Shtojca për Kulturë

Kurajo!

Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripecinë e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tirani?

Shenja sqaruese e Neo-Shqiptarizmës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurauja mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila e ka për detyrë të jap shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë së pari të tregojë fuqinë e superiozitetit mendor dhe të ketë kurajon të përballë të vërtetën e jetës kombëtare

Branko Merxhani

Si qëllim të përfundëshmë të përpjekjevet kombëtare-shoqërore të Tendencës Neo-Shqiptare, që përkrahim ne, mundemi të pranojmë këtë princip: Krijimi i një Shqipërie brenda të pa-kufishme, jashtë të kufizuar.

Krijimi i një Shqipërie! Është lodhje, dëshpërim dhe pa qëllim të kthejmë sytë në gërmadhat e skllavërisë dhe në mjerimet që na la trashëgim e shkuara. Ky vështrim nga prapa është një gjë monstruoze. Syt t’ona, të drejtuar nga prapa nuk do të takojnë veç se një gjurmë tepër të madhe shkatërrimi, shenja të pa-numërta kalbësimi, britma të dëshpëruara njerëzish dhe epokash. Dhe të gjitha këto të mpështjellura gjithmonë brenda në një mjergullë të trashë. S’ka gjëkundi as pikë jete dhe shprese. Po ka një drejtim të përkundërt. Drejtimi që zë të Vjetrën dhe Renë. E Arthmja!

E vetmja rreze shprese dhe shpëtimi për fatin shqiptar. Mundet që një ditë të shkelqejë me takimin e një agimi plot gëzime, agim i cili do të shfaqet bashkë me sgjuarjen e Jetës së Re. Po vetëm sy guximtarë, shpirtra plot dashuri dhe ballëra të ndritura e të gëzuara do të mundin të gëzojnë kryelartësinë dhe madhërinë e kësaj jete. Shqipëria e mendimit dhe ndjenjës. Shqipëria e vërtetë nuk gjendet nga prapa, po përpara neve!... Dhe në qoftë se nuk do të mundemi të shtiem sytë t’ona në këtë drejtim, në qoftë se nuk do të marim dot vesh thellë-thellë kuptimin e këtij orientimi krijonjës, domethënë, në qoftë se nuk e ndiejmë realitetin e jetës kombëtare - ahere është e humbur çdo përpjekje, është e kotë çdo dëshirë që të qëndrojmë si unitet shoqëror i lirë dhe i lumtur brenda në sukseset përparimtare, fantastike dhe të pa-arritshme të qytetërimit të shekullit të sotmë!

Shenja sqaruese e Neo-Shqiptarizmës, kondita e parë e ekzistencës së saj është kurauja mendore. Për këtë them se Djalëria, e cila e ka për detyrë të jap shërbimet e saj në luftën e lartësimit shoqëror dhe të zhvillimit qytetëronjës të vendit duhet që pikë së pari të tregojë fuqinë e superiozitetit mendor dhe të ketë kurajon të përballë të vërtetën e jetës kombëtare ashtu siç është në realitet dhe t’ua çfaqë të tjerëve krejt lakuriq.

Lamë të shkojë shumë kohë, duke përgëzuar ambiciet historike me fluturat prrallore. Po kombet që na kanë rrethuar nga të gjitha anët dhe me të cilat na lith afër po një fat historik, na kanë lënë të paktën një shekull prapa. Megjithëkëtë as nonjë nga ne s’ka treguar gjerë sot kurajo mendore, që të na shpjegojë arësyet e vërteta dhe shkencore që shkaktuan këtë fakt të hidhur. Nuk janë të paktë ata që shohin, si të vetme arësye historike të fatkeqësisë s’onë së sotme, periodat të gjata të sundimit të huaj, që kaloi populli ynë. Për fat të keq, ky shpjegim nuk është një shkak, është një përfundim...

Mos jemi vallë në botë i vetmi popull, i cili, në peripecinë e udhëtimit të tij historik, ra nga skllavëria në skllavëri, nga tirani në tirani?

Ja, krahas me neve një botë e tërë, e cila shpëtoi dhe u tregua për hirë vetëm të shkeljes turke!... Themelonjësi i shkollës Evrasiatike Princi rus Troubeckoi që sot quhet një nga hegjemonët e shkencës, thotë diku: “Sundimi i huaj përbën për popujt një shkollë”. Kjo është e vërteta. Historia jonë është veç se një vazhdim besnik i peripetive të çdofarësojme të sundimit të huaj. Po ne u treguam nxënës të keq. Nuk kemi mësuar as letrën A!...

Nga organizma jonë shoqërore mungon një gjë e domosdoshme, le t’a emëroj sot: Faktori kryesor i shpirtit shoqërorë, idealisma krijonjëse, kurajua mendore, devocioni për realitetin kombëtar! Kurajua është arma më e çmuar e përparimit. Gjurmimi i së vërtetë, Shkenca nuk kuptohet pa kurajon. Brenda në luftën e vrazhdë dhe të pamëshirshme të jetës së sotme jemi të ekspozuar në një rrezik të math. Dhe vetëm kur të kuptojmë gjithë tmerin dhe gjithë shkatërrimin që do të shkaktojë ky rrezik, ahere vetëm do të mundemi të themi se hodhën të parin çap të shëndoshë përpara, për shpëtimin.

Në “Götzendammerung” Nietzche shkruan: “Kombet, që kishin një farë vlere ose fituan një farë vlere, këtë gjë s’e arritën me institucionet Liberale. Rreziku i math i lartësoi kombet. Rreziku, të cilit i detyrojmë mirënjohsi, i shton mjetet e rezistencës s’onë, çfaq virtytet t’ona shpërndan në zemrat t’ona kurajo, jep armë në duart t’ona dhe sbulon përnjëherësh vlerat e pa-njohura mendore, që flenë brenda nesh. Rreziku na shtrëngon të jemi të fortë”.

Me gjithë fuqin e zërit t’im dua të flas brenda shpirtrat e Djemve t’onë këto fjalë të arta të krijonjësit të “Übremensh”-shit (Mbinjeriut v.j.). Para gjithash të gjurmojmë shkaket historike dhe sociologjike të dekadencës s’onë shoqërore. Me kurajo. Dhe ahere do t’i hapin sytë popullit t’onë. Dhe do të çfaqet rreziku i math i gjallë. Reziku, që breth reth e rotull nesh, në krah t’onë brenda nesh, si ndonjë shtazë e uritur!...

Branko Merxhani, i lindur në Turqi më 1894 dhe vdiq më 1981 në New York, konsiderohej si njëri ndër publicistët më të njohur të para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri por, për ironi, ka jetën më të mjegullt. Ky shkrim - shkëputur nga “Formula të neoshqiptarismës”, botuar nga “Rilindja” më 1998 – fillimisht ishte botuar në gazetën “Demokratia” më 23 mars 1929