Këtu do t’i lija të gjitha: luginat, kodrat, shtigjet, dhe grifshat e kopshteve, do t’i lija pallonjtë dhe priftërinjtë, tokë e qiell, pranverë e vjeshtë, këtu do t’i lija rrugët dalëse, mbrëmjet në kuzhinë, vështrimin e fundit dashurues, dhe të gjitha drejtimet kah qyteti që të bëjnë të rrëqethesh: këtu do ta lija muzgun e dendur që bie mbi tokë, gravitetin, shpresën, magjepsjen, dhe paqësimin, këtu do t’i lija të dashurit dhe të afërmit, gjithçka që më ka prekur, gjithçka që më ka tronditur, gjithçka që më ka fascinuar dhe më ka lartësuar, këtu do t’i lija fisniken, dashamirësen, të këndshmen dhe djallëzisht të bukurën, këtu do ta lija filizin n’lulëzim, secilën lindje dhe ekzistencë, këtu do të lija yshtjen, enigmën, largësitë, trullosjen nga përjetësitë e pashtershme; këtu do ta lija këtë tokë dhe këta yje, sepse nuk do të merrja asgjë me vete, sepse kam parë çfarë po vjen dhe nuk më duhet asgjë prej këtu.
Jo në rrugën heraklitiane
Kujtesa është arti i të harruarit.
Nuk ka të bëjë me realitetin, realiteti s’është ai që e nxit, nuk e ka asnjë lidhje thelbësore me atë kompleksitet të pashprehshëm, të pafundmë, që është realiteti vetë, në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën masë në të cilën ne jemi të paaftë ta arrijmë pikën prej nga të mund ta rrokim sall një dromcë të këtij kompleksiteti të pashpjegueshëm dhe të pafundmë (sepse realiteti dhe të rrokurit e një dromce të tij janë e njëjta gjë); prandaj kujtuesi e përshkon të njëjtën largësi ndaj së kaluarës që do të evokohet me atë largësi që është përshkuar kur kjo e kaluar ka qenë e tashme, kësisoj duke zbuluar se lidhja me realitetin nuk ka ekzistuar kurrë, dhe kjo lidhje asnjëherë nuk është dëshiruar, pasi pa marrë parasysh të tmerrshmen ose të bukurën që evokon kujtesa, kujtuesi gjithmonë vepron duke u nisur nga esenca e pamjes që do të evokohet, esencë e cila nuk ka realitet, jo sepse niset nga gabimi, pasi nuk dështon ta rikujtojë realitetin shkaku i ndonjë gabimi, por sepse atë që është komplekse e trajton në mënyrën më të lirshme dhe më tekanjoze, duke e thjeshtuar pafundësisht kompleksen e pafundme, për të arritur te diçka relative ndaj së cilës mban një distancë të caktuar, dhe kjo e bën kujtesën të ëmbël, kjo e bën kujtesën shkëlqimplote, dhe kjo e bën kujtesën zemërcopëtuese dhe magjepsëse, ndërkohë që ti qëndron këtu, midis kompleksitetit të pafundmë dhe të pakuptueshëm, ti qëndron këtu krejt i shtangur, i pafuqishëm, i paide dhe i humbur, duke e mbajtur në dorë thjeshtësinë e pakufishme të kujtesës – shtoja, natyrisht, brishtësinë shkatërruese të melankolisë, sepse e ndjen, gjersa e mban këtë kujtesë, që realiteti i saj qëndron diku në largësinë e pazemër, të esëllt dhe të acartë.
Marrë prej përmbledhjes me tregime të shkurtra, “Megy a világ”, botuar në hungarisht në 2013, kurse në anglisht, “The World Goes On”, më 2017
Përktheu: Artan Muhaxhiri