Shtojca për Kulturë

Kur Korça takon penën kosovare

ibrahim kadriu

I jam mirënjohës Ibrahim Kadriut për këtë roman të çmuar, që shpresoj me gjithë zemër të gjejë pritjen e vlerësimin e duhur jo vetëm në Kosovë e Prishtinë, por edhe në Korçën së cilës i kushtohet

Në ditët e sotme, si shkrimtarë, aq më tepër të kalibrit të Ibrahim Kadriut, i cili me plot meritë gëzon dhjetëra përkthime të krijimeve të tij letrare në disa gjuhë të huaja, nevojitet patjetër të dalim përtej ndasive e kufizimeve tona rajonale ndërshqiptare, duke u orvatur t’ia përshtatim letërsinë tonë, sidomos atë letërsi që mishëron një frymë të tillë historike, përmasave më të gjera e gjithëpërfshirëse të kombit tonë. Pikërisht ky kriter kaq unik është përmbushur në librin “Masakra ndodhi në Korçë”

Si korçar, në formim kulturor, shpirtëror e njerëzor, përveçse nga prejardhja ime familjare brez pas brezi në shekuj, aq më tepër, si dardhar speficikisht, nga fshati i dikurshëm mijëra banorësh, pinjollët e të cilit patën kapërcyer ndër të parët në fundin e shekullit XIX, Oqeanin Atlantik, dhe kishin çarë udhët e mërgimit në Amerikë, të lexoj sot një roman kushtuar Korçës, banorëve të saj të fisëm e kryeneçë, e sidomos një periudhe historike kyç për Korçën, Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi, është një ndjesi më tepër se e veçantë.

E faqet e këtij libri kaq të vyer, fryt i mendjes gjithnjë (akoma e më tej, pa dyshim), të shkrimtarit të mirënjohur nga Kosova, Ibrahim Kadriu, njeriut që kam nderin t’i jem mik, me gjithë dallimin tonë të theksuar në moshë, ndonëse plot shkëndija të tilla letrare e mendësore na bashkojnë vetvetiu ngaherë, më bënë ta rijetoj thuajse fotografikisht me pamje e ravijëzime të gjalla theksueshëm, sikurse edhe nëpërmjet përshkrimesh të ndjeshme e një narracioni tejet realist, këtë periudhë kur Korça ime e origjinës ishte shndërruar në fushëbetejë ushtrish, pushtuesish e çetash gjakatare të ardhura nga përtej kufirit të sotëm shqiptaro-grek, në pritje të shpalljes së autonomisë së saj shqiptare, përmes Republikës së Korçës, pak vite më tutje.

Ibrahim Kadriu i shquar, sipas meje, i shumë lexuesve e ithtarëve të tjerë të romaneve e letërsisë së tij të lëvruar prej kaq dhjetëvjeçarësh suksesshëm, për thellimet e tij të sakta, burimore e largpamëse historike, kryesisht të ndërlidhura me Kosovën e rrënjëve të tij, dhe hulumtimet letrare të analeve të mbamendjes së pranisë autoktone dhe andrallave të shqiptarëve në këtë truall të martirizuar në altarin e lirisë kombëtare të shqiptarëve, në këtë roman sakaq, ia kushton për herë të parë vëmendjen e tij romanore, me një kthjelltësi të admirueshme historiografike, Korçës dhe rrethinave të saj, në vitet e para mbas shpalljes së mundimshme të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912.

Korça e sunduar nga anarkia e Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, nën çizmet e ushtrive bullgare, atyre franceze dhe greke pushtuese, sikurse edhe e mësyrë nga çetat mizore të andartëve, përballet me fatin e saj të ligë, e fare të pashpresë në dukje, me fuqinë e Anteut mitologjik, që e gjen ripërtëritjen pikërisht në thelbin e truallit të vet, në mospërkuljen ndaj rrethanave të pagjasa, të banorëve të saj, qytetarë e fshatarë qoftë shqiptarë, ortodoksë e myslimanë.

Të cilët bashkëveprojnë, bashkohen e sendërtojnë qëndresën ndaj pushtuesit, andartëve e frymës asimiluese që rreket të zhbëjë e të shpërbëjë qenësinë kombëtare e fetare të shqiptarëve, me dogmat e universalitetit kishtar e kulturor, ku korçarët shihen vetëm si të konvertueshëm me dhunë, në gjirin e agjendave shkombëtarizuese të fqinjit jugor.

Jorgo Dukas është përzgjedhur mençurisht nga autori, duke i caktuar një rol vendimtar në këtë libër, me ecejaket, bëmat, rrugëtimet, përsiatjet, mëdyshjet e kryengritjet e tij vetjake, simbolizuese të trevave malore përreth Korçës, që pareshtur do të shndërroheshin në fortesa të pamposhtura të qëndresës së shqiptareve korçarë, ndaj çdo pushtuesi.

Jo rastësisht, mbiemri “Dukas”, me prejardhje bizantine e latinoromake njëherësh, na përkujton njërën nga familjet më të shquara të Perandorisë Bizantine në vitet e apogjeut të saj, me disa perandorë të Bizantit si pjesëtarë të saj, perandorë të Nikesë në Azinë e Vogël, por edhe me themeluesin e Despotatit të Epirit, që pati përfshirë shumë vise arbërore të Toskërisë e më poshtë saj.

Një familje që, sipas gojëdhënave bizantine, i gjente rrënjët e saj të lashta, në një të afërm të perandorit të madh romak me prejardhje iliro-dardane, Kostandinit të Madh, rrënjësuesit të Bizantit dhe Romës së Dytë, ligjëruesit të Krishtërimit, atit të Kostandinopojës së ardhshme e Stambollit të sotëm.

Një mbiemër që gjithashtu vijon të përdoret gjerësisht edhe në Shqipërinë e sotme, me etimologji fisnike latine, sipas kuptimit “Dux”, ose udhëheqës.

Një zgjedhje tejet e goditur, qoftë në këndvështrimin e pastër letrar, e veçanërisht në pikëpamjen historike, që aq shumë është shtjelluar mjeshtërisht në këtë roman.

Figura të ndritura, të rëna theror me përkushtim patriotik për hir të germave e gjuhës shqipe, si Papa Llambro Ballamaçi, janë ravijëzuar me vlerësimin e duhur gjithashtu nga autori, duke ua larguar pluhurin e pamerituar për shkak të harresës së pafalshme ndaj veprës së tyre nga brezat bashkëkohore, krahas Germenjit e Gramenos, bashkë me plot luftëtarë të paepur të çështjes shqiptare në Korçë.

Si stërnip i njërit prej këtyre luftëtarëve në fjalë, Jovan Papasotirit, student në ekonomi-financë në Boston në fillimshekullin XX, mërgimtar nga Dardha e kulturuar, në Botën e Re, i mbrujtur në gjirin e ëndrrës amerikane suksesshëm, dhe i kthyer në mëmëdhe e Korçën e tij, “për ta bërë Shqipërinë”, siç ia kujtonte gjyshja ime, Antigoni, akoma fjalët, gjer në fund të jetës së saj, ky libër më prek edhe më thellë personalisht falë përmbajtjes së tij dhe përzëmërsisë që Ibrahim Kadriu tregon për qytetin tim të origjinës.

Jovani do të vritej në betejë me andartët, pas shpalljes edhe falë luftës me armë në duar e përpjekjeve të tij vetëmohuese, të Republikës së Korçës, teksa sarajet do t’i digjeshin tri herë, e fëmijët do t’i shpëtonin në shtëpinë e mikut të tij besnik, në një fshat mysliman të Fushës së Korçës, ku andartët kurrsesi nuk e patën hamendësuar dot, se një shqiptar ortodoks do t’ua besonte bijtë “turqve”, sipas mendësisë së shtrembër të tyre.

Edhe për hir të këtij paraardhësi tim, i jam mirënjohës Ibrahim Kadriut për këtë roman të çmuar, që shpresoj me gjithë zemër të gjejë pritjen e vlerësimin e duhur jo vetëm në Kosovë e Prishtinë, por edhe në Korçën së cilës i kushtohet.

Në ditët e sotme, si shkrimtarë, aq më tepër të kalibrit të Ibrahim Kadriut, i cili me plot meritë gëzon dhjetëra përkthime të krijimeve të tij letrare në disa gjuhë të huaja, (ndërkohë që këto përkthime vijojnë të shtohen edhe tani), nevojitet patjetër të dalim përtej ndasive e kufizimeve tona rajonale ndërshqiptare, duke u orvatur t’ia përshtatim letërsinë tonë, sidomos atë letërsi që mishëron një frymë të tillë historike, përmasave më të gjera e gjithëpërfshirëse të kombit tonë.

Pikërisht ky kriter kaq unik është përmbushur në këtë libër.

Një fat për lexuesin e Korçën!