Shtojca për Kulturë

“Masakra ndodhi në Korçë” si kronikë për shfarosjen e shqiptarëve

"Masakra ndodhi në Korçë", Ibrahim Kadriu

Edhe ky roman, si shumë të tjerë të Ibrahim Kadriut, bën fjalë për një kohë të hidhur, konkretisht për ngjarjet e rënda të ndodhura në Korçën e vitit 1914, në atë vit të mbrapsht për banorët e asaj ane, të cilët përballen me dhunën e ashpër të andartëve grekë mbi popullatën shqiptare të Korçës dhe të rrethinës

Bizaritetin e andartëve, përkatësisht qëllimin e tyre shfarosës ndaj shqiptarëve, qofshin myslimanë apo ortodoksë, Ibrahim Kadriu në romanin “Masakra ndodhi në Korçë” – Botimet KOHA, Prishtinë 2025 – e konkretizon me postulatin e proklamuar që iu referohej shqiptarëve ortodoksë me thënien “Pas kristianos orthodhoks ine elin” që në gjuhën shqipe shpjegohet: “Çdo i krishter i botës është grek!” Mbështetur në këtë proklamatë, andartët çdo kundërshtimi të shqiptarëve i përgjigjeshin me masakër, duke i përgjakur rrugët dhe sheshet e qytetit

Është bërë pothuajse praktikë që shkrimtari Ibrahim Kadriu, për çdo panair të librit këtu në Prishtinë, të prezantohet me nga një botim të ri, përkatësisht me nga një roman të ri të botuar nga Botimet KOHA, siç është edhe botimi i radhës i romanit “Masakra ndodhi në Korçë”, vepër kjo me një titull karakteristik, madje edhe provokues, por që sugjeron edhe brendinë e romanit. 

Në të vërtetë, kjo vepër më e re e Ibrahim Kadriut vjen në vazhdën e veprave të tjera, të cilat mbështeten në të dhëna historike dhe në vlera arkivore për ngjarje të caktuara të ndodhura në ambientet shqiptare. 

Edhe ky roman, si shumë të tjerë të Ibrahim Kadriut, bën fjalë për një kohë të hidhur, konkretisht për ngjarjet e rënda të ndodhura në Korçën e vitit 1914, në atë vit të mbrapsht për banorët e asaj ane, të cilët përballen me dhunën e ashpër të andartëve grekë mbi popullatën shqiptare të Korçës dhe të rrethinës. Këtu, pra, vijëzohen rrethanat ku presioni grek, përmes formacioneve paraushtarake të quajtur andartë, përdorin metodat më barbare, vrasjet më mizore ndaj shqiptarëve të cilët nuk iu bindeshin kërkesave të tyre, e që konsistonin në detyrimin e shqiptarëve të ritit ortodoks të bëheshin dhe të quhen grekë, kurse shqiptarët myslimanë – të vriteshin ose të detyroheshin të largohen me dhunë apo me politikë perfide drejt Turqisë.

Ky është shkaku kryesor për maltretimet e për vrasjet më mizore, nga të cilat u mbushën me gjak e me kufoma rrugët e Korçës. Është fjala, pra, për masakra të papara, të atilla që zgjojnë lemerinë vetëm për shkak se banorët e atij mjedisi përpiqen të ruajnë identitetin kombëtar dhe vullnetin për jetë. Kjo ndodh në kohën kur Shqipëria po përjetonte një pavarësi shtetërore të brishtë, kur nga apetitet dhe sulmet e vazhdueshme të fqinjëve nuk mund të definoheshin kufijtë e shtetit dhe, pikërisht për këtë dhuna greke mbi banorët shqiptarë në atë pjesë të Shqipërisë, në një mënyrë bënte me dije opinionin e gjerë ndërkombëtar dhe atë të brendshëm se autoriteti i shtetit shqiptar nuk mund të realizonte si duhet funksionet e veta, për ç‘arsye shtrëngohen komisionet ndërkombëtare të përcaktojnë kujfijtë. 
Ibrahim Kadriu ia kushton gjithë romanin e tij më të ri pikërisht asaj situate të rëndë. Me këtë ia shton opusit të tij gjerë të romaneve edhe këtë vepër të ngjashme për nga stili dhe tipologjia me romanet e tij të njohur të viteve të fundit, si “Misioni rus”, romani për viktimat e Tivarit, romani “Varri i shitur në Damask” e të tjerë.

Në romanin e tij më të ri “Masakra ndodhi në Korçë”, në një dinamikë ngjarjesh që ndodhin në atmosferën e zymtë korçare, defilojnë emra të zakonshëm, por edhe emra autoritetesh ndaj të cilëve nuk ka kurrfarë mëshire, siç është rasti me Papa Llambro Ballamuçin, të cilin e nxjerrin nga shtëpia në rrugë dhe, derisa e marrin në pyetje, e therrin me thika  deri në vdekje. Shkaku –  sepse Llambro në mënyrë të fshehur ua kishte mësuar shkrim-leximin shqip fëmijëve shqiptarë. Kjo ngjarje përkujton raportin e konsulit austriak në Prizren, i cili, një vit më parë, domethënë më 1913, raportonte për 2000 familje myslimane të qytetit të Pejës të cilat ishin konvertuar me dhunë. 

Autori Kadriu shembullin e Korçës e krahason edhe me raportin e Arqipeshkvit Mjeda, i cili bënte me dije se 1200 katolikë të famullisë së tij ishin konvertuar me dhunë, duke marrë shembull edhe At Engjëll Paliqin e vrarë ngase nuk kishte dashur të konvertohej në fenë e malazezëve. 

Bizaritetin e andartëve, përkatësisht qëllimin e tyre shfarosës ndaj shqiptarëve, qofshin myslimanë apo ortodoksë, autori e konkretizon me postulatin e proklamuar që iu referohej shqiptarëve ortodoksë me thënien  “Pas kristianos  orthodhoks ine elin” që në gjuhën shqipe shpjegohet: “Çdo i krishter i botës është grek!” Mbështetur në këtë proklamatë, andartët çdo kundërshtimi të shqiptarëve i përgjigjeshin me masakër, duke i përgjakur rrugët dhe sheshet e qytetit. Për një pasqyrim sa më real të asaj kohe në Korçë, autori ofron edhe dëshmi reale, siç është, bie fjala, dëshmia e Edit Durhamit, e cila në shkrimin e saj,  pos tjerash, thoshte: “...Nuk mund t’i besoj asaj që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe, dhe grekët, sikur edhe një shekull të tërë të bënin pendesë, ata nuk mund të shlyejnë urrejtjen dhe krimet që kanë bërë ndaj shqiptarëve...” 

Ngjarjet në romanin “Masakra ndodhi në Korçë”, siç del edhe nga titulli, ndodhin në ambiente të rrethinës së Korçës, në vendbanime të popullatës e cila jeton në ethe të vazhdueshme, ndërkaq personazhet nga ato ambiente, që kanë mbështetje edhe në fiksionin e autorit, dalin me karaktere të imponuara nga situatat, siç janë dy protagonistët kryesorë: Jorgo dhe Lura, të cilët paraqesin shtyllat kryesore të ngjarjeve me plot peripeci.  Që  të dy këto personazhe janë portretizuar mjaft mirë, duke i përshkruar që nga fillimi i romanit e deri në fund. Atyre u rastis një situatë tragjike, e cila fillon kur Lyra detyrohet ta vrasë një andart që provon ta dhunojë, kurse Jorgu rastis për të ndihmuar varrosjen e andartit në plehun afër shtëpisë. Ky veprim mbetet si një lloj enigme për mjedisin, e që paraqitet me invencion në faqet e romanit, ku jepen edhe peripecitë e Jorgos gjatë arritjes në Stamboll për të lajmëruar korçarin për djegien e shtëpisë së tij bashkë me familjarët: babanë, nënën dhe motrën... Këtë veprim Jorgo e ndien edhe si një obligim moral e shpirtëror, ngase ajo familje myslimane korçare ishte punëdhënëse e tij.  

Në përgjithësi, ky roman ofron një spektër të gjerë informatash, madje edhe historike, të asaj kohe nën kthetrat e ekstremizmit grek, të megalomanisë së tyre përballë popullatës së pambrojtur shqiptare. Ndërkaq, andartët që paraqesin formacione ushtarake greke, sado që publikisht thuhej se vepronin fshehtas apo krye më vete, në të vërtetë ata ishin masha që vepronin nën mbikëqyrjen e autoriteteve të shtetit grek. Duk dhënë një pasqyrë të qartë dhe reale të asaj kohe, romani, nëpërmjet pasqyrimit të atyre ngjarjeve heq velin e misteriozitetit. Kjo metodë veprimi për lexuesin tonë është e njohur dhe e sprovuar shumë herë nga popullata jonë nga dhuna që është ushtruar nga pushtues të huaj.

Edhe këtë roman të Ibrahim Kadriut, si edhe romanet e tjerë të tij, e shquan stili i qartë i rrëfimit, i kuptueshëm për lexuesin, me një ndërtim linear, që e bën ta mbajë gjallë gjithë kohën kureshtjen e lexuesit dhe të lexohet me një frymë.

Falënderojmë shkrimtarin Ibrahim Kadriun për këtë vepër të re dhe mjaft interesante dhe përgëzojmë e falenderojmë botuesin, Botimet KOHA, për këtë dhuratë që ia ofron lexuesit.

Fjala në përuriumin e romanit të Ibrahim Kadriut “Masakra ndodhi në Korçë”, botuar nga Botimet KOHA , qershor 2025. Prishtinë, më 12 qershor 2025, në Panairin e Librit në Prishtinë