Veprat e gjalla me ngjyra të ndryshme të ndezura, subjekt qendror kanë trupin e njeriut, nga ai i kërrusur e deri në ekstremin e lakimit të tij. Remzije Lloga i teston kufijtë e qenies. Në ekspozitën “Sa mund të lakohemi para se të thyhemi” – me të cilën artistja nga Struga debuton para publikut në Prishtinë – ajo reflekton gjendjen emocionale të njeriut duke eksploruar tension të të qenit fizikisht i pranishëm, por mendërisht larg
Njeriu thyhet, e më pas rimëkëmbet, e pastaj prapë thyhet dhe ky cikël vazhdon. Emocionalisht dhe fizikisht. Përjetimet e jetës e lakojnë maksimalisht atë në pikturat e artistes Remzije Lloga, e cila pyet se “Sa mund të lakohemi para se të thyhemi”, siç titullohet ekspozita e dytë personale e saj dhe e para në Prishtinë. Në atë që tash është kthyer në kafe-galeri “Lavjerr’S”, ekspozita ka qenë edhe përurim për hapësirën më të re kulturore në kryeqytet.
“How far can we bend before we break” është titulli origjinal i ekspozitës së hapur të premten mbrëma. Duke qenë ekspozita e parë personale në Prishtinë, shumica e të pranishmëve janë takuar për herë të parë me krijimtarinë artistike të artistes së re, Remzije Lloga nga Struga e Maqedonisë së Veriut. E njohja e parë me botën artistike të saj, vjen nga printimet grafike apo monotipe.
Në dimensionet 50 me 70 centimetra, veprat janë mjaft të gjalla, me ngjyra të ndryshme të ndezura. Aty subjekti qendror është trupi i njeriut, nga ai i kërrusur e deri në ekstremin e lakimit të tij. Veprat janë realizuar në vitet 2021 dhe 2022, kur edhe iu rrok këtij cikli. Autorja nisi punën me këto vepra kur qe në Itali për një semestër të studimeve të saj. Ato janë lloje vështrimesh të thella mbi identitetin dhe vendin.
Pikturat me dimensione të mëdha ngjajnë në versionet e atyre të zhvilluara dhe të rritjes artistike të autores. E si kontradiktë, trupat e rritur në monotipe bëhen fetuse në embrione në veprat me dimensione më të mëdha.
Artistja Remzije Lloga ka thënë se këto monotipe janë transformuar në mediume tjera, përkatësisht në piktura.
“Monotipet kanë nisur në vitin 2021 a 2022 dhe janë zhvilluar e transformuar në një medium më të madh, siç është piktura. Është e njëjta temë, por tash është e zhvilluar dhe e trajtuar më ndryshe me kalimin e kohës dhe eksperiencat e reja. Por prapë mbetet e njëjta temë”, është shprehur ajo duke thënë se pozita e figurave në piktura tregon sesi njeriu është në jetë.
“Është vizualizimi i jetës së njeriut, kryesisht figurës dhe gjithë eksperiencës që njeriu ka. Ajo këtu vizualizohet nëpërmjet pikturës që është në kanavacë apo në letër të printit, sido që të jetë. Aty paraqitet figura sesi ne jemi në jetë, domethënë nëse ajo është katrore, ajo mund të duket si dhomë”, ka thënë ajo më tej.

Emërtimet e veprave janë kryesisht të bazuara në ngjyrat që artistja ka përdorur.
“Tek të gjitha pikturat, ngjyrat janë të njëtrajtshme, pra është një ngjyrë. Te monotipet sigurisht se vërehet kjo. Është një ngjyrë që paraqet sublimen, ose boshllëkun, por njëkohësisht njeriu duket me shumë më shumë vija dhe specifika. Është një lloj paradoksi. Ka njëtrajtshmëri të ngjyrës, por pastaj ka shumë ekspresivitet në figurë, që paraqet boshllëkun që mund ta kemi në jetën e përditshme, por gjithashtu edhe një ekspresivitet brenda nesh”, ka thënë autorja e veprave.
Kësisoj, trupi krejtësisht i përkulur i njeriut në sfondin e verdhë është emërtuar “The Yellow”, sikurse edhe një tjetër vepër, ajo me titull “The White” e vë fokusin në subjektin me ngjyrë të bardhë ndërsa tjetra e vesh atë me të kaltër në veprën “Blue”.
Veprat e artistes Lloga reflektojnë në gjendjen emocionale të njerëzve duke eksploruar tension të të qenit fizikisht i pranishëm, por mendërisht larg.
Ajo është artiste vizuale dhe mësuese, e lindur në Strugë. Puna e saj bën një teknikat tradicionale me eksperimentimin bashkëkohor, duke eksploruar tema të identitetit, kujtesës dhe transformimit. Ajo ka studiuar Pedagogji të Pikturës në Universitetin e Tetovës ndërsa një semestër e ka përfunduar në Universitetin e Arteve të Bukura në Perugia të Italisë.
Në biografinë e saj shkruhet se në vitin 2021, ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut në rezidencën “Echo II” në kryeqytetin bullgar, ku ka bashkëpunuar me artistë nga Evropa. Ekspozita e parë e saj me titull “Introspective” qe hapur në Hapësirën Kulturore Sociale në Tetovë në vitin 2022.
Filozofi e kritiku i artit, Shkëlzen Maliqi, e ka vlerësuar veprën e artistes e edhe hapësirën më të re ekspozuese në kryeqytet.
“Është një prej hapësirave më interesante dhe më të mira në zemër të qytetit të vjetër. Atmosfera është e mirë dhe ambient i mirë për nga dizajni. Ata i thonë se është eksperimentale, por Remzije Lloga është një artiste interesante. Është e natyrës minimaliste, por punon edhe grafika edhe piktura, me trajta të trupit në lëvizje dhe me disa forma shumë të buta, interesante. Është artiste e re dhe ekspozita e saj e parë në Prishtinë”, ka thënë Maliqi.
Ekspozita “How far can we bend before we break” do të qëndrojë për më shumë se një muaj e hapur në “Lavjerr’S”.
Nora Sahatçiu, e cila e drejton këtë hapësirë të transformuar në kafe-galeri me Nol Sahatçiun, ka thënë se shprehja artistike e Llogës është eksperimentale, prandaj janë bërë bashkë edhe vizioni i ekipit të “Lavjerr’S” me krijimtarinë e artistes.
“Ekipi ynë erdhi me një ide shumë interesante për të parë eksperimentimin e trupin, formën e tij, se si jetojmë në lëkurën tonë, atë që në aspektin biologjik është mbrojtës i organizmit dhe trupit tonë. Nga aspekti filozofik është shumë më shumë. Lëkura jo vetëm që e mbron trupin, por trupi lëviz me lëkurën dhe kjo ka impakte të jashtme si sfida dhe të tjera që e ndikojnë jetën dhe përvojën tonë jetësore”, ka thënë Sahatçiu.
Ajo ka treguar se veprat e ekspozuara kanë qenë në shitje. E kafe-galerinë e ka konsideruar edhe si hapësirë ku artistët mund të shpalosin shprehjet e tyre artistike.
“Në ‘Lavjerr’S’ po e fillojmë një cikël të ri, i cili është eksperimental sepse jemi duke u munduar që në këtë të ashtuquajtur klub kulturor, të cilin e kemi sjellë bashkë me Nolin, të eksperimentojmë dhe të sjellim gjëra të reja. Është si hapësirë për artistë që të mund të vijnë të hanë, të pinë dhe të socializohen, e gjithashtu të gjejnë një hapësirë ku mund të kenë më shumë shprehje artistike dhe të shohin se çfarë vlerash ka në Kosovë. Janë vlera që meritojnë të ekspozohen dhe të cilat meritojnë të vërehen më gjatë”, ka thënë Sahatçiu.