“Mjerisht, tmerri a horrori nuk kërcënon më. Është i pranishëm në jetën e qindra-mijëra njerëzve të Kosovës, jeta e të cilëve është ndërprerë dhunshëm. Deri tani, Reçaku është shtuar në listën e krimeve kundër njerëzimit të kryer në ish-Jugosllavi”, kishte thënë sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, gjatë fjalimit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel, më 28 janar 1999
Çështja e zhvillimeve në Kosovë pas masakrës së Reçakut, si dhe nevoja e avancimit të marrëdhënieve dhe shkëmbimit të pikëpamjeve në midis OKB-së dhe NATO-s ishte në qendër të takimit dhe fjalimit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Annan, gjatë fjalimit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel, më 28 janar 1999. Ai nënvizoi sfidat, me të cilat përballej bota në prag të shekullit 21, sidomos pasojat që kishin krijuar luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi, duke shtuar se nevoja e përdorimit të forcës paraqitet si alternativë, kur të gjitha mjetet kanë dështuar. Në këtë mënyrë, Annani paralajmëroi edhe një herë se mund të arrihej në atë kufi, edhe një herë, në ish-Jugosllavi, nëse situata në Kosovë do të shkonte drejt përshkallëzimit të mëtutjeshëm.
“Kur iu drejtova Konferencës së NATO-s në Romë, në qershorin e kaluar (1998), shpreha shpresën se kishim filluar t’i nxirrnim mësimet e duhura nga përvoja jonë në luftën e Bosnjë-Hercegovinës për faktorët e tillë kritikë, si besueshmëria, legjitimiteti dhe morali i ndërhyrjes dhe mosndërhyrjes. Por, unë shtova se ka vetëm një mënyrë, në të cilën mund të vërtetojmë se e kemi bërë këtë, duke zbatuar ato mësime praktikisht dhe prerazi ku tmerri kërcënon. Mjerisht, tmerri a horrori nuk kërcënon më. Është i pranishëm në jetën e qindra-mijëra njerëzve të Kosovës, jeta e të cilëve është ndërprerë dhunshëm. Deri tani, Reçaku është shtuar në listën e krimeve kundër njerëzimit të kryer në ish-Jugosllavi”, theksoi ndër të tjera Annani.
Më tej, në fjalimin e tij, sekretari i atëhershëm i OKB-së kërkoi nga vendet anëtare të NATO-s, të cilat asokohe ishin të angazhuara në konsultime intensive – në Grupin e Kontaktit dhe gjetkë – për të rivendosur marrëveshjen e brishtë që ndaloi vrasjet herën e fundit dhe për të sjellë palët në tryezën e bisedimeve, që duke pasur në konsideratë mësimet e së kaluarës, të shmangej një Bosnjë e dytë. Sipas Kofi Annanit, një gjë e tillë nënkuptonte aftësi veprimi, sidomos nga shtetet me aftësi për të vepruar, me qëllim të krijimit të një arkitekture të re të politikave parandaluese, proaktive për paqen – e krijuar jo për luftërat e së kaluarës, por për ato të së ardhmes.
Gjithashtu, në këndvështrimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së nënkuptonte respekt të plotë dhe të pakushtëzuar të të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve në Kosovë; pranimi i plotë dhe i pakushtëzuar i negociatave paqësore, si mënyra e vetme për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë dhe respekt të plotë dhe të pakushtëzuar për autoritetin e Gjykatës së Kombeve të Bashkuara për Krimet e Luftës në të gjithë territorin e ish-Jugosllavisë. Natyrisht, këto zhvillime nuk shiheshin të shkëputura nga konteksti i zgjidhjes së statusit të Kosovës, i cili parashihej të zgjidhej përmes një forme të kompromisit ndërmjet palës shqiptare të Kosovës dhe autoriteteve të Beogradit dhe që në fazën fillestare përjashtonte opsionin e pavarësisë.
“Në fund të fundit, megjithatë, do të thotë t’i ofrohet popullit të Kosovës një shkallë e autonomisë, që është në përputhje me nevojën e tyre për të jetuar jetë pa terror dhe dhunë”, theksoi Annani, duke shprehur interesin jetik për Kombet e Bashkuara për vazhdimin e traditës së gjatë të bashkëpunimit dhe koordinimit midis NATO-s dhe OKB-së në çështjet e luftës dhe të paqes.
Përpjekjet e Beogradit për manipulimin e provave
Pavarësisht nga thirrjet e organizatave ndërkombëtare dhe vendeve kryesore të angazhuara rreth Kosovës, sidomos atyre të Grupit të Kontaktit, Beogradi ndërmori të gjitha veprimet për ta penguar hyrjen në Kosovë të kryeprokurores se Hagës, Louise Arbour, me qëllim të krijohen paqartësi dhe spekulime rreth së vërtetës së masakrës së Reçakut. Një masë që zëvendëskryeministri serb Nikola Shainoviq e përkrahte ishte që të mbyllej kufiri kosovar me Maqedoninë, për të pamundësuar Louise Arbour, hetuese kryesore e krimeve të luftës e KB-së, të hynte në Kosovë. Në tjetër veprim ishte kërkesa që trupat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë të marrin nën kontroll vendin e vrasjes së civilëve shqiptarë dhe t’i marrin prapa trupat e pajetë. Për këtë arsye, më 17 janar, forcat serbe, për të dytën herë me radhë, kishin sulmuar fshatin Reçak. Në ditët në vijim, ato morën trupat nga xhamia e fshatit dhe i transferuan në morgun e spitalit të Prishtinës.
Në shpjegimin e masakrës së Reçakut, autoritetet serbe, ashtu si në rastin e masakrave në Kroaci dhe Bosnjë, insistonin se policia po i luftonte “terroristët” shqiptarë, të cilët kishin vrarë një oficer policie pesë ditë para masakrës. Udhëheqësit serbë e kishin cilësuar Walkerin si përkrahës dhe mbrojtës të luftëtarëve guerilë shqiptarë të UÇK-së. Fshehja e masakrës nga autoritetet serbe bëhej edhe për shkakun se asokohe ishte në fuqi “urdhri aktivizues” i NATO-s, sipas të cilit Aleanca do të mund ta përdorte forcën në moment kundër Serbisë. Në përpjekjet për manipulimin e së vërtetës, mjetet serbe të informimit u dhanë hapësirë raporteve fillestare të patologut serb, Sasha Dobriçanin, i cili në linjën e politikës zyrtare kishte deklaruar se te asnjë nga 40 kufomat e tërhequra “nuk ka shenja ekzekutimi”.
Po ashtu, pas protestave ndërkombëtare, zyrtarët e lartë të Qeverisë serbe u kujdesën për fshehjen e masakrës së Reçakut, meqenëse numri i civilëve të vrarë në sulm ishte i madh. Përballë dënimit ndërkombëtar, bazuar në detajet e bisedave telefonike të përgjuara nga vendet perëndimore, zëvendëskryeministri serb dhe gjenerali, i cili ishte komandant i forcave të sigurimit serb në Kosovë, u munduan në mënyrë sistematike të fshehin atë çfarë kishte ndodhur në Reçak. Burimet perëndimore zbuluan më pas se bisedat telefonike midis zyrtarëve të lartë serbë rreth vrasjeve në Reçak treguan se Beogradi zyrtar kërkoi në mënyrë eksplicite të sajonin një shpjegim për vrasjet që do të largonin fajin nga forcat serbe të sigurisë.
Bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve serbë
Sipas gazetës “Washington Post”, bisedat mes zyrtarëve të lartë serbë dëshmojnë se sulmi në Reçak ka qenë i monitoruar nga afër prej instancave më të larta të Qeverisë serbe dhe, në të njëjtën kohë, i kontrolluar nga një ushtarak i lartë serb në Kosovë. Në serinë e bisedave telefonike, të zëvendëskryeministrit serb, N. Shainoviq, dhe ministrit të Brendshëm serb, S. Lukiq, shprehet brengosje sa u përket reagimeve ndërkombëtare mbi sulmin e kryer. Ata diskutojnë se si t’i bëjnë këto vrasje që të duken si pasojë e luftimeve në mes të trupave qeveritare dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Siç raportonte aso kohe “Washington Post”, qëllimi ishte të sfidohen (kundërshtohen) pohimet nga të mbijetuarit, të cilët më vonë u mbështetën nga vëzhguesit ndërkombëtarë, se viktimat janë vrarë në një masakër të tipit të ekzekutimit dhe të kundërshtojnë hapur reagimin ushtarak të NATO-s. Për më tepër, vetë Millosheviqi deklaroi se prokurorja Arbour nuk kishte juridiksion në Jugosllavi dhe se “inspektimet” ishin të turpshme. Millosheviqi, ngjashëm siç bëjnë sot Vuçiqi dhe zyrtarë të tjerë të lartë serbë në Beograd dhe gjetiu, mohoi plotësisht Reçakun, teksa paraqiti versionin e vet të asaj që kishte ndodhur. Ai pretendonte se vetë UÇK-ja i kishte qëlluar në kokë luftëtarët e saj, pasi kishin vdekur, duke i vënë më pas në istikame. Gjenerali Wesly Clark, në dëshminë e tij para gjykatësve të Tribunalit të Hagës, kishte dëshmuar se Millosheviqi, pos që refuzoi të lejonte që në Kosovë të vinte kryeprokurorja e atëhershme e Tribunalit të Hagës, Louise Arbour, ai kishte pohuar se nuk kishte ndodhur masakër në Reçak.
“Kush dëshiron që të harrohet gjenocidi, ai dëshiron që gjenocidi të përsëritet”
Përpjekja e vazhdueshme e zyrtarëve në Serbi edhe dy dekada më vonë për ta prezantuar masakrën e Reçakut si një ngjarje të trilluar, bëhet për shkak se disa zyrtarë aktualë në Beograd ishin të përfshirë në krime kundër popullatës civile në Kosovë, në vitet 1998/1999. Për më tepër, planifikuesve dhe kryerësve të krimeve të bëra nga viti 1991 deri në vitin 1999 në hapësirat e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë edhe krimin e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve të Kosovë në vitet 1998/1999, janë përpjekur që të mohohen, heshtën dhe minimizohen krimet, e veçmas u ka interesuar që të krijohet një simetri artificiale, duke pohuar në kor se të gjithë popujt që kanë luftuar në hapësirat e ish-Jugosllavinë kanë bërë krime. Qëllimi i Beogradit është që t’i fshijë gjurmët e kujtesës mbi krimet dhe viktimat e këtyre krimeve që të mund të ndërtohet një narracion i ri. Porsa mori fund lufta dhe përndjekja e shqiptarëve të Kosovës, menjëherë filloi vrasja e kujtesës mbi këto krime. Në këtë mënyrë Beogradi i shpalli luftë kujtesës dhe shpeshherë krimet e bëra i interpretoi si heroizëm kombëtar. Mohimi i krimeve, duke përfshirë edhe masakrën e Reçakut, tregon qartë se në Beograd akoma ka mbetur e padënuar doktrina antishqiptare. “Kush dëshiron që të harrohet gjenocidi, ai dëshiron që gjenocidi të përsëritet”, shkruan në derën e hyrjes së ish-kampit të përqendrimit, Dahau.
Ekspertiza e patologëve finlandezë
Hyrja e një ekipi mjekësh ligjorë finlandezë, të drejtuar nga Helena Ranta, që vepronte në terren që nga vera e 1988-s, për hetimin e rrethanave të ngjarjes në Reçak, ndodhi me një vonesë prej shtatë ditësh, ndërkohë që autoritetet serbe i kishin marrë 40 prej 4 kufomave tri ditë pas gjetes së tyre dhe i kishin çuar në morgun e spitalit të Prishtinës, ku ato ishin ekzaminuar (manipuluar) prej ekipit ligjor serb dhe atij bjellorus. Edhe pse 45 persona thuhet se u vranë në Raçak, ekipit finlandez iu dha mundësia e aksesit në vetëm 40 trupa.
Në janar 1999, një ekip ekspertësh finlandezë të mjekësisë ligjore, nën mandatin e Bashkimit Evropian (Ekipi i ekspertëve të mjekësisë ligjore të BE-së, EU-FET), zhvilloi hetime mjeko-ligjore. Ekipi shërbeu si një pjesëmarrës neutral në hetimin mjeko-ligjor të viktimave të një incidenti në Reçak, i cili po merrte vëmendje të konsiderueshme ndërkombëtare.
Por, ekipi finlandez nuk pati mundësi t’i ekzaminonte kufomat drejtpërdrejt në vendin e ngjarjes, gjë që ua bëri të pamundur një hetim gjithëpërfshirës dhe të plotë, me anë të të cilit do të mund të qartësoheshin shkaqet e vdekjes. Gjithashtu, ekspertët finlandezë nuk mund të rindërtonin se ç’kishte ndodhur gjatë atyre shtatë ditëve me kufomat e civilëve shqiptarë.
Vetëm më 17 mars u bë e mundur të botohej i pari prej tre raporteve, i cili mundi t’u jepte përgjigje disa hollësive të rëndësishme që kishin mbetur të hapura.
“Shumica e viktimave kishin të veshura xhaketa të rënda dhe bluza. Në xhepa nuk u gjetën municione. Veshjet nuk kishin asnjë shenjë dalluese të ndonjë njësie ushtarake. Në bazë të të dhënave të autopsisë dhe fotografive të skenave, nuk ka gjasa që veshjet të jenë ndërruar ose hequr. Ndërmjet viktimave, të cilave u është bërë autopsia, kishte disa pleq dhe një grua. Nuk kishte shenja që të tregonin se këta njerëz nuk ishin civilë të paarmatosur”, shkruhet në raportin e ekipit mjeko-ligjor finlandez.
Në raportin e pavarur mjeko-ligjor për vrasjet e 45 shqiptarëve etnikë në fshatin Raçak të Kosovës në janar të 1999-s arriti në përfundimin se viktimat ishin civilë të paarmatosur të ekzekutuar në një masakër të organizuar, disa prej tyre të detyruar të gjunjëzoheshin para se të qëlloheshin me plumba. Ekipi zbuloi se këndi i plagëve të plumbave në trupat e viktimave ishte në përputhje me një skenar në të cilin disa prej tyre u detyruan të gjunjëzoheshin përpara se të qëlloheshin me armë zjarri nga armët automatike. Plagët në trupat e disa viktimave të tjera me sa duket konfirmojnë se ata janë qëlluar duke ikur.
Gjetjet e ekipit konfirmonin pohimet e disa zyrtarëve perëndimorë, përfshirë Walker, se trupat ishin gjymtuar qëllimisht nga trupat qeveritare serbe.
Vetëm pas vendosjes së Kosovës nën protektoratin ndërkombëtar civil dhe ushtarak, në nëntor 1999, ekipi i patologëve finlandezë, nën drejtimin e Helena Rantes, ishte në gjendje të kryente hetime të tjera për masakrën e Reçakut. Dhe në vitin vijues, ekipi finlandez dorëzoi një raport përfundimtar, në të cilin theksohet qartë se “vendndodhja e viktimave, e regjistruar nga OSBE-ja më 16 janar 1999, dhe vendi i gjetjes së plumbave përputhen”. Përfundimi që në Reçak kishte ndodhur masakër ndaj civilëve shqiptarë ishte i pakontestueshëm dhe se hetimi me asgjë nuk hodhi poshtë versionin e dhënë nga OSBE-ja. U konfirmua se të vdekurit, me siguri, kishin qenë viktima të një sulmi brutal të sigurisë serbe dhe jo pjesëtarë të UÇK-së, siç pretendonte Beogradi “për të krijuar pamjen e një fushëbeteje ushtarake”. Hetimi i ekipit mjeko-ligjor, bazuar në ekzaminimin e provave në vend dhe autopsitë e kryera së bashku me patologët e qeverisë jugosllave, përcaktoi se 22 nga viktimat u vranë në një gropë në periferi të Reçakut, pikërisht aty ku u gjetën trupat e tyre në mëngjesin e 16 janarit. Gryka është aq e ngushtë sa që këto viktima mund të ishin qëlluar vetëm qëllimisht nga një distancë e afërt, thuhej në raport.
Rëndësia politike dhe përshtatshmëria e projektit të ndërmarrë nga EU-FET në Kosova mbetej për t’u parë. ICTY mori, nëpërmjet BE-së, objektivin dhe materiale të mirëdokumentuara. Ky lloj materiali është i dobishëm kur kombinohet me dëshminë personale të dëshmitarët që kanë parë ose ndoshta kanë qenë pjesë e kësaj ngjarjeje gjithashtu. Provat mjekoligjore ofrojnë vërtetim të qartë të asaj që përndryshe mund të dyshohej.
Zyrtarët në Beograd, të vetëdijshëm për ndikimin e mundshëm që raporti mjeko-ligjor mund të kishte në qëndrimin e opinionit ndërkombëtar në lidhje me sjelljen e ushtrisë dhe forcave të saj paraushtarake, morën një fushatë të vazhdueshme propagandistike për të hedhur poshtë konkluzionet e ekipit mjeko-ligjor finlandeze.
Sidoqoftë, ky hetim i ekipit mjeko-ligjor finlandez u bë baza për vlerësimin e përgjithshëm nga ana e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) për akuzën kundër Millosheviqit dhe autoriteteve të tjera më të larta të pushtetit në Serbi për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës. Megjithatë, gjyqi ishte ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe deri tani asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk është dënuar për krimet e kryera në Reçak.
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë