Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mbi 32% e zyrtarëve nuk e kanë deklaruar pasurinë, afat edhe gjashtë ditë

deklarimi i pasurisë

Mbi 32 për qind e zyrtarëve publikë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë për vitin 2025, ndërsa afati ligjor për këtë obligim po i afrohet fundit ka njoftuar të mërkurën Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas të dhënave të Agjencisë, deri më 25 mars, 3,405 zyrtarë apo rreth 32.9 për qind e të obliguarve nuk e kanë nisur fare procesin e deklarimit të pasurisë, teksa në total, janë mbi 10 mijë zyrtarë që duhet ta përmbushin këtë detyrim deri më datë 31 mars.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ndërkohë bëhet e ditur se 4,860 zyrtarë (46.9 për qind) e kanë përfunduar deklarimin, ndërsa 2,088 të tjerë janë ende në proces. 

“Procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për vitin kalendarik 2025 po hyn në fazën më dinamike, ndërsa afati ligjor për përmbylljen e tij, 31 marsi 2026, po afrohet. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit njofton se sipas të dhënave të përditësuara deri më 25 mars 2026 (mesditë), gjithsej 4860 zyrtarë publikë apo 46.94% e kanë përfunduar tashmë deklarimin e pasurisë. Njëkohësisht 2088 zyrtarë (20.17%) janë aktualisht në proces të plotësimit të deklaratave të tyre, çka tregon një angazhim të shtuar në ditët e fundit të afatit. Ndërsa janë edhe 3405 zyrtarë publikë (32.89%) që ende nuk e kanë filluar këtë obligim ligjor”, thuhet në njoftim. 

Drejtori i Agjencisë, Yll Buleshkaj, u ka bërë thirrje zyrtarëve që ta përmbushin detyrimin brenda afatit, duke theksuar se transparenca është thelbësore për besimin qytetar dhe integritetin institucional.

“Transparenca nuk është vetëm detyrim ligjor, por përbën themelin e besimit qytetar dhe të integritetit institucional. Prandaj, është e rëndësishme që secili, në kuadër të përgjegjësive të tij, të kontribuojë për një administratë më të hapur dhe më të përgjegjshme”, ka theksuar ai.

Agjencia ka paralajmëruar se mosdeklarimi i pasurisë përbën shkelje ligjore dhe mund të ndëshkohet me gjoba, kallëzime penale, e deri në masa më të rënda si burgim apo konfiskim të pasurisë.