Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Muriqi shkruan histori, golashënuesi më i mirë i Mallorcas në La Liga

Vedat Muriqi

Vedat Muriqi ka shkruar histori te Mallorca. 

Me dy golat e tij kundër Rayo Vallecano të dielën, sulmuesi i Kosovës është bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Mallorcas në La Liga. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Muriqi ka arritur në shifrën e 55 golave, duke tejkaluar 54 golat e Samuel Eto’os me fanellën e Mallorcas në La Liga.

Brenda katër minutash, “Pirati” shënoi dy gola që i dhanë ekipit të Mallorcas epërsi 2:0 në ndeshjen e rëndësishme në garën për mbijetesë.

Mallorca mposhti Rayo Vallecanon 3:0, në kuadër të javës së 31-të. Muriqi është krenar me veten që kaluar me gola një legjendë si Eto’o. 

“Që kur kam mbërritur në këtë ishull të bukur, jam ndier si në shtëpi. E kam ndier këtë dhe kur fillon këtu, vëren diçka ndryshe që nga dita e parë. Dashuria ime për ishullin dhe Mallorcën ka qenë e tillë që nga fillimi. E dija që doja të isha një legjendë për këtë ekip dhe falë tifozëve, stafit të trajnerëve dhe mbështetësve, tejkalimi i një legjende si Eto’o dhe hyrja në historinë e këtij klubi të madh më bën shumë krenar për veten time. Në këto ndeshje të mbetura, dua të shkoj sa më larg që të mundem”, tha Vedat Muriqi për LaLigan.

Goli i parë, Muriqi e shënoi në minutën e 36-të, kurse të dytin në minutën e 40-të.

Jan Virgili shënoi për 3:0 në minutën e 65-të. Ai ka komentuar edhe fitoren e madhe të Mallorcas.

“Është shumë e rëndësishme, ishte një ditë shumë interesante. Rivalët tanë luajtën të shtunën dhe papritmas e gjetëm veten në zonën e rënies nga kategoria. E dimë si luajmë dhe nëse do të bënim presion në shtëpi, mund të fitonim. Bëmë një punë shumë të mirë dhe jemi jashtë zonës së rënies nga kategoria”, theksoi Muriqi.

Tifozët e Mallorcas në kor kanë bërë thirrje që ai të shpallet fitues i “Topit të Artë”. 

“Janë të çmendur, çfarë Topi të Artë! Po përpiqem me gjithë mundin tim të shoh nëse do të dalë diçka e mirë prej saj”, komentoi Muriqi.

Muriqi ka hyrë fuqishëm edhe në garën për golashënuesin më të mirë në La Liga për edicionin aktual. 
Sulmuesi i Kosovës me 21 gola të shënuar në edicionin aktual në La Liga, është vetëm dy gola larg yllit francez të Real Madridit, Kylian Mbappes, që mban vendin e parë në renditjen e golashënuesve me 23 gola.

I pyetur nëse mund ta kaloj me gola yllin francez të Real Madridit, Muriqi tha se do të ishte e jashtëzakonshme. 

“Jam i përqendruar në rrugën time. Nëse mund ta tejkaloj atë, perfekt, do ta shohim”, tha Muriqi.
Ashtu siç pritje, Muriqi pas shkëlqimit me fanellën e Mallorcas të dielën, u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes kundër Rayo Vallecanos. 

Deri në fund të edicionit aktual kanë mbetur edhe shtatë xhiro.  Me fitore, Mallorca është ngritur në vendin e 15-të me 34 pikë.

“Jam shumë krenar për veten time, falë shokëve të ekipit, gruas sime, fëmijëve të mi dhe njerëzve të ishullit, sepse që nga dita e parë ndjeva diçka ndryshe dhe dua të jem një nga legjendat e këtij ekipi. Jam shumë krenar për veten time dhe nuk dua të ndalem këtu. Dua të vazhdoj, të siguroj jetëgjatësinë e ekipit dhe të krijoj shumë histori të tjera me këtë klub”, ka thënë Muriqi.

Për arritjen e jashtëzakonshme të Muriqit kanë shkruar të dielën edhe mediume të ndryshme evropiane, sidomos ato spanjoll dhe turke.

Gazeta spanjolle “AS” ka shkruar për shkëlqimin e Vedat Muriqit të dielën. 

“Muriqi është jashtëtokësor”, është titulli i mediumit spanjoll.

Muriqi theu rekordin e golave të kamerunasit, Samuel Eto’o me dy golat e realizuar në fitoren e Mallorcas 3:0 ndaj Rayo Vallecanos.

“Muriqi tha pas ndeshjes se ishte njeri, por kundër Rayo Vallecanos ai vërtetori se është më shumë se njeri, është jashtëtokësor”, shkruan AS.

Gazeta e afërt me klubin e Mallorcas “Ultima Hora” shkruan se “Muriqi e çon Mallorcan në një nivel tjetër”. 

Mundo Deportivo ka shkruar se si me golat e shënuar “Muriqi shkruan histori dhe nxjerr Mallorcan nga ferri”.

Kanë shkruar edhe shumë mediume tjera. Për arritjen e jashtëzakonshme të Muriqit priten të tjera shkrime në ditët në vijim.