“Rrethet perëndimore të Vilajetit të Manastirit dhe një pjesë e madhe e Kosovës janë të banuara nga një racë më e ashpër se çdo tjetër, që mund të gjendet në Evropë – nga shqiptarët. Shumë qarqe evropiane dhe ndërkombëtare janë pak në dijeni për këtë popull të çuditshëm dhe interesant. Edhe pse shqiptarët e flasin një gjuhë indoevropiane, megjithatë ata nuk i përkasin asnjërit prej grupeve të njohura të familjes ariane. Është e mundshme që ata të vijnë nga ilirët e lashtë, të cilët u drejtuan drejt perëndimit nga valët e avancuara të sllavëve... Qeveria turke i ka mbajtur qëllimisht shqiptarët në një gjendje barbarie dhe injorance, duke i përdorur ata si mjet në nënshtrimin e popujve fqinjë”, ka shkruar Luigi Villari në vjeshtën e vitit 1912 në “The Nacional Geographic Magazine” në reportazhin me titull: “Racat dhe fetë e Maqedonisë”. Kjo është pjesa e dytë e këtij reportazhi. Titulli dhe mestitujt janë të Redaksisë
Luigi Villari
Bullgarët e Maqedonisë janë të sinqertë dhe praktikë
Bullgarët në shumë mënyra janë një popull kurioz dhe i ndryshëm nga të gjitha racat e tjera ballkanike. Ata janë shumë të zellshëm, shumë energjikë dhe me fuqi të mëdha të qëndrueshmërisë. Bullgarët nuk janë të shkëlqyeshëm, sigurisht më pak të zgjuar se grekët ose vllahët, dhe nuk janë të talentuar me një instinkt të mprehtë tregtar. Por, si fermerë dhe fshatarë, bullgarët janë të admirueshëm dhe mund të hasen në të gjithë Gadishullin Ballkanik, nga Bukureshti në Athinë dhe nga Konstandinopoja në Beograd, të punësuar në të gjitha llojet e punëve. Bullgarët akoma nuk janë shumë të civilizuar, por ata kanë treguar se në kushte të favorshme janë të aftë të mahnitin progresin. Janë të heshtur, të pahapur në komunikim, bile disa njerëz mund të thonë se bullgarët janë të mërzitshëm, por megjithatë ata e kanë një virtyt të rrallë, fatkeqësisht në mesin e njerëzve të Evropës Juglindore – janë të sinqertë. Ata e vlerësojnë vlerën e arsimit, por janë plotësisht praktikë, nuk flasin për paraardhësit e tyre të lavdishëm, si grekët ose serbët, por janë të përqendruar më tepër në të tashmen dhe të ardhmen. Të mos harrojmë se në Maqedoni nuk është gjithmonë e lehtë t’i dallosh bullgarët nga serbët, pasi të dy racat shpesh përzihen në të njëjtat rrethe dhe gjuhët e tyre, megjithëse të ndryshme në Serbi dhe Bullgari, bëhen më pak të dallueshme në Maqedoni.
Rumunët apo vllahët
Kuco-vllahët dhe rumunët e Maqedonisë e paraqesin një problem interesant etnografik dhe gjuhësor. Ata zakonisht pranohen të jenë pasardhës të trakëve aborigjenë, të cilët u bashkuan me kolonët latinë dhe e përvetësuan gjuhën dhe civilizimin e tyre dhe i ruajtën karakteristikat e tyre kombëtare duke u tërhequr në malet e Maqedonisë. Ndikimi latin mbijetoi, gjithashtu, në rajonin në veri të Danubit, ku u formuan koloni të mëdha ushtarake. Ekziston një ngjashmëri e madhe midis gjuhës së vllahëve të maqedonasve dhe asaj të banorëve të Rumanisë, megjithëse nuk ka lidhje politike, dhe jo shumë racore, midis të dyve dhe ato ndahen nga njëra-tjetra me një brez të gjerë thjesht nga vendi sllav. Vllahët e Maqedonisë janë shumë të shpërndarë, vendbanimet e tyre kryesore janë nën zonën e Pindit, në disa lagje të Monastirit, Metevës, Korçës, Krushevës, Vodenës, etj.
Në dimër kuco–vllahët zbresin deri në Gjirin e Korinthit, Vlorës dhe Durrësit, ku shprehja vllah është sinonim i bariut. Janë një popull jashtëzakonisht inteligjent, me pamje të hollë, me aftësi të konsiderueshme biznesi. Qytetet dhe fshatrat e tyre, të cilat zakonisht gjenden në majën e kodrave, janë ndërtuar më fort se të çdo race tjetër ballkanike. Krusheva, e cila vuajti kaq rëndë gjatë një ngritjeje të fundit, është një rast i dukshëm.
Por, përkundër dashurisë së tyre për shtëpitë e ndërtuara me gurë, vllahët i kanë të ngulitura fort zakone nomade, dhe në kohën e verës qytetet e tyre në pjesën më të madhe braktisen nga të gjithë meshkujt me trup të aftë, të cilët enden në vend si shëtitës, tregtarë ose kiraxhinjë (tregtarët dhe qiradhënësit e kuajve). Shumë prej tyre janë njerëz me përmbajtje dhe kanë lidhje biznesi me të gjitha qendrat e rëndësishme të Ballkanit dhe Austro-Hungarisë. Sa i përket numrit, si zakonisht statistikat ndryshojnë, shumë dukshëm. Sipas disa autoriteteve, kuco- vllahët nuk janë më shumë se 50.000; ndërsa patriotët rumunë i pohojnë se janë të paktën gjysmë milioni, por ndoshta ato arrijnë në rreth 100.000. Politikisht rëndësia e tyre është shumë e vogël. Kuco-vllahët zakonisht kanë mbajtur marrëdhënie të mira me turqit, të cilët, deri në ngritjen e fundit, i trajtonin kuco–vllahët më mirë sesa nënshtetasit e tjerë të krishterë. Përveç tjerash kuco-vllahët marrin pjesë në tregtinë e tyre, ndërsa në lëvizjet politike janë më pak aktivë. Për një kohë të gjatë ata nuk dalloheshin prej grekëve, gjuhën e të cilëve e flisnin sikurse gjuhën e tyre, prandaj në statistikat e tyre të Maqedonisë, partia greke ende i përfshin ata si grekë!

Shqiptarët e ashpër dhe si të fitohet besnikëria e tyre
Rrethet perëndimore të Vilajetit të Manastirit dhe një pjesë e madhe e Kosovës janë të banuara nga një racë më e ashpër se çdo tjetër që mund të gjendet në Evropë – nga shqiptarët. Shumë qarqe evropiane dhe ndërkombëtare janë pak në dijeni për këtë popull të çuditshëm dhe interesant. Edhe pse shqiptarët e flasin një gjuhë indoevropiane, megjithatë ata nuk i përkasin asnjërit prej grupeve të njohura të familjes ariane. Është e mundshme që ata të vijnë nga ilirët e lashtë, të cilët u drejtuan drejt perëndimit nga valët e avancuara të sllavëve... Qeveria turke i ka mbajtur qëllimisht shqiptarët në një gjendje barbarie dhe injorance, duke i përdorur ata si mjet në nënshtrimin e popujve fqinjë. Nga feja, shqiptarët janë të ndarë në myslimanë të cilët formojnë dy të tretat e numrit të përgjithshëm të tyre – në të krishterët ortodoksë dhe katolikë romakë. Por feja ulet lehtë mbi supet e shqiptarëve, dhe ata nuk janë aspak fanatikë. Në çdo fis, përveç Mirditës, të cilët janë të gjithë katolikë, madje edhe në shumë familje shqiptare ka të përzierë myslimanë dhe të krishterë, dhe megjithëse vazhdimisht luftojnë mes tyre (gjakmarrja), megjithatë duhet të themi se feja nuk është pasojë e grindjes së tyre aktuale.
Shqiptarët kanë vetëm pak bujqësi, kurrfarë tregtie ose industrie, dhe me të vërtetë ata kanë pak profesione, përveç atij të luftëtarëve. Turqit i kanë përdorur shqiptarët në Evropë, në të njëjtën mënyrë ashtu siç i kanë përdorur kurdët në Azi, duke iu dhënë atyre licencë të plaçkitjes dhe autonomi praktike, në këmbim të besnikërisë ndaj Sulltanit dhe persekutimit të racave të tjera. Shqiptarët, gjithashtu e japin një argument të dobishëm kundër reformave në Maqedoni, sepse kur fuqitë kërkojnë që Sulltani të përmbushë premtimet e tij, atëherë pason një kryengritje kërcënuese e shqiptarëve... Me gjithë ashpërsinë e tyre shqiptarët kanë shumë cilësi të mira. Ata janë të guximshëm, mikpritës dhe nëse keni sukses të fitoni besimin e tyre dhe t’i bashkëngjitni atyre me personalitetin tuaj, atëherë shqiptarët janë absolutisht të besueshëm. Ambasadat dhe konsullatat e huaja në Turqi preferojnë të punësojnë shqiptarë si gavazë për shkak të besueshmërisë së tyre...
Midis shqiptarëve katolikë të veriut, si Austria ashtu edhe Italia kanë bërë diçka në rrugën e arsimimit. Këtu françeskanët dhe jezuitët kanë hapur shkolla në qytete të ndryshme dhe qeveria italiane mban kolegje në Scutari (Shkodër) dhe diku tjetër. Për shqiptarët ortodoksë shoqëria greke ka krijuar disa shkolla. Por, për shqiptarët myslimanë nuk është bërë asgjë, kështu qeveria turke nuk do t'i lejojë ata të mësojnë në gjuhën shqipe dhe ajo madje këmbëngul që të refuzojë njohjen e ekzistencës së tyre, megjithëse shumica e tyre nuk flasin gjuhë tjetër por shqipes amtare.
Hebrenjtë e Maqedonisë kurrë nuk janë persekutuar nga pushteti turk
Në Selanik dhe në disa qytete të tjera të Maqedonisë, ka vendbanime të mëdha të hebrenjve. Ashtu si pothuajse të gjithë hebrenjtë në Turqi, ata u përkasin atyre që janë dëbuar nga Spanja e Ferdinandit dhe Isabellës, dhe deri në ditët e sotme pothuajse të gjithë hebrenjtë e flasin një dialekt spanjoll, por njëkohësisht ata dinë edhe shumë gjuhë të tjera. Në Selanik, hebrenjtë e përbëjnë shumicën e popullsisë. Profesionet e tyre të preferuara janë, sigurisht, bankat dhe tregtia, por ata që janë ndër më të varfrit janë varkatarë, portierë, shërbëtorë, shitës të dyqaneve ambulantë... Hebrenjtë janë raca e vetme që turku nuk i ka persekutuar kurrë, prandaj ata janë subjekte besnike të Madhërisë së tij Perandorake. Hebrenjtë e dinë plotësisht se si të bëjnë një “gjë të mirë” për qeverinë turke dhe në këmbim të asaj të mire thuajse e gëzojnë mirëqenien që e kanë dhe ajo e mirë e hebrenjve është mbështetja kryesore financiare për perandorinë. Hebrenjtë janë punëtorë, njerëz të ndershëm dhe inteligjentë. Një pjesë e madhe e hebrenjve njëkohësisht janë subjekte ose mbrojtës të fuqive të ndryshme të huaja.
Përgatiti: Skënder Latifi
Lexo edhe: