Legjenda e Rozafës potencialisht përfaqëson një sintezë të thellë kulturore. Ajo, ka gjasa, nuk është vetëm një mit themelimi lokal por gjithashtu një amalgamë e elementeve shpirtërore të kultit të Hyjneshës Nënë të Evropës së Vjetër. Legjenda e Rozafës ndriçon proceset e shtetndërtimit shqiptar dhe evidenton rolin e sakrificës dhe ndarjes si themele të formimit të pushtetit dhe institucioneve. Analiza krahasuese me mitologjitë indoeuropiane ofron një kuptim më të thellë të lidhjes midis mitologjisë dhe politikës moderne
Studiuesit shqiptarë dhe disa komparativistë e shohin Legjendën e Rozafës si një dëshmi të rëndësishme të lashtësisë dhe origjinës në rajon. Ky mit lidhet me trashëgiminë e miteve themeluese. Miti që na ka ardhur te Rozafa është miti i themelimit të Shkodrës apo shtetit ilir dhe ka ndodhur paralelisht me krijimin e mitit të themelimit të Romës. Kjo legjendë mund të rrjedhë nga miti ilir/paleoballkanik i krijimit (i ndarë me trakët dhe dakët), i cili vetë vjen nga miti i vjetër indoeuropian i krijimit.
Kalaja e Rozafës në Shkodër është një ndërtim i hershëm. Gërmimet vërtetojnë se muret e kështjellës (muret e ashtuquajtura ciklopike) datojnë nga shekulli IV apo fillimi i shekullit III p.e.s., duke dëshmuar se Shkodra (Scodra) ishte një qendër e rëndësishme politike dhe kulturore ilire në periudhën helenistike (shekulli III–I p.e.s.). Zihni Sako e konsideron Legjendën e Shkodrës më të vjetër se variantet serbe (të bazuara te vëllezërit Mrnjačević, shek. XIV) apo ato greke/rumune, për shkak të lidhjes së saj me këtë qytet ilir.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoEdhe pse ka një nacionalizëm parokial në Ballkan, ku çdo grup etnik pretendon origjinën e baladës, Alan Dundes argumenton se origjina e kësaj balade mbetet thelbësisht indoeuropiane. Varianti i Rozafës mbetet unik për Besën (betimin) e mbajtur nga vëllai i vogël, por motivi i përgjithshëm i flijimit të murosjes (immurement) shfaqet gjerësisht në të gjithë Ballkanin.

Një amalgamë e mitologjisë së “Evropës së Vjetër” dhe asimilimi indoeuropian
Legjenda e Rozafës, potencialisht përfaqëson një sintezë të thellë kulturore. Ajo, ka gjasa, nuk është vetëm një mit themelimi lokal (Sitiogonia), por gjithashtu një amalgamë e elementeve shpirtërore të kultit të Hyjneshës Nënë të Evropës së Vjetër (pare-indo-europiane) dhe ideologjisë flijuese patriarkale të Proto-Indo-Europianëve (PIE) (Dexter, 2019) (Dexter, 2014) (Dexter, 2006) (Rosenkvist, 2017) (Davranoglou et al., 2025a) (Gimbutas, 1996) (Shah, n.d.) (Dexter, 2018) (Stuckey, 2005).
Këto dy sisteme mitologjike, u përplasën gjatë procesit të indo-europianizimit të Ballkanit dhe u bashkuan në narrativën e Rozafës për të legjitimuar rendin e ri socio-politik (DeSmith, 2025; Lazaridis et al., 2025) (Davranoglou et al., 2025b). Ky flijim themelues, ndonëse i lokalizuar në një kala (Sitiogonia), vazhdon të dëshmojë rrënjët e tij PIE.

Trashëgimia e Evropës së Vjetër
Evropa e Vjetër, para ardhjes së proto-indo-europianëve, karakterizohej nga kultura matrifokale dhe theksi te Hyjnesha Nënë, e cila kontrollonte ciklin e jetës, vdekjes dhe rigjenerimit (që njihet si “Hyjnesha në fron” sipas figurinës së kulturës Vinça të gjetur në Prishtinë).
Marija Gimbutas argumenton se indoeuropianët (që ajo i quan “kurganët”), të cilët ishin patrilinealë dhe militaristë, depërtuan në Evropë dhe e transformuan apo zëvendësuan këtë kulturë të përqendruar te hyjnesha.
Gjatë indoeuropianizimit, hyjneshat e fuqishme të rigjenerimit u reduktuan në rëndësi ose u degjeneruan në monstra, shtriga (si Baba Yaga) ose figura të nënshtruara, duke iu caktuar kryesisht funksionit të tretë (pjelloria/prosperiteti) të ideologjisë trepjesëshe PIE.
Legjenda e Rozafës funksionon si pika e bashkimit mes këtyre dy sistemeve. Ajo përdor formën e dhunshme të flijimit proto-indo-europian (PIE) (vdekjen e një viktime për të garantuar themelin), por e ruan thelbin e funksionit amësor të Hyjneshës së Evropës së Vjetër.
Tutje, Moikom Zeqo (2011) e bën një lidhje mes Rozafës dhe Hyjneshës dardane (Dea Dardanica), që mes tjerash ishte hyjneshë e pjellorisë. Elementi (mitema) e prurjes së ushqimit nga Rozafa, mund të jetë një mbijetesë e funksionit të plleshmërisë së hyjneshave të periudhës klasike dhe “hyjneshës” multifunksionale neolitike siç definohet nga Gimbutas. Ngjashëm me Dea Dardanica, në funksionin e saj si kështjellë-mbajtëse, Rozafa del si hyjni tutelare e (qytet-)shtetit e krahasueshme me hyjnitë Dea Roma, Tykhe dhe Magna Mater/Kybele që shpesh paraqiten me kurorë murale (corona muralis). Këtu duhet theksuar se supozohet që Kybele e ka origjinën te hyjnesha nënë neolitike.

Formati PIE (themelimi i strukturës)
Flijimi i Rozafës (murimi i gjallë) është akti i nevojshëm për të ndaluar rrënimin e përsëritur të mureve. Ky është flijimi klasik themelues për të siguruar stabilitetin e një strukture, që është një motiv i përhapur gjerësisht në Ballkan. Në një plan më të gjerë, ky flijim shërben si një akt që “nënshtron” parimet natyrore të Evropës së Vjetër (që shkaktonin shembjen) ndaj rendit të ri të vendosur nga njeriu (mjeshtrit/vëllezërit).

Thelbi gjinocentrik neolitik
Kërkesa e Rozafës për të lënë pjesët e trupit të saj të lira (gjirin, syrin, këmbën e djathtë) ndoshta përbën elementin më të rëndësishëm para-indoeuropian dhe e dallon variantin shqiptar. Ndërsa në Kosmogoni copëtimi (dismemberment) shërben për krijimin homologjik të elementeve fizike (kockat bëhen male, mishi bëhet toka), te Rozafa ndarja shërben për mbijetesën dhe kujdesin e jetës. Rrjedhja e qumështit (një substancë gëlqereje) nga muri, e cila mblidhej si ilaç për nënat me probleme me gjidhënien, e shndërron Rozafën në një Hyjni Nutritive (Ushqyese) dhe shëruese. Ky insistim te funksioni i pjellorisë dhe amësisë shënon një ruajtje të thellë të kultit të Hyjneshës Nënë të Evropës së Vjetër në folklorin shqiptar. Te Rozafa, pushteti i vjetër matrifokal nuk është shkatërruar, por asimilohet në themelin e ri patriarkal. Kështjella (simbol i rendit të ndërtuar nga burrat) fiton stabilitet duke inkorporuar dhe vazhduar funksionin jetëdhënës të nënës. Kështu, te Rozafa, themelimi i fortifikimit ilir/shqiptar realizohet si një pakt i dhimbshëm ku vdekja (sakrifica PIE) mund të jetë themeluese vetëm nëse lejon që parimi i jetës (trashëgimia e Hyjneshës së vjetër) të vazhdojë të funksionojë, pavarësisht kufizimeve të reja.

Sa i përket pyetjes se a bazohet legjenda në flijim të vërtetë të një gruaje, nëse diskutimi i deritashëm nuk ka dhënë përgjigje të qartë, disa të dhëna nga praktika neolitike mund të ndihmojnë në këtë drejtim. Popullsia neolitike e kulturës së Vinçës ka praktikuar djegien e shtëpive (që dëshmohet edhe te gërmimet në Fafos, Mitrovicë) dhe para djegies ka bërë vendosjen ritualistike të figurinave të hyjneshave në një kënd të shtëpisë; dhe dihet që adhurimi i hyjnive është bërë në një kënd të veçantë të shtëpisë (Chapman, 2000; Chapman & Souvatzi, 2020). Besimet mitologjike të lidhura me këtë ritual mund të kenë mbijetuar të transformuara në mitologjinë e re të amalgamuara si flijim i hyjnisë femërore për zanafillën e rendit të ri të dominuar nga proto-indo-europianët e rinj.

Përfundime
Seb Bytyçi ndriçon proceset e shtetndërtimit shqiptar dhe evidenton rolin e sakrificës dhe ndarjes si themele të formimit të pushtetit dhe institucioneve. Analiza krahasuese me mitologjitë indoeuropiane ofron një kuptim më të thellë të lidhjes midis mitologjisë dhe politikës moderne. Në këtë kontekst, Rozafa nuk është vetëm figurë legjendare, por simbol i ndërthurjes së sakrificës personale me konsolidimin shoqëror dhe institucional.
Në përfundim, pavarësisht sfidave të metodologjisë dhe nacionalizmit në studimin e kësaj balade, legjenda e Rozafës shërben si një dëshmi komplekse e nevojës për një themel solid (moral dhe funksional). Ajo vazhdon të informojë përpjekjet për shtetndërtim, duke e bërë sakrificën dhe ndarjen një temë kyçe edhe në shoqërinë shqiptare bashkëkohore.
Bibliografia dhe pjesa e abstraktit janë hequr nga Redaksia.
Lexo edhe: