Mbyllja e çështjes gjermane krijoi kushtet për hapjen e çështjes së Kosovës dhe për ndërkombëtarizimin e saj. Në këtë kontekst, një dekadë më vonë intervenimi i NATO-s në Kosovë përfaqëson, atë që filozofi i njohur Ivan Krastev e thotë, boshtin kurrizor të rendit liberal. Nëse “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990 – 2008”, trajton këtë ndryshim paradigme, libri “Patkoi” trajton përplasjen e saj me një projekt të vjetër hegjemonist serb në Ballkan. Njëri flet për fuqinë e lirisë dhe demokracisë, tjetri për përpjekjen e dhunshme për t'i ndalur ato
Po ta thoshte dikush para më shumë se tri dekadash se rrëzimi i Murit të Berlinit do të ndikonte drejtpërdrejt në fatin e Kosovës, ndoshta do ta kishte quajtur fantazi politike. Në fund të fundit, çfarë lidhjeje mund të kishte një mur që ndante Berlinin me një vend të vogël në zemër të Ballkanit?
Por historia ka një mënyrë të çuditshme për t’i lidhur ngjarjet që në shikim të parë duken krejtësisht të palidhura. Rënia e Murit të Berlinit më 1989 nuk shënoi vetëm fundin e Luftës së Ftohtë dhe ribashkimin e Gjermanisë; ajo krijoi kushtet për një rend të ri evropian, brenda të cilit do të hapej edhe çështja e Kosovës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMbyllja e çështjes gjermane krijoi hapësirën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Një Gjermani e ribashkuar, e liruar nga kufizimet e Luftës së Ftohtë, do të shndërrohej gradualisht në një nga aktorët më të rëndësishëm të proceseve që çuan Kosovën nga represioni, lufta dhe spastrimi etnik drejt lirisë dhe pavarësisë.
Pikërisht për këtë lidhje – ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, ndërmjet lirisë dhe dhunës, ndërmjet demokracisë dhe hegjemonisë – flasin dy librat e mi: “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008” dhe “Patkoi”.
Libri i parë trajton rrugëtimin e politikës gjermane nga ribashkimi deri te mbështetja e shtetësisë së Kosovës, duke argumentuar se Kosova u bë një nga sprovat më të mëdha të politikës së jashtme gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërkaq, libri “Patkoi” trajton anën tjetër të kësaj historie: vazhdimësinë e projektit serb për spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjen për realizimin e një “zgjidhjeje përfundimtare” ndaj çështjes shqiptare në Kosovë.
Në njërën anë qëndron historia e një Evrope që po ndërtonte rendin demokratik të pas Luftës së Ftohtë; në anën tjetër qëndron historia e një regjimi që vazhdonte të mbështetej në logjikën e nacionalizmit agresiv dhe të dhunës etnike. Përplasja mes këtyre dy vizioneve e përcaktoi fatin e Kosovës në fund të shekullit XX.
Me këtë rast, shpreh mirënjohjen time për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të Ferizajt, Klubin Letrar “De Rada”, si dhe për të gjithë ata që kontribuuan në promovimin e këtyre dy veprave. Një falënderim i veçantë shkon për recensentët e librit “Patkoi”, Prof. Dr. Sadik Mehmeti dhe Prof. Dr. Haxhi Ademi, si dhe për Prof. Dr. Hajredin Kuqin për vlerësimin dhe fjalën e tij mbi librin “Roli i Politikës së Jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990–2008”.
Romancieri i njohur brazilian, Paulo Coelho, thotë se kur e dëshiron diçka me gjithë zemër, i gjithë universi bashkëpunon për realizimin e saj. Kjo ide më ka shoqëruar vazhdimisht. Unë kam luftuar për ëndrrat e mia për t’i bërë realitet. Jam rrëzuar shumë herë, por edhe jam ngritur, kam pasur pengesa, por nuk jam dorëzuar.
Fillimisht provova ta realizoja këtë ëndërr në Universitetin e Prishtinës. Nuk u bë e mundur. Nuk u dorëzova. Por vazhdova në Austri dhe në Gjermani: në Graz, në Vjenë, si dhe në Berlin, në Bremen, ndërsa në Universitetin e Leipzigut, me historianin me renome evropiane Stefan Troebst, diskutova tezën e doktoraturës mu pranë Kishës së Shën Nikollës në Leipzig, aty ku më 4 shtator 1989 nisën demonstratat paqësore të së hënës (Die Montagsdemonstrationen).
Demonstratat e së hënës ishin një pjesë e rëndësishme e Revolucionit Paqësor në Republikën Demokratike Gjermane (RDGJ) gjatë vjeshtës së vitit 1989, ato e hapën rrugën për rënien e Murit të Berlinit dhe ribashkimin e Gjermanisë.
Këto nuk ishin vetëm ngjarje gjermane. Ishin një moment që ndryshoi paradigmën e politikës evropiane dhe ndërkombëtare. Përfundoi rendi bipolar i Luftës së Ftohtë dhe filloi epoka e demokracisë liberale, i të drejtave të njeriut dhe i vetëvendosjes së popujve. Mbyllja e çështjes gjermane krijoi kushtet për hapjen e çështjes së Kosovës dhe për ndërkombëtarizimin e saj. Në këtë kontekst, një dekadë më vonë intervenimi i NATO-s në Kosovë përfaqëson, atë që filozofi i njohur, Ivan Krastev e thotë, boshtin kurrizor të rendit liberal.
Nëse libri për rolin e politikës së jashtme gjermane trajton këtë ndryshim paradigme, libri “Patkoi” trajton përplasjen e saj me një projekt të vjetër hegjemonist serb në Ballkan. Njëri flet për fuqinë e lirisë dhe demokracisë; tjetri për përpjekjen e dhunshme për t'i ndalur ato.
Libri për Gjermaninë lindi nga bindja se historia e Kosovës nuk mund të kuptohet pa analizuar rolin e politikës së jashtme gjermane gjatë viteve 1990–2008. Libri argumenton se Kosova nuk ishte vetëm një sfidë për Gjermaninë, por edhe një pikë kthese në evolucionin e vetë politikës së jashtme gjermane.
Tezat e mia kryesore që paraqes në mënyrë sintetike dhe analitike këtë libër janë: E para, rënia e Murit të Berlinit krijoi kushtet për hapjen e çështjes së Kosovës: Një nga argumentet themelore të librit është se mbyllja e çështjes gjermane me ribashkimin e Gjermanisë krijoi një realitet të ri evropian, i cili më pas hapi rrugën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Në një farë mënyre, fundi i Luftës së Ftohtë lidhi fatin e Gjermanisë me fatin e Kosovës.
E dyta, Kosova ishte katalizator i transformimit të politikës së jashtme gjermane: Lufta e Kosovës përfaqëson pikën më të rëndësishme të evolucionit të politikës së jashtme gjermane pas ribashkimit. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania mori pjesë në një operacion luftarak jashtë territorit të saj, duke braktisur kulturën tradicionale të vetëpërmbajtjes ushtarake.
E treta, Gjermania kaloi nga “fuqi civile” në aktor aktiv ndërkombëtar:
Libri argumenton se Kosova shënoi kalimin e Gjermanisë nga një politikë e fokusuar kryesisht në diplomaci dhe multilateralizëm drejt marrjes së përgjegjësive konkrete për sigurinë evropiane. Angazhimi në Kosovë shërbeu si katalizator për rritjen e rolit ndërkombëtar të Gjermanisë.
E katërta, fillimisht Gjermania nuk ishte mbështetëse e pavarësisë së Kosovës: Një tezë e rëndësishme e librit është se Berlini, ashtu si shumica e bashkësisë ndërkombëtare, për shumë vjet kërkonte një zgjidhje që shmangte pavarësinë. Mbështetja për shtetësinë e Kosovës ishte rezultat i një procesi të gjatë politik, diplomatik dhe strategjik.
E pesta, lufta e Kosovës ndryshoi debatin ndërkombëtar mbi sovranitetin dhe të drejtat e njeriut:
Kriza e Kosovës vuri përballë dy parime themelore: sovranitetin shtetëror dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Për Gjermaninë dhe Perëndimin, Kosova u bë rasti ku mbrojtja e popullsisë civile mori përparësi ndaj konceptit tradicional të mosndërhyrjes.
E gjashta, UÇK-ja dhe lufta e armatosur e sollën Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare:
Libri argumenton se rezistenca paqësore kishte arritur kufijtë e saj. Vetëm pas paraqitjes së UÇK-së dhe shpërthimit të konfliktit të armatosur, Kosova u shndërrua në prioritet të diplomacisë ndërkombëtare dhe gjermane.
E shtata, Gjermania ishte ndër arkitektet kryesore të zgjidhjes ndërkombëtare të Kosovës: Nga Plani Fischer te Rezoluta 1244, nga ndërhyrja e NATO-s deri te mbështetja e pavarësisë, Gjermania luajti rol vendimtar në procesin që çoi Kosovën nga një krizë humanitare në një shtet të pavarur. Një nga përfundimet më të rëndësishme të këtij libri është se rruga e Kosovës drejt shtetësisë nuk fillon me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008, por me vendosjen e saj nën administrimin ndërkombëtar pas luftës së vitit 1999. Në këtë proces, një rol vendimtar luajti i ashtuquajturi Plani Fischer, i hartuar nga diplomacia gjermane gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian dhe G8. Ky plan u shndërrua në bazën politike dhe diplomatike të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke krijuar kornizën për tërheqjen e forcave serbe, vendosjen e KFOR-it dhe administrimin civil ndërkombëtar të Kosovës nga UNMIK-u. Në këtë kuptim, Plani Fischer përfaqëson gjenezën e rendit të ri politik në Kosovë pas luftës, sepse ai e largoi Kosovën nga sovraniteti efektiv i Beogradit dhe e vendosi nën një regjim ndërkombëtar tranzitor, i cili më vonë do të hapte rrugën drejt procesit të përcaktimit të statusit final dhe pavarësisë së saj. Si rrallëherë në historinë moderne evropiane, një iniciativë diplomatike gjermane u shndërrua në arkitekturën politike mbi të cilën u ndërtua Kosova e pasluftës.
Nëse Rambouillet përfaqësoi përpjekjen e fundit për ta mbajtur Kosovën brenda Jugosllavisë, atëherë Plani Fischer përfaqësoi pikën e kthesës që e nxori Kosovën nga administrimi serb dhe e vendosi nën administrimin civil dhe ushtarak ndërkombëtar. Përmes këtij plani, diplomacia gjermane hodhi themelet e rendit të ri politik në Kosovë, duke krijuar kushtet që më vonë çuan në procesin e statusit final dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Libri mbështetet në tezën se rrëzimi i Murit të Berlinit nuk ndryshoi vetëm fatin e Gjermanisë, por ndikoi drejtpërdrejt edhe në fatin e Kosovës. Kosova u bë arena ku Gjermania e ribashkuar provoi rolin e saj të ri ndërkombëtar, duke kaluar nga kultura e vetëpërmbajtjes në kulturën e përgjegjësisë. Në të njëjtën kohë, libri dëshmon se pavarësia e Kosovës nuk ishte rezultat i një momenti të vetëm, por produkt i një procesi të gjatë, ku ndërthureshin rezistenca e popullit të Kosovës, ndërhyrja e NATO-s dhe mbështetja vendimtare e Gjermanisë dhe e Perëndimit.
Edhe libri tjetër Plani “Patkoi” vazhdimësi e doktrinës serbe për spastrimin etnik të Kosovës” lindi nga nevoja për të dokumentuar një periudhë kur Kosovës i kanosej zhbërja dhe kur Serbia përmes planit të koduar “Patkoi” po bënte përpjekjen e saj të fundit për të ripërsëritur politikën e spastrimit etnik që kishte zbatuar në Toplicë në fund të shekullit XIX.
Kur shikojmë kolonat e refugjatëve shqiptarë të pranverës së vitit 1999, nuk shohim vetëm pasojat e një lufte. Shohim fundin tragjik të një ideologjie që për dekada kishte predikuar se Kosova mund të bëhej serbe vetëm nëse shqiptarët largoheshin prej saj. Kjo është arsyeja pse në libër argumentoj se “Patkoi” nuk ishte vetëm plan ushtarak, por shprehje e një doktrine që synonte zhdukjen e pranisë shqiptare si faktor politik dhe demografik në Kosovë.
Nëse shekulli XIX solli dëbimin e shqiptarëve nga Toplica, nëse shekulli XX solli kolonizimin, represionin dhe aparteidin, atëherë lufta e viteve 1998–1999 përfaqësoi përpjekjen e fundit për realizimin e asaj që në terminologjinë e regjimit serb përjetohej si një “zgjidhje përfundimtare” për Kosovën. Ndërhyrja e NATO-s e ndërpreu këtë proces dhe bëri të mundur që Kosova të mos bëhej kapitulli i radhës i tragjedive që Ballkani kishte njohur gjatë shekullit XX. Pikërisht për këtë arsye, libri e trajton vitin 1999 jo si fillimin e problemit, por si kulmin e një trajektoreje historike. Ajo që ndodhi në Kosovë nuk ishte një reagim spontan ndaj rrethanave të luftës, por përpjekja e fundit e një projekti shekullor për ta zgjidhur përfundimisht “çështjen shqiptare” në Kosovë.
Në këtë kuptim, ky libër është edhe një homazh për të gjithë ata që u përballën me dhunën, dëbimin dhe politikën e shfarosjes kolektive, por që, pavarësisht gjithçkaje, mbijetuan dhe ruajtën të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e tyre.
Ndihem krenar që këtë libër ua kam kushtuar edhe dy dajave të mi, Gursel, piktor dhe Bajram (gjeolog) Sylejmani dhe dëshmorë të UÇK-së. Për mua, ata mbeten simbol i patriotizmit, i dijes, i kulturës dhe i përkushtimit ndaj atdheut. Sa herë që shoh emrin e tyre në rrugët e Ferizajt, ndiej për shumë arsye një emocion të veçantë, dhe natyrisht me dëshirë rikthehem aty për shumë arsye, sepse ata nuk përfaqësojnë vetëm historinë e familjes sime, por edhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar liria e Kosovës.
Prandaj, ky libër nuk është vetëm një studim për të kaluarën. Ai është edhe një paralajmërim për të ardhmen. Sepse, siç kam shkruar në përfundim të hyrjes së librit, çështja nuk është vetëm se çfarë ndodhi në Kosovë, por si do ta kujtojmë dhe si do ta interpretojmë atë. Relativizimi i dhunës nuk është thjesht një problem historiografik; ai rrezikon të rikthejë logjikën që e bëri të mundur atë dhunë. Dhe pikërisht për këtë arsye, kujtesa historike mbetet forma më e mirë e mbrojtjes së lirisë sonë.
Në fund, besoj se historia e Kosovës nuk është vetëm histori vuajtjesh dhe sakrificash. Ajo është edhe histori e ndryshimit të paradigmave të politikës ndërkombëtare. Kosova sfidoi konceptet klasike të sovranitetit, ndikoi në transformimin e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian dhe u bë një nga rastet më të rëndësishme të debatit mbi të drejtat e njeriut dhe përgjegjësinë ndërkombëtare, si dhe intervenimin humanitar.
Nëse këta dy libra ndihmojnë sadopak që ta kuptojmë më mirë rrugën e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë dhe sfidat që e kanë shoqëruar atë, atëherë mund të them se vite të tëra pune, kërkimi dhe përkushtimi kanë marrë kuptim.
Fjala e S. Ukshinit e mbajtur me rastin e promovimit të dy librave shkencorë: Plani “Patkoi” dhe “Roli i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Kosovës 1990 – 2008”, që u promovuan në kuadër të manifestimit “Ditët e Kulturës – Ferizaj 2026”. Promovimi u organizua nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe nga Klubi Letrar “De Rada” – Ferizaj