Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Viti 1877: Bilbilja shqiptare e Nishit

Hyrja e ushtrisë serbe në Nish, më 1877

Hyrja e ushtrisë serbe në Nish, më 1877

Tregimi “Bilbilja shqiptare e Nishit” është botuar në revistën “Otadžbina” në vitin 1877. Autori është nënshkruar si “Nishliu” por më vonë është konfirmuar se ai ka qenë Nikolla Gjoriq. Në tregimin “Bilbilja shqiptare e Nishit” shpalosen ngjarje dhe imazhe të Nishit të gjysmës së dytë të shekullit XIX

Nishliu

Kjo ngjarje ka ndodhur para shumë vjetëve, por unë e mbaj mend sikur të kishte ngjarë dje. Dhe kush do ta harronte atë? Pyete Ejupin, Ahmetin, Ibrahimin e Zi dhe, edhe prej tyre do ta dëgjosh po këtë rrëfim. Kjo histori na i kishte marrë mendtë, të gjithë neve. Dhe të gjithë ata që akoma janë këtu në Nish do të flasin për atë ngjarje me mallëngjim, por në fund të fundit edhe me buzëqeshje. E tillë ishte ajo. Dhe secili do të vdiste për të, e sot, duke parë nga distanca kohore se çfarë ka ndodhur atëherë, unë tallem me vetveten. Ju xhaurrët thoni bukur: “rinia është çmenduri”, por, nuk është ashtu vetëm për ju. Të tillë jemi edhe ne: kështu është e gjithë bota.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Jo, për besë! Për besimin e profetit! Rinia nuk ishte çmenduri e zakonshme dhe në fund unë ende nuk mund të them, rinia është –  çmenduri. Kështu ka urdhëruar Allahu dhe është i mjerë kushdo që e përçmon atë, që ai i dhuron atij dhe ai njeri i pakënaqur vazhdon të kërkojë edhe diçka më tepër prej tij.

I bukur ishte Nishi ynë atëherë. Ai është i bukur edhe tash, por për ne ky qytet nuk është ashtu siç ishte dikur. Kështu ka urdhëruar edhe Allahu, por meqenëse ai ka dashur të jetë kështu, atëherë kjo është mirë. I ndjeri Mit’hat pasha priti që Nishi të krishtërizohej. Ne e urrenim atë nga thellësia e shpirtit, që sundonte gaurët, por për të keqen e tij. Atë që ai dëshironte e arritëm ne me fuqitë tona, ose na e sollën të tjerët. Mit'hat pasha ka qenë burrë i madh, edhe pse ai nuk ishte një turk i madh. Ai parashikoi se perandoria do të kalonte nga duart e turqve në ato të xhaurrëve, ashtu siç thonë librat e vjetër, pra pasi perandoria në të kaluarën kishte qenë e këtyre të fundit.

Tani Nishi është juaji, dhe, nëse juve ju pëlqen, as ne nuk do ta urrejmë këtë qytet; nëse është i bukur për ju, as për ne nuk është i shëmtuar.

Jeta atëherë ishte më ndryshe. Nuk do t’ju tregoj për atë atje, anën tonë të të krishterëve, atje në atë mëhallë, edhe atëbotë ishte pothuajse ashtu siç është tani.

Por, atëherë jetohej ndryshe. Por, për çfarë do t’ju rrëfej më tej, kur ajo që tani mund të shihet, duket shkretë. Kopshtet u mbushën me barishte, drunjtë e pemëve u egërsuan, lulet nuk kanë më erë, ndërkaq bilbilat ikën në shkurret e Goricës.

Kalaja e Nishit, 1878

Allahu u dhëntë vetëm lumturi dhe gjitha të mirat atyre që na lanë dhe kurrë mos u pendofshin, që e morën botën në sy dhe i lanë shtëpitë e tyre të shkreta; por mund të ndodhte gjithçka edhe pa këto që u panë tani. Më nuk dëgjohen tamburet (kitarë e vogël me tre tela), me tingujt e lehtë të tyre që ta ndërpresin zhurmën e lumit të shkumëzuar të Nishavës. Ju prej asnjë kopshti më nuk do ta dëgjoni asnjë zë deri në natën vonë, kur hëna ngrihet lart mbi shkëmbinjtë e Malit të Thatë dhe e shndrit majën e malit që atëherë duket si një kristal gjysmë i bardhë, por njëherësh edhe si kristal gjysmë i zi, ashtu siç duket boja për të shkruar. Pra, kurrë më nuk do të dëgjohen tingujt e asaj kënge që shpërndaheshin lart kopshteve, ashtu siç thoni ju, duke i vizituar lulet aromatike të përziera me aromën e trëndafilit ose zymbylit, që arrijnë te ju për t’ju dehur dhe magjepsur.

Kënga! Sa jetëdhënëse është për të moshuarit, sa magjepsëse është kënga e bukur për shpirtin. Nuk më çudit, pra, që të gjithë ne ishim të dashuruar, siç thoni ju, deri në veshë dhe që ishim të pasionuar pas këngëtares sonë bukuroshe.

Ne e quanim Bilbilja shqiptare dhe çfarë kurthe nuk bëmë, për ta përfituar atë bilbile për vete. Qesharake! Për të, atëherë të gjithë ne ishim grackë dhe kishte shumë kohë që ajo na kishte “pushtuar” dhe na i kishte marrë mendtë, ashtu që ne mendonim vetëm për atë dhe mezi prisnim të perëndonte dielli, ndaj shpejtonim drejt hanit të Ejupit, ku ajo çdo natë na i këndonte këngët e saj të trishta por njëherësh ato ishin edhe këngë aq të ëmbla për ne.

Nuk do ta flisja të vërtetën sikur të mos thosha se për shkak të asaj kënge ne vraponim drejt hanit çdo natë.

Bilbilja jonë shqiptare ishte shtathedhur, e gjatë dhe për gjatësinë e trupit të saj ajo ia kishte kaluar edhe shoqeve të saj.

Megjithatë, prapë do të gënjeja sikur t’ju thosha se ne vrapuam atje vetëm për shkak të këngës së saj!

Emine, kështu quhej, ajo shtatbukur me belin e hollë, me qafën e saj të bardhë që i shkëlqente si Mali i Thatë i mbuluar me borë, atëherë kur hë­na e plotë shkëlqente në një mesnatë dimri të kthjellët: sytë e saj ishin të mëdhenj, të zjarrtë, saqë shikimi i saj ndihej thellë në zemër dhe ata sy digjnin e përvëlonin; ajo e kishte ballin të hapur e të rrethuar me flokë të dendura të zeza. Ajo nuk ishte si gratë tona. Për këtë, ajo e mbante veten në lartësinë e saj dhe pothuajse ne e ndjenim se ajo nuk ishte një grua e za­konshme. Askush nuk do të guxonte të ishte i pasjellshëm dhe i neverit­shëm me të. Ai që do të vepronte në kundërshtim me rregullat e saj, nuk do ta shihte më me sy hanin e Ejupit.

Emineja nuk jetonte si gratë tona. Ajo përzihej me njerëzit, siç bëjnë gratë tuaja. Kështu ajo pati mundësinë të shihte se si duket bota reale dhe të gjykonte për të. Ajo jetonte aty pak më tutje nga ura (mu në qendër të Ni­shit) bashkë me shërbëtoren e saj. Neve nuk na vinte mirë se pse ajo kishte ardhur afër xhaurëve, por ajo thoshte “se atje ndjehet më e lirë dhe se e ka më lehtë të jetojë aty ku tashmë ishte mësuar”. Gjatë ditës ajo nuk vinte në zonën tonë, dhe thuajse tërë kohën qëndronte në shtëpi dhe njeriu mund ta shihte Eminen në sokak vetëm atëherë kur ajo bashkë me shërbëtoren e saj shkonte në hamam.

Emineja mësoi shumë shpejt të jetonte e vetme.

Ajo ishte fëmija i njëmbëdhjetë i prindërve, që kishin vetëm një pa­su­ri: familjen me shumë fëmijë. Dhe kështu një ditë të bukur, babai i saj i lumtur e mori vajzën e tij që akoma nuk i kishte mbushur katërmbëdhjetë, i dha asaj një qilim, një trastë miell, një ibrik me ujë, më pastaj i ati e hipi Eminen në gomar dhe e nisi në botën e hapur që ajo ta kërkonte fatin duke e përcjellë me fjalët: “Kur të fitosh mjaftueshëm për shtëpinë tënde, mund të kthehesh. Atëherë do ta kesh lehtë të gjesh një burrë për vete! Bëhu e zgjuar dhe mbështetu në Allahun dhe do të jesh e lumtur”.

Këto ishin fjalët e fundit të babait të saj.

Kështu do Allahu! Emineja mendoi me vete dhe u largua pa ndonjë pikëllim të madh dhe të qarë të hidhur. Ajo u nis prej Arnautllëkut duke udhëtuar disa ditë, derisa erdhi në Nish. Nuk kaloi shumë kohë dhe Emi­neja shumë shpejt u njoftua me një oficer të ri që kishte ardhur në Nish, me Mit’hat pashën.

Oficeri i ri i kishte vizituar të gjitha mbretëritë xhaurre dhe dinte, si zo­tëria e tij, se si jetohet këtu. Thuhej se edhe ai vetë ishte xhaurr, por ky njof­tim nuk ishte verifikuar dhe nuk ishte aq i sigurt. Ndaj Emines ai sillej gjithnjë si xhaurr dhe ashtu ishte mësuar të jetonte jashtë; grave tona kjo sjellje u dukej si një rreze e nevojshme e diellit për një lule, e cila mbetet e zbehtë dhe e rrëzuar për tokë, kur ajo lihet në hijen e errët ose të rëndë, dhe me ngjyrë të harlisur, aromatike dhe të zjarrtë, prandaj kjo rreze dielli e zgjon atë lule çdo mëngjes dhe bashkë me ajrin i jep asaj jetë që pastaj ajo të pëlqehet prej dikujt.

Për këtë, ne qysh prej fillim e shikonim shtrembër oficerin e ri, por edhe Eminen edhe pse nuk guxonim të thoshim asnjë fjalë publike nga frika e Mit’hat pashës. Më në fund i thamë lamtumirën dhe atij gjembi në sytë tanë! Mit’hat pasha u largua nga Nishi, e bashkë me të edhe përcjellësi i tij i ri! Për Eminen kjo ishte një fatkeqësi e madhe. I dashuri i saj nuk mundi ta merrte për grua atë, e as ta merrte me vete, sepse tashmë thuhej se Mit’hat pasha kishte rënë në pamëshirë të padishahut dhe madje ishte rrezikuar edhe të mbetej pa bukë dhe pa shërbim. Emineja mbeti vetëm dhe ato gëzimet që dikur shkëlqenin në fytyrën e asaj iu zhdukën menjëherë. Një re e errët ia mbuloi ballin dhe i errësoi sytë e saj. E pamë edhe disa herë më pas, kur shkonte në hamam dhe na erdhi keq për të, por të them të drejtën, ishim të lumtur në vetvete, sepse tani para nesh u hap një fushë e gjerë ku ne mund të luftonim për ta fituar dashurinë e saj.

Në pikëllimin e saj, ajo më në fund duhej të ngushëllohej me diçka, duke e ditur se asaj i kishte ndodhur ajo që Allahu e kishte dëshiruar. Por, dashurinë e parë ajo nuk mund ta harronte aq lehtë. Kjo ishte arsyeja pse ajo më vonë ishte kaq e ftohtë me të gjithë ne. Si shërbëtore dhe si robëreshë, ajo deshi ta merrte botën në sy bashkë me të dashurin e saj, lutej dhe mallkonte, ajo qau para tij madje ia përqafoi edhe gjunjët atij, me qëllim që ai të mos e linte, por megjithatë ai u largua i vetëm. Për këtë, ajo nuk i besoi asnjërit prej nesh, se ne e thoshim të vërtetën dhe se e dashuronim Eminen sinqerisht. Ajo ishte indiferente ndaj bindjeve tona dhe kjo gjendje e saj na jepte neve edhe më tepër zjarr.

Por, më lejoni t’ju tregoj se si ndodhi që të gjithë të rinjtë tanë po i vardisen asaj dhe po bëjnë gara se kush do ta fitojë dashurinë e saj.

Ejupi i mençur, pasi i bëri ftesë Emines, ia doli ta ndryshonte stilin e saj të jetës. Të gjithë e dinin që ajo ishte e varfër, por Ejupi zbuloi gjithashtu se Emineja, përveç bukurisë së saj të pazakontë, e ka edhe një zë shumë kumbues dhe se ajo mundet dhe di t’i këndojë shumë mirë të gjitha këngët tona më të bukura. Prandaj Ejupi u shfaq para saj me këtë ofertë:

“Emine, ti je një vajzë e varfër, por, falë Allahut, je e bukur dhe ke një zë të ëmbël si bilbili. Unë të njoh shumë mirë, prandaj eja në hanin tim, kështu që do të bëhet mirë si për mua ashtu edhe për ty. Këndo në hanin tim çdo natë, unë do të kem mysafirët e mi, ndërkaq ti do të paguhesh për punën tënde”.

- Sa do të më japësh për çdo natë? - u përgjigj vajza, duke mos u menduar për asnjë moment.

- Unë do ta jap gjysmë mexhidije.

Gjysmë mexhidije; kjo pagesë ishte e mjaftueshme për një vajzë të re. Emineja e pranoi ofertën. Qysh të nesërmen ajo ishte në Hanin e Ejupit dhe menjëherë e dëshmoi vlerën e saj. Nuk kaluan as dhjetë ditë dhe i gjithë Nishi, tashmë dinte për të dhe njerëzit erdhën për ta parë, për ta admiruar dhe për t’u kthyer në shtëpi me më pak mend se sa që kishin pasur kur ishin nisur drejt Hanit të Ejupit. Natyrisht se midis tyre u gjetën menjëherë plot meshkuj, të cilët filluan ta lavdërojnë atë, t’i japin dhurata, madje t’i shprehin edhe shpallje dashurie. Por ajo ndaj të parëve ishte indiferente, ndërsa të dytët i refuzoi shumë ftohtë. Përkundrazi, ky refuzim i saj, gjithnjë e më tepër i nxiti adhuruesit e saj. Prandaj ishte një mundim i vërtetë për Eminen që ajo ta ruante qetësinë. Aq sa më shumë që ajo mbrohej, aq më fort dhe më shpesh turreshim ne. Mos u qeshni me mua, por edhe unë isha si gjithë të tjerët. Nuk e di se si të tjerët i shfaqën dashurinë Emines, por unë vendosa t’ia filloja me gjithçka si një burrë që e di se çfarë është njerëzimi dhe si duhej të sillesha, prandaj fillova t’i rrëfeja Emines se sa spahillëqe i kam rreth Nishit, sa shumë dyqane dhe prona të trashëguara i kam në zemër të Nishit, çfarë lloj oborresh dhe çfarë lloj pasurie dhe rehatie kam në to, se sa bukur është të jetohet kur nuk ke brengë për ta siguruar bukën e gojës dhe në fund të fundit, si ndihet ndryshe njeriu, kur nuk është aq i ekspozuar ndaj gjithë botës, që ata të vrapojnë dhe ta shohin atë si ndonjëfarë çudie!

Nish, 1878

Shiko! Më ndërpreu Emineja. Mua më duket se ke ardhur të më këshillosh që unë të martohem!

Pse jo ?

Dhe për çfarë të martohem përsëri? - ishte përgjigjja, kështu që unë u zemërova me të. E ndjeva veten se ajo fliste sikur të mos kishte dëgjuar asnjë fjalë nga gjithçka që unë i thashë pak më parë.

Që ta keni një burrë që do t’ju dashurojë dhe do t’ju bëjë të jetoni pa shqetësime, t’ju bëjë të kënaqur dhe të lumtur!

 Hesht! Unë e di se çfarë është ajo lumturi. Kështu thua sot, dhe menjëherë nesër, kur unë të bëj ty për qejfin tim, ti do të pendohesh që u martove! Dhe pastaj, unë jam mësuar me gjithçka nga jeta e tillë që bëjnë gratë tuaja. Unë nuk do të tundohesha për asgjë në botë që të jetoj si në burg. Bota dhe dielli, ose po të duash, liria ime është më e çmueshme se sa të gjitha thesaret tua.  

- Kjo nuk duhet të jetë ashtu. Ti do të vazhdosh të jetosh ashtu si do ti vetë. Në shtëpinë time do të jesh një kadunë (zonjë e respektuar) e vërtetë, do të komandosh si perandoreshë edhe me të tri gratë e tjera të miat dhe ato do të të nënshtrohen ty.

Oho! - bërtiti Emineja. Gratë tua të më binden. Dëgjo aga, pasha Allahun, ai për të cilin unë vendosi të martohem nuk do të ketë grua tjetër përveç meje!

E shikova drejt në sy. Ata sy shkëlqenin si prushi flakërues nën vetullat e saj të zeza e të bukura. Dhoma m’u rrotullua rreth kokës sime dhe duke qenë jashtë vetes belbëzova me gjysmë zëri:

Mirë, atëherë unë do t’i përzë të tria dhe ti do të jesh e vetmja grua imja.

Por, kjo nuk është e tëra që unë kam nevojë. Unë dua të jetoj e lirë me të gjithë, siç jetojnë gratë xhaurre – ma ktheu Emineja dhe shtoi: unë dua që gjithçka të jetë në vullnetin tim, të shkoj ku të dua dhe kur të dua, dhe për këtë ti të mos guxosh të më kërkosh llogaridhënie. Më pas, dua që tek unë të vijnë të gjithë të njohurit e mi dhe të gjithë ata që unë kam dëshirë t’i takoj.

Mua m’u terratisën sytë dhe mezi e kontrolloja veten.

Të njohurit tuaj të vijnë te ju! Ti e di shumë mirë që kjo nuk mund të jetë ashtu. Çfarë do të thoshte njerëzia?

Kjo nuk është çështje për ty. Ti e di, që unë edhe tani i konsideroj të njohurit e mi vetëm si të njohur dhe asgjë tjetër.

Unë heshta. Ngela pa fjalë!

Ja, pra a po e sheh se nuk jam për ty, filloi sërish Emineja. Dhe mua as që më duhet për burrë një njeri i tillë, i cili nuk pajtohet me mua në çdo gjë. Pra, tani largohu prej meje dhe qëndro ashtu siç ke qenë deri më tani: një i njohur imi dhe një mik i mirë për mua dhe asgjë tjetër.

Unë u largova në heshtje. Çfarë vajze është kjo – e pyeta veten me habi. A është ajo e çmendur apo shumë e mençur? Ajo të mos më pranojë as mua! A mund ta besojë njeriu? Dhe ajo kërkesë e saj perverse për t’i ftuar të njohurit e saj në shtëpinë time dhe që ajo të shkojë tek ata! Nuk ka më kohë të vjetra të lumtura. Ma gjeni një grua që ka mundur të mendojë në këtë mënyrë deri para dhjetë vjetëve.

Por, kjo është kështu që kur xhaurri u bë më i mençur se turku. Dhe ajo i ka mësuar këto prej xhaurrëve dhe prej ish-mikut të saj jobesnik.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë