Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Sakralocidi serb në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë – trashëgimi e humbur që s’kthehet dot

Xhamia e Landovicës, Prizren, 1997. Granatimi ia dëmtoi minaren, muret mbajtëse dhe kupolën qendrore (Foto nga ekspozita)

Xhamia e Landovicës, Prizren, 1997. Granatimi ia dëmtoi minaren, muret mbajtëse dhe kupolën qendrore (Foto nga ekspozita)

Reflektim nga perspektiva e një vizitori në ekspozitën “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”

Sadik Mehmeti

Më 18 dhjetor 2025, ditë e enjte, në Prishtinë u hap ekspozita “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”, një projekt i realizuar në bashkëpunim të ngushtë mes Bashkësisë Islame të Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës. Ekspozita u hap në ambientet e Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë dhe në praninë e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, fetare, kulturore dhe akademike të të dyja vendeve, duke theksuar rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional e ndërshtetëror.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Përtej rëndësisë së këtij bashkëpunimi, i cili vjen si me vonesë dhe i munguar ndërmjet dy institucioneve shtetërore dhe islame të Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, dhe duke kujtuar se nganjëherë iniciativat më të vogla mund të sjellin rezultate të mëdha dhe të hapin rrugë për projekte të rëndësishme edhe kur bashkëpunimi i plotë ende mungon, dua të ndaj emocionet, ndjenjat dhe vlerësimet e mia gjatë vizitës në këtë ekspozitë shumë domethënëse, e cila paraqet një dëshmi të fuqishme vizuale dhe historike të shkatërrimit sistematik e të planifikuar nga shteti serb të xhamive dhe të trashëgimisë islame në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar.

Hyrje në një histori të dhimbshme

Hyrja në ekspozitë është gjithmonë një ndjesi e veçantë, por kjo e shkatërrimit të xhamive në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90, e titulluar me të drejtë me emrin e asaj që vërtet ka ndodhur – “sakralocid i planifikuar”, ishte një përvojë thellësisht emocionale dhe reflektuese. Koleksioni i fotografive, i përzgjedhur dhe i prezantuar me kujdes nga organizatorët, të çonte drejt një udhëtimi të dhimbshëm përmes historisë së shkatërrimit të xhamive nga pushtuesi. Fotografitë flisnin më shumë se kaq; ato dëshmonin shkatërrimet e planifikuara nga ambiciet ekspansioniste të fqinjëve në dëm të popujve autoktonë të Bosnjës dhe Kosovës përgjatë dekadës së fundit të shekullit XX.

Dhe në qoftë se burimet gojore apo tekstuale mund edhe të interpretohen ndryshe – siç ndodh shpesh te popujt ballkanikë – fotografitë nuk të lënë të gënjesh, sepse ato e paraqesin dhe e dokumentojnë realitetin pa shtrembërime, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të pakontestueshme. “Fotografia”, siç thekson edhe eseistja dhe kritikja kulturore amerikane Susan Sontag, “është një mënyrë për të kapur dhe ruajtur gjurmët e kohës që nuk kthehet më.” Edhe imazhet në këtë ekspozitë ruanin momentin historik ashtu siç kishte ndodhur, duke ofruar dëshmi të vërteta dhe të pashtrembëruara për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

...ndërsa luhatesh mes tronditjes dhe hutimit, një ndjenjë shprese, megjithatë, të hyn në zemër: kjo ekspozitë është një përpjekje për të nderuar viktimat, për të vlerësuar trashëgiminë tonë, për të mësuar brezat e rinj dhe për të kujtuar se historia është një mësim i çmuar për të ardhmen

Qëllimi: Shkatërrimi i identitetit

Kur hyn në këtë ekspozitë, ndjenja që të pushton është e papërshkrueshme; zemra rrah më shpejt, kraharori ngushtohet dhe fryma mbetet pezull përballë dhimbjes së ngrirë në imazhe. Para syve shpalosen fotografi të xhamive shekullore që kanë shkuar në pakthim, të ndërtuara nga dinjitarë vendës e bamirës, ku breza të tërë i janë lutur Zotit, kanë lënë gjurmët e kujtimeve, shpresave dhe duave të tyre.

Mimberë, mihrabë e qyrsi – nga ku për shekuj imamë e vaizë u drejtoheshin zemrave të besimtarëve – sot shihen të përdhosur, të thyer, të heshtur, si zëra të ndërprerë në mes.

Minaret, që dikur ngriheshin krenare si fije drite që shtriheshin drejt qiellit, tani qëndrojnë të rrëzuara e të plandosura përtokë, duke rrëfyer në heshtje zërin e myezinëve që nuk kumbon më.

Mejtepe, medrese dhe biblioteka, dikur të mbushura me gjallëri – me myderrizë, studentë, talebe, kaligrafë e kopjues të dorëshkrimeve të shenjta – sot nuk janë; kanë mbetur vetëm si hije në kujtesë dhe si rrënoja në fotografi, dëshmi e një jete të shuar me dhunë.

Madje, as të vdekurit nuk u lanë të qetë. Edhe ata që preheshin në tyrbe e në mekame, ngritur me nderim për ta, u trazuan nga dora e agresorit, sikur edhe paqja e varrit t’u ishte mohuar.

Sahat-kullat kanë heshtur; akrepat e tyre nuk lëvizin më, sikur koha vetë të ketë ndalur përballë dhimbjes që la shkatërruesi, duke refuzuar të ecë përpara.

Shatërvanët, që dikur falnin freski, qetësi dhe reflektim, dhe çarshitë e gjalla, zemra e jetës së përditshme, sot nuk ekzistojnë më – janë tretur, janë fshirë, janë zhdukur nga një plan i ftohtë e shkatërrimtar i ushtrisë dhe forcave paramilitare të armikut.

Dhe... tragjedia shkon përtej mureve të rrënuara, përtej gurëve të shkapërderdhur, përtej allçisë dhe horasanit të kthyer në pluhur... Ajo depërton thellë në shpirtin e një populli, duke lënë plagë që nuk shërohen lehtë.

Në këtë ekspozitë shfaqen edhe imazhe që dëshmojnë për fatin tragjik të imamëve dhe prijësve fetarë, të cilët u ekzekutuan, u torturuan dhe u masakruan mizorisht – në përpjekje për të shuar zërin e tyre, për të fikur dritën e tyre shpirtërore dhe për të thyer boshtin e qëndresës së komuniteteve myslimane.

Dhe ti thua se gjithçka ka ndodhur rastësisht, pa qëllim dhe pa plan? Jo. Këto nuk ishin ngjarje sporadike apo aksidentale; ishin pjesë e një plani të qëllimshëm, sistematik dhe mirë të orkestruar nga i njëjti armik, nga shteti serb, i cili ka ndjekur në mënyrë të vazhdueshme skenarë dhe politika të shkatërrimit dhe të rrënimit të trashëgimisë e të vlerave kulturore të fqinjëve të tij, që nga viti 1877 e këndej, duke vijuar gjatë Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, periudhës ndërmjet dy luftërave, Luftës së Dytë Botërore, e deri te luftërat e fundit në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë (1992–1999).

Gjatë viteve 1992 – 1999, në Bonjë e Hercegovinë dhe në Kosovë u shkatërruan gjithsej 832 xhami – 218 në Kosovë dhe 614 në Bosnjë e Hercegovinë – pa llogaritur objektet e tjera kulturore dhe fetare, që secili në vete rrëfen dhunën e pandërprerë, sakralocidin e planifikuar dhe për njërën ndër tragjeditë më të mëdha të Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore.

Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore dhe fetare të një populli nuk është kurrë i rastësishëm. Siç thekson juristi polak Raphael Lemkin, “këto akte i paraprijnë gjithmonë gjenocidit, sepse ai nis me ‘sulmet ndaj kulturës’”. Dhe, duke e parafrazuar poetin gjerman Heinrich Heine, i cili thoshte se “Kur të fillojnë të djegin libra, së shpejti do të fillojnë të djegin edhe njerëz!”, mund të themi se ata që shkatërrojnë objektet fetare, herët a vonë, do të çojnë dorë edhe mbi njerëzit. Historia e Bosnjës e Hercegovinës dhe e Kosovës, i dëshmon katërçipërisht dhe në mënyrë të dhimbshme këto konstatime.

Mësime për të ardhmen

Xhamia e Bajrakalisë në Pejë, Xhamia e Hadum Agës në Gjakovë, Xhamia e Ibrit në Mitrovicë... në Kosovë; Xhamia e Foçës, Xhamia e Banjallukës, Ura e Mostarit... në Bosnjë, që të gjitha qindravjeçare e me vlera unikale dhe të jashtëzakonshme – përmes këtyre fotografive, flasin për dhimbjen që nuk shuhet, që nuk zbehet me kohën, që nuk hesht, por merr zë. Ato rrëfejnë, tregojnë, flasin për njerëzit e humbur, për dhunën e pakompromis mbi ta, për gratë e dhunuara, për djemtë e vrarë, për fëmijët e shuar, për plakat dhe pleqtë që u thyen nën peshën e mizorisë. Rrëfejnë për ditët e gjata pa bukë, për rrugëtimin e mundimshëm nëpër male e lugina, në shi e në borë, për dëbimet masive, për frikën dhe tmerrin që lanë gjurmë të pashlyeshme, për të vrarët e pagjetur që akoma nuk kanë një varr për t’i përkujtuar, për plagët e hapura që vazhdojnë të dhembin edhe dekada pas luftës dhe gjenocidit.

Ndërsa i sheh këto fotografi, dëgjon zërin e të gjithë këtyre njerëzve – lutjet e tyre të heshtura, vajet dhe mallkimet që mbajnë në vetvete dhimbjen e humbjes dhe të padrejtësisë, jehonë e një historie që nuk mund të harrohet.

Ndërsa e shikon këtë ekspozitë, s’ke se si të mos mendosh dhe të jesh i bindur se një vend që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe zullume një ditë do të përgjigjet për veprat e tij, ndërsa ata që kanë pësuar kaq shumë padrejtësi dhe humbje do të kujtohen dhe do të nderohen – herët a vonë – nga e ardhmja. Kështu na mëson e kaluara, kështu na mëson historia njerëzore, kështu na mësojnë feja e shpallur dhe profetët e drejtë.

Kam lexuar diku se çdo pasuri, pushtet apo autoritet që fitohet me zullum dhe padrejtësi një ditë nuk do të mbetet tek ai që e ka fituar padrejtësisht. Ato do t’i kthehen, si trashëgimi, atij që ka pësuar zullumin, qoftë ky individi, qoftë populli, qoftë edhe shteti apo pushteti.

Foto nga ekspozita “Kujtesa në fotografi – xhamitë e shkatërruara në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë gjatë viteve ’90 – sakralocid i planifikuar”

Mirëpo, ndërsa ecën mes fotografive dhe dëshmive, pashmangshëm të shfaqet një pyetje e heshtur, por e ligjshme: Si është e mundshme kjo?

Si u lejuan shkatërrime kaq të mëdha mbi ata që luten ndryshe, flasin ndryshe, që jetojnë ndryshe?

Dhe më e dhimbshmja: Si është e mundur që këto krime të relativizohen, të mohohen, duke shmangur pendesën morale dhe duke mbajtur gjallë ideologjitë që i prodhuan?

Si vizitor, si qytetar dhe mbi të gjitha si njeri, s’ke se si të mos ndihesh i prekur thellë nga dhimbja e atyre që përjetuan këto tragjedi dhe humbjet e mëdha që pësuan. Por njëkohësisht ndien edhe një nevojë për të reflektuar mbi lirinë, paqen, tolerancën, mirëkuptimin dhe përgjegjësinë tonë për të mbrojtur kulturën dhe besimet në një botë të larmishme dhe plot diversitet.

Nevoja për vazhdimësi

Dhe ndërsa luhatesh mes tronditjes dhe hutimit, një ndjenjë shprese, megjithatë, të hyn në zemër: kjo ekspozitë është një përpjekje për të nderuar viktimat, për të vlerësuar trashëgiminë tonë, për të mësuar brezat e rinj dhe për të kujtuar se historia është një mësim i çmuar për të ardhmen.

Dhe jo vetëm kaq, por kjo ekspozitë thërret fuqishëm për të qëndruar të ndershëm me historinë dhe për të ndërtuar një të ardhme ku dhuna dhe shkatërrimi i trashëgimisë sonë nuk do të përsëriten më.

Duke u larguar nga ekspozita, edhe njëherë u binda se kujtesa ka fuqi; ajo nuk lejon që harresa ta fshijë historinë.

Të tilla ekspozita prandaj duhet të hapen më shpesh, duke përfshirë edhe tema të tjera të rëndësishme historike dhe kulturore, në mënyrë që kujtesa të mbetet një mjet i gjallë për brezat e rinj, që të kuptojnë se ajo që është e jona duhet të mbrohet dhe të vlerësohet me çdo kusht.