NËPËR FILM

“Era”, film që pasqyron Kosovën e viteve ’90 në sytë e një adoleshenteje

E ftuara e radhës në emisionin “Nëpër Film” ishte aktorja, Zana Berisha, e cila vjen në rolin protagonist të filmit të ri të regjisores, Parta Kelmendi, “Era”.

Ajo shpalosi gjithçka rreth përvojës në filmin që tashmë po shfaqet nëpër kinematë vendore, duke treguar për emocionet e shfaqjes së projektit para publikut kosovar, audicionet e shoqëruara me shumë momente interesante, bashkëpunimin me aktorët tjerë në film dhe shumëçka tjetër.

“Me të vërtetë nuk ishte e lehtë. Ishte njëfarë përgjegjësie shumë e madhe. Unë në atë koha sapo kisha filluar mësimet në Fakultetin e Arteve në degën për aktrim dhe isha shumë e vetëdijshme që nuk jam aq e përgatitur profesionalisht për mbajtur mbi supe një film si protagoniste, nga fillimi në fund. Kisha shumë biseda me regjisoren rreth kësaj çështje. Kam qenë shumë e hapur me Partën dhe ajo ka qenë shumë e hapur me mua. Kisha vetëm një qëllim që të mos e zhgënjeja atë, sepse ma ka besuar këtë rol, diçka që çdo aktor i ri e ëndërron. Por me punë dhe falë kolegëve shumë të mirë si, Alban Ukaj, Armen Smajli, Irena Aliu e Majlinda Kosumovic, të gjithë më kanë ndihmuar shumë”, ka thënë Berisha për rolin e saj të parë protagonist në një film të metrazhit të gjatë.    

Filmi premierën botërore e shënoi në kuadër të Festivalit të filmit në Brooklyn, ku Zana edhe e pa për herë të parë filmin e saj, e shoqëruar nga një numër i madh i publikut në kinema.

“E kam pritur me vjet atë moment dhe gjithmonë kam refuzuar me e pa filmin në një mënyrë tjetër, pos në ekran të madh. Nëse do të kisha insistuar pak, ndoshta edhe ma kish shfaq atë Parta, por asnjëherë nuk i kam thënë, sepse gjithmonë kisha dëshira që të gjitha ato emocione t'i përjetoj atë natë, me publik, në ekran të madh, në një kinema dhe më në fund kalova nëpër goxha njëfarë procesi derisa mbërrita atje, sepse filmi u zgjodh të marr pjesë në ‘Brooklyn Film Festival’ dhe ne patëm ftesën të shkojnë atje për ta prezantuar filmin, por ndodhën disa procese problematike me Ambasadën Amerikane dhe askush nga ekipi nuk pati mundësi të vijë në Amerikë. Unë isha në Belgjikë atë kohë dhe mora vizën më lehtë dhe u desh të shkoja e vetme atje. Shkova në New York dhe e shikova filmin. Sigurisht se atje takova disa njerëz nga Kosova, por prapë isha e vetme. U ula në sallë, e shikova filmin dhe nuk und ta shpjegoj se çfarë emocionesh kam përjetuar gjatë gjithë filmit... Çdo kuadër që ndërrohej ishte emocion në vete”, shtoi tutje aktorja.

Por sipas Berishës, emocionet më të mëdha i ka përjetuar në premierën e filmit në Prishtinë, ku i gjithë ekipi pati rastin të takohej me audiencën, miqtë dhe kolegët e tyre.

“Kam marrë shumë komente, dhe ishin komente nga njerëz të cilët i çmoj dhe ua vlerësoj mendimin. Por, një gjë që po në bie në mend tani ishte nga një grua shumë e thjeshtë, kur isha në New York, ajo erdhi, më përqafoi dhe ishte e përlotur. Ajo më tregoi se si e ka parë veten gjatë asaj periudhe kohore. Me krejt historitë që i kalon Era, me të gjitha imazhet e asaj kohe. Do të thotë, me tregonte se si pamjet e filmit e kanë kthyer në kohë dhe mendoj se ky ishte një nga komentet që po kujtohet tani”.

Filmi “Era” me skenar e regji të Parta Kelmendit, bashkon shumë histori individuale në krye me Erën (Zana Berisha) dhe nëpërmjet disa familjeve e pak skenave kolektive nxjerr në ekran vitet kur shqiptarët përjetuan një epokë aparteidi. Portreti i Erës derisa shikon rrugën prapa derisa familja lë Prishtinën, është prej fotografive kryesore të filmit. Lë prapa edhe të ardhmen e saj. Ia kthen shpinën dhunshëm, për t’u tretur në një fshat që ka zero perspektivë.

Për Zanën, si aktore e re e cila sapo kishte filluar studimet për aktrim, shpresat se do ta fitonte rolin e Erës ishin të vogla. Ajo me emocion shpjegoi procesin e audicioneve.  

“Ka qenë një dhomë shumë e vogël dhe kanë qenë diku 8-9 persona, duke filluar nga njerëzit e produksionit e deri tek Parta Kelmendi. Unë hyra aty pa asnjë shpresë apo pritshmëri për të fituar rolin. Fillova ta realizoj skenën time, gjithçka mbaroi për pesë minuta dhe thash me vete ‘ok, kaq ishte’. I falënderova të gjithë dhe dola jashtë. Të nesërmen më ftuar sërish në rrethin e ngushtë të aktorëve në audicion dhe aty ishte edhe një kolege e imja, e cila ishte ndoshta diku pesë vjet më e madhe në moshë. Të dyja ishim në rrethin e ngushtë të aktorëve që konsideroheshin për rolin e Erës. Na u dha ta realizonim një skenë shumë e vështirë për mua në atë kohë, sepse kërkonte që të qaja me lot dhe kjo nuk ishte e lehtë për mua ta bëja në atë moment. E realizova unë fillimisht skenën dhe nuk arrita të nxjerr lotët, e realizoi kolegia ime atë skenë dhe arriti të qajë me sukses. Madje e realizoi shumë mirë rolin, më pëlqeu dhe mua dhe më preku emocionalisht. kështu që thash me vete ‘nuk ka gjë nga kjo punë, sepse ajo e bëri rolin më mirë se unë’. Audicioni zgjati plot dhjetë minuta, nuk pati nevojë për më shumë. Unë dola nga aty, e telefonova mamin në Pejë dhe i thash ‘Mami, nuk e di pse erdha sepse kjo vajza tjetër ishte shumë e mirë, dhe unë nuk kam shanse ta fitoj rolin’. Më pas mora autobusin të kthehem në Pejë dhe gjatë rrugës më zuri gjumi. Kur arrita në Pejë e pash mesazhin që më kishin shkruar ku thuhej se Parta dëshiron të më takoj sërish. U ktheva të nesërmen në Prishtinë dhe kështu rrodhën gjërat. Parta më thotë vazhdimisht se në momentin që e ka parë videon që ua kam dërguar para audicioneve, e ka ditur  se jam unë aktorja e filmit të saj, por nuk e di pse ka dashur të më maltretoj pak me gjithë këtë procesin e audiocioneve”, tha aktorja duke qeshur.

“Era” bashkon një kastë aktorësh, si: Alban Ukaj, Irena Aliu, Armend Smajli, Maylinda Kosumoviq, Allmir Suhodolli, Melihate Qena, Kumrije Hoxha e shumë të tjerë.