Botimet të cilat kanë të bëjnë me Ulqinin kanë marrë hov pas vitit 1990, me rastin e ndryshimeve shoqërore e politike në vend. Jo se nuk ka pasur autorë më parë me sens krijues, por ishin rrethanat shoqërore që ndaj shqiptarëve në përgjithësi e Ulqinit në veçanti ishin specifike në saje të së kaluarës së tij historike. Ishte koha kur na ishte mohuar e drejta për të shkruar të vërtetën, sepse pasojat ishin evidente. Libri “Ulqini e deti” i Ali Llunjit – botuar nga “Fondacioni Lika”, Ulqin, 2026 – është një vepër në shërbim të kujtesës e të identitetit të Ulqinit
Në kuadër të atyre personaliteteve të Ulqinit, të cilat janë dalluar me veprimtarinë e tyre krijuese e botuese, bën pjesë edhe Ali Llunji, i cili ndonëse pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar në Kosovë, ai i ka mbetur besnik vendlindjes, Ulqinit të tij të dashur. Dhe nuk ka se si të jetë ndryshe, sepse vendlindja të ndjekë pas kudo që të shkosh e të jetosh. Ai ka lindur në Ulqin në vitin 1939, pjesëtar i familjes së nderuar të hafiz Hasan Llunjit. Në vendlindje ka kryer shkollën fillore, ndërsa të mesmen – Normalen në Prishtinë dhe Fakultetin e Gjuhës e Letërsisë Shqipe në Prishtinë.
Jeta dhe puna në Kosovë
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdonëse në detyrën e arsimtarit ka filluar të punojë në Katërkollë në Anë të Malit, veprimtaria e tij kryesore është zhvilluar në Kosovë, ku ka jetuar e punuar rreth gjashtë dekada. Kështu në Kosovë fillimisht kishte punuar si profesor në Gjimnazin e Prishtinës dhe në Shkollën e Lartë të Komunikacionit (Prishtinë). Ndërsa më pas puna e tij kryesore ka qenë gjatë pesë dekadave në fushën e publicistikës: si gazetar, redaktor, redaktor përgjegjës, komentator e kryeredaktor. Ka punuar në Radio Prishtinë, në Redaksinë Shqipe të TV Beogradit, në Televizionin e Prishtinës (TVP), Entin e Teksteve, ndërsa është pensionuar si drejtor i Arkivave të Radio Televizionit të Kosovës. Është ndër themeltarët e kuadrot e para udhëheqëse e kreative të Programit Dokumentar Fejtonistik të TVP-së. Me shumë raporte, vështrime e komente informoi opinionin shqiptar për ngjarjet më të rëndësishme në kulturë, arsim, shkencë të mjediseve tona dhe më gjerë.
Si reporter televiziv ka përgatitur dokumentarë shkencorë, si ai i ”500- vjetorit të Skënderbeut” (1968), ”Konsulta Gjuhësore e Prishtinës”, “Kongresi i Drejtshkrimit”(1972), shumë festivale e manifestime letrare e të tjerë. Ka punuar si autor e bashkautor në serialet dokumentare-televizive: ”Arbreshët e Italisë”, “Arbreshët e Zarës”, “Shqiptarët e Sirisë”, “Shqiptarët e Peshterit”, serialet “Gjeniu i kombit – Jeta dhe vepra shkencore e prof. dr. Eqrem Çabejt” e të tjerë.
Po ashtu është marrë edhe me kritikë teatrore, filmike dhe letrare, me karakter eseistik e shkencor, që i ka botuar në mediat e shkruara të kohës në Kosovë. Si shkrimtar ka shkruar prozë, drama e skenarë për filma artistikë. Ndër librat më të rëndësishëm janë: “Në kalimere”, prozë për fëmijë (1967), “Lugu i Xhemiles” – dramë (1998); “Migjeni-filiz i epokës sonë”(1990), “Beqir Kastrati – legjendë e arsimit kosovar” (2001), “Harapët e Ulqinit”(2013) dhe së fundi ”Ulqini e deti”(2026).
Detarët – ambasadorë të Ulqinit
Duke lexuar këtë libër, çdo lexues do të njoftohet me disa të dhëna të cilat janë pjesë e kujtesës urbane të Ulqinit, që më kujdes të veçantë janë evidentuar nga autori. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe, sepse sa herë që Aliu ka ardhur në vendlindje, ai nuk ka qëndruar statik, por vazhdimisht ka mbledhur material interesant jo vetëm nga detarët e peshkatarët e Ulqinit, që ishte veprimtari jetike e tyre. Madje ky ishte një obligim moral, përkatësisht një ndjenjë e veçantë e autorit ndaj vendlindjes dhe bashkëqytetarëve të tij, të cilët kanë qenë ambasadorët me të denjë të qytetit të Ulqinit.
Krahas meditimit e komunikimit në bashkëbisedim me individë të ndryshëm, duhet thënë publikisht se ai ka qenë i privilegjuar, sepse pranë vetes ka pasur nënën e tij, e cila ka qenë një arkiv i veçantë për të kaluarën e Ulqinit. Në këtë botim janë përfshirë një gamë e gjerë detarësh të moshave të ndryshme, të cilët kanë bërë emër në kohën e tyre. Ata në këtë botim na paraqiten si dëshmi e një jete dinamike, në luftë me detin dhe mbijetesën në det, duke mbetur emblemë e qytetit të Ulqinit.
Shtojca si vlerë e veçantë e librit
E veçanta e këtij botimi ka të bëjë me shtojcën, e cila është realizuar nga botuesi duke ofruar të dhëna me interes për traditën detare shqiptare, me theks të veçantë në traditën ulqinake të detarisë. Në këtë aspekt ofrohen të dhëna për barkat ulqinake me vela deri në vitin 1918, kapedanët e detarët ulqinakë. Po ashtu ofrohen të dhëna edhe për detarët ulqinakë të shpërngulur në Shkodër e gjetiu në Shqipëri, pas vitit 1880. Kemi të bëjmë me një veprim të qëlluar, sepse ka kompletuar çështjen e trajtuar, duke ofruar të dhëna me interes për çështje të antropologjisë historike e asaj kulturore.
Ndërsa fotoalbumi përmbyll në mënyrë logjike një botim interesant jo vetëm për detarinë e Ulqinit, duke ofruar pamje të ndryshme me interes shumëdimensional.
Përfundim
Në saje të përmbajtjes e tematikës së trajtuar, këtë libër në vitrinën e tyre duhet ta mbajnë të gjitha familjet ulqinake, të cilat kanë qenë pjesë e veprimtarisë së detarisë, sepse ata këtu përmenden me emër e mbiemër. Ky libër paraqet të kaluarën e Ulqinit të paktën në këta tre shekujt e fundit, periudhë kur në këtë qytet lulëzoi veprimtaria e detarisë e më të edhe e kusarisë. Por, në këtë aspekt nuk duhet përjashtuar as të tjerët, sepse deti është i të gjithë qytetarëve si vendas, por edhe i atyre që këtu vijnë si vizitorë. Të dhënat e ofruara në këtë botim janë dëshmi transparente për të kuptuar rëndësinë e kësaj veprimtarie për mbijetesën në këtë qytet në të kaluarën.
Pasi Ulqini është i veçantë në historinë e detarisë shqiptare, nga ky botim kanë mundësi të njihen me të dhëna me interes të gjithë ata të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme për detarinë e Ulqinit, sidomos në këta tre shekujt e fundit.
Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një botim të veçantë, i cili përveç kujtimeve të bartura përcjell edhe ato të përjetuara, nga e kaluara e deri në ditët tona, literatura e konsultuar avancon çështjet përkatëse. Dhe si i tillë e them me bindje të plotë se fragmente nga ky botim në lidhje me detarinë e Ulqinit, mund të prezantohen si njësi e veçantë mësimore në shkollat fillore dhe të mesme, sepse të dhënat e tilla në këtë libër janë të rralla, për të gjithë ata që detarinë e kanë hobi apo në interes të meditimit personal.
Në këtë drejtim ulqinakët kanë qenë shembull sakrifice e guximi në aspektin lokal e atë kombëtar si asnjë qytet tjetër në të kaluarën në bregdetin shqiptar. Ndërsa prezantimi i kësaj veprimtarie në letërsinë popullore, e në veçanti në folklorin shqiptar, e dëshmon më së miri një konstatim të tillë. Dhe në fund cekim se për të gjithë ata që duan të trajtojnë detarinë e Ulqinit, ky botim do të jetë referencë e domosdoshme për hulumtimet apo studimet e ndryshme, e cila ka qenë sinonim i veprimtarisë së ulqinakëve dhe mbijetesës së tyre në këtë cep të Ilirisë.