Shtojca për Kulturë

Teatri – i pandryshueshëm përballë realitetit

“Poetika e dramës moderne” ka qenë tema e takimit me akademik Muhamedin Kullashin dhe regjisorin e dramaturgun Fadil Hysaj. E natyrshme, teatri ka ndërruar formë, por misioni i tij në raport me realitetin mbetet i njëjtë: e imiton dhe bëhet shteg që njeriu të mos gllabërohet prej tij

Në shekullin XXI, teatri mbetet ende me peshë si hapësirë unike për reflektim dhe lidhje me botën. I ka ndryshuar forma, por jo edhe misioni: përballja me realitetin për të mos u gllabëruar prej tij. Në teatër ka vend për trajtimin e çështjeve bashkëkohore, për nxitjen e dialogut dhe kontestimin e normave shoqërore. Aty imponohet kuptimi reciprok dhe ndjeshmërie e cila është në modë në këtë shekull. E roli i tillë i cili e vesh atë me detyrën e shpalljes së dialogëve dhe sfidimit të pikëpamjeve në epokën e pushtuar nga ekranet, mëvetëson aftësinë e çlirimit të emocioneve të vërteta te njerëzit.

Një përpjekje për të shtruar një diskutim mbi poetikën e dramës moderne u konkretizua në kuadër të programit të qendrës “Libart” të zhvilluar nga organizata ETEA dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë, të premten pasdite. “Poetika e dramës moderne” ka qenë temë e takimit.

Akademiku Muhamedin Kullashi dhe dramaturgu dhe regjisori, Fadil Hysaj, ofruan për të pranishmit, që kryesisht qenë studentë regjie, këndvështrimet e tyre mbi poetikën e teatrit dhe një kuptim më të thellë të peizazhit të ndryshuar të shprehjes teatrale.

Diskutimi i cili nisi i mbështetur nga tekste të shkruara pikërisht për këtë çështje, erdhi si një shtjellim që iu bë punës së Jean-Pierre Sarrazac, dramaturgut dhe kritikut të teatrit nga Franca. Sarrazac përveç shkrimeve mbi poetikën e teatrit modern, gjithashtu ka udhëhequr grupin për kërkime mbi poetikën e dramës moderne dhe bashkëkohore në Universitetin Paris III. Përmes leximit që i bëri Kullashi punës së Sarrazac u kuptua se vepra e tij eksploron format dramatike, gjuhën dhe temat, duke ofruar njohuri në evoluimin e shprehjes teatrale në epokën moderne. Vërehet dhe theksi që i vihet rëndësisë së shqyrtimit se si dramaturgët e kohës së sotme angazhohen dhe sfidojnë natyrën komplekse të dramës moderne, duke adresuar tendencat eksperimentale, diversitetin tematik, dhe ndërveprimin dinamik midis formës dhe përmbajtjes.

“Në punën e Sarrazacit, përveç çështjes së poetikës për dramën, ai hap shqyrtimin e vet me një formulë që e quan dramën si formë e hapur, ndonëse e di se kjo formulë është e përdorur shpesh nga ata autorë që kanë dashur ta afirmojnë gjallërinë e formës dramatike dhe aftësitë e saj të transformimit. Natyrisht, ai e sheh të udhës të theksojë që në fillim, se nuk mendon ta ndajë tekstin e teatrit siç veprojnë nostalgjikët, nga ajo që e quajmë të ndodhurit skenik, me këtë rast, ai përkujton shprehjen e Pirandellos, se drama është pjesë që duhet të bëhet, me të cilën ai dëshiron të ritheksojë se drama mund të ndodhë vetëm në skenë”, ka thënë akademik Kullashi, duke e konkretizuar punën e Sarrazacit në analizën e tij për dramën.

Dialogu u zgjerua përtej diskutimeve teorike, duke përfshirë aspekte praktike. Ata ndanë anekdota nga proceset e tyre kreative, duke ofruar audiencës një shikim në sfidat dhe sukseset e një shfaqjeje teatrale.

Në diskutim u inkuadrua dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj, i cili me përvojën e tij të pasur, ilustroi tendencat e dramës bashkëkohore duke nisur me një tentim për ta zbërthyer në mënyrë shkencore e artistike se drama kurdo që është shkruar, sipas tij, ajo ndodh pikërisht në atë moment kur shfaqet. Këtë e shpjegoi dhe me shembull konkret rreth një shfaqjeje për të cilën ai kishte punuar disa vjet më herët.

“Kam pasur një përvojë të tillë me inskenimin e veprës ‘Skënderbeu’ të Thomas Whincop në Teatrin Kombëtar. Autori, figurës së Skënderbeut i bën një trajtim gati mitomaniak dhe ballafaqimi im i parë me tekstin, ishte se asgjë nga kjo figurë dhe kjo qasje që ai i kishte dhënë nuk ekzistonte më. Kam menduar shumë dhe e kam kërkuar se ku është ky hero sot, por figurën e tij s’mundem me e gjetë as në aktorin që i përngjan atij, por as në ndonjë prototip të tillë të ndonjë politikani, për shembull. As si mit e as si realitet nuk ekziston më”, ka thënë Hysaj, profesor universitar. Në këtë shfaqje, ai do të shkruante procesin se çfarë ndodh midis regjisorit dhe aktoreve, konfliktet, traumat.

“Shfaqja gjati tri orë e gjysmë dhe në njëfarë mënyre paraqitet dhe si dialog me kohën, dhe pikërisht në këtë dramë arrihen të krijohen dy pozicione të aktorit: ai arketipi heroik të cilin e kemi dhe njeriu normal i cili i kthehet normalitetit pas rolit. E publikun i ka tronditur pikërisht kjo pjesa kur kuptohet se si ne kemi arritur me një figurë të tillë”, ka shtuar Hysaj duke folur për shfaqjen “Skënderbeu – ose dashuri për liri”, e cila me premierën e dhjetorit të vitit 2018, riktheu në një tjetër version tekstin e dramaturgut anglez, Thomas Whincop, shkruar më 1747.

Në këtë diskutim u prek gjithashtu dhe roli i shekullit XX në rrënimin e disa praktikave pararendëse në dramaturgji dhe hapjes karshi formave të reja, duke e konsideruar teatrin si një vend ku pasqyrohet dhe bëhet ballafaqimi me realitetin e teatrit tjetër që ndodh paralelisht: atij jashtë godinës së teatrit.

“Triniteti: Fillimi, mesi, dhe fundi, në dramën bashkëkohore rrënohet krejtësisht, sepse kur fillon shekulli XX, sjell një realitet i cili e zhduk heroin si protagonist, ne ballafaqohemi me secilin rol, secili nga ta ka ngjarjen e vet. Është një kaos total, sepse realiteti në të cilin jeton nuk ka autostrada, nuk ka rrugë të cilat çojnë deri në një synim përfundimtar”, ka thënë Hysaj. Për këtë, sipas tij, tregimi i kohëve të sotme është një formacion i tillë i përbërë nga fragmentet.

“Ato janë të shkapërderdhura dhe dikush përmes kësaj shkapërderdhjeje arrin të bëjë diçka dhe arrin të krijojë një unitet të ri që quhet uniteti i idesë. Dhe nga kjo vijmë te një periudhë ku teatri bëhet një vend i manifesteve, ku secili mund të thotë çka do dhe mund të përdorë gjithçka që atij i shkon ndërmend dhe nëse ato elemente i hyjnë në punë për të shprehur idenë e tij”, ka thënë Hysaj.

Hapësirë iu dha dhe debatit mbi rolin e teatrit në shoqëri, e cila përkundër stilistikës, nuk ka ndryshuar, vazhdon të qëndrojë po i njëjti – relevant.

“Formula aristoteliane për teatrin është ende prezente. Teatri e imiton realitetin jetësor dhe na mundëson me u përballë me të për me e ruajt shëndetin tonë mendor dhe moral. Ky është misioni i teatrit: të na përballë me realitetin për të mos qenë i gllabëruar nga realiteti. Sikur në shoqëritë e mëhershme të cilat kanë shkuar nëpër faltore për të ardhmen, në teatër kanë shkuar për të mësuar diçka për të tashmen”, ka shtuar dramaturgu Hysaj, duke thënë se teatri bashkëkohor, përfshirë dhe atë të Kosovës, si më i miri në Ballkan, ka arritur të konsolidohet duke përballuar me sukses sfidat e globalizimit.