.

“Ky koncert ishte i një lloji e stili të veçantë ku erdhën në shprehje gërshetimi i këndimit operistik e çiftelisë dhe lahutës çfarë ishte më e mira. Filloi me lahutë dhe përfundoi me çifteli. Midis këtyre pati çdo lloj muzike, të gjitha zhanret dhe të gjithë zërat më të bukur që edhe këndoi si dhe instrumentet më të bukura që njohin trevat shqiptare: lahuta dhe çiftelia. Unë jam shumë i kënaqur dhe dëshiroj që koncerte të tilla të shfaqen gjithkund në trojet shqiptare sepse mendoj se vetëm kështu mund ta marrin dheun këto koncerte”, ka thënë Makolli.

Çiftelia ka krijuar dialog harmonik ndërsa lahuta, me timbrin e saj epik dhe të thellë, i ka dhënë interpretimit një dimension narrativ. Sikur çdo këngë të ishte një arie që bart një rrëfim të moçëm, të bartur brez pas brezi. E dajrja, me pulsimin ritmik, ka sjellë gjallëri dhe energji edhe duke ilustruar peizazhet e bukura shqiptare.

Kënga dibrane “Cuca vesh fustan jeshile” e aranzhuar nga artistja Arbërëshë ka qenë kapitull unik i koncertit. E sjellë në version modern ku këndimi vjen në qetësi e tingëllon si rrëfim goxha intim, meloditë i ka sjellë vetë Arbëresha me dajre.

“Këngë labe” aranzhuar nga kompozitori e dirigjenti i mirënjohur, Rafet Rudi ka kitarën në version klasik që shpreh virtuozitet.

Te “Bie deti dallgët” nga Feti Brahimi, tingujt ngjajnë fillimisht të pastrukturuar, minimalë, deri në ndërhyrjen e lahutës. Nxjerrja e tingujve nga prekja e sipërfaqes së dajres përshkruan përplasjet e dallgëve të detit. Zërat bëhen krejt bashkë për ison që e karakterizon polifoninë e jugut të Shqipërisë. Disa prej tyre ndahen nga linja e zërit për të krijuar narrativa të reja, e kjo është veçantia e kësaj kënge që ruhet përherë me fanatizëm. Edhe në një koncert që sjell qasje moderne në vepra tradicionale. Derisa dallgët intensifikohen dhe kënga mbaron, publiku shpërthen duke ndërprerë për pak çaste rrëfimin muzikor që ka ardhur si i pashkëputur.

Kënga arbëreshe “Kjani trima” e këngë dhe poezi “Kënga e bilbilit” nga Jusuf Gërvalla si një prej fragmenteve të shpalosjes së perlave të të gjitha trevave shqiptare kanë qenë prej këngëve të fundit në repertor. “Hapi sytë”, këngë nga Shqipëria e Jugut, me kitarë ka sjellë intimitetin në frymë jazz me zë lirik të ngjyrosur rrënjësisht në kontekstin tradicional.

Kënga tradicionale “Dola n’bahçe” ka qenë tejet e bukur e emocionale. Te “Dada do ta shesë” dhe “Skutaqja”, këngë nga Lugina e Pollogut dhe Dërvenit është përfshirë edhe publiku në performancë duke ofruar melodi nëpërmjet shuplakave.

E ato janë shndërruar në duartrokitje të gjata për interpretueset në skenë që zbërthyen koncertin “Jehona e origjinës”. Jo veç për interpretimin e këndshëm e projektin unik, por edhe për guximin artistik.

“’Echoes of Origin’ është një koncert i veçantë që sjell në skenë trashëgiminë muzikore shqiptare, të ripërpunuar me ndjeshmëri klasike dhe interpretim bashkëkohor. Përmes zërit, telit dhe ritmit, ky projekt ringjall këngë të vjetra, këngë arbëreshe dhe tinguj autentikë të folklorit, duke i kthyer ato në përvoja artistike intime dhe universale”, shkruhet në shpjegimin e konceptit të koncertit.

Në kuadër të këtij projekti Tringa dhe Hava kanë mbajtur punëtori për çifteli dhe kitarë një ditë para koncertit.

Koncerti ka dëshmuar se këndimi klasik dhe instrumentet tradicionale janë dy gjuhë që kur flasin së bashku, krijojnë harmoni autentike.