Nëse mendoni se reklamat zgjedhore janë një shqetësim i ri, arkeologët kanë zbuluar qindra shembuj të reklamave të lashta dhe grafiteve politike të gdhendura në muret e Pompeit. Sa i përket fushatës zyrtare, kandidatët romakë ishin të kufizuar në një sezon fushate prej një ose dy javësh, dhe pjesa më e madhe bëhej personalisht në sheshin publik
Qytetarë të demokracive moderne kanë përdorur një seri metodash dhe teknologjish për të votuar në ditën e zgjedhjeve, por si kanë marrë pjesë në zgjedhje njerëzit e kohëve të lashta?
Historianët kanë mbledhur copëza nga detaje interesante prej Athinës, një nga demokracitë e para dhe të drejtpërdrejta në botë, si dhe prej Republikës Romane, një kuazi-demokraci ku klasat më të pasura kanë ushtruar më shumë ndikim sesa punëtorët.
Edhe në Athinë, edhe në Romë, pjesëmarrja në procesin demokratik (fjala greke “dēmokratia” do të thotë “fuqi e popullit”) ka qenë e limituar për dēmos që është përbërë nga qytetarët e lirë, meshkuj. Gratë dhe skllevërit nuk kanë pasur të drejtë vote.
Përfaqësuesit e zgjedhur me short
“Në Athinë ka pasur shumë pak zgjedhje, sepse athinasit e lashtë nuk kanë menduar se zgjedhjet janë forma më e mirë e demokratike për të zgjedhur zyrtarë. Që demokracia t’ua japë fuqinë e plotë të udhëheqjes njerëzve të thjeshtë, e jo vetëm të pasurve, është dashur të zgjidhet dikush me short”, thotë Eric Robinson, profesor historie në Universitetin Indiana, si dhe redaktor i “Ancient Greek Democracies: Readings and Sources”.
Për të vendosur se kush do të shërbente në Këshillin e 500-ve, organin kryesor qeverisës të Athinës, athinasit përdornin një sistem të quajtur “shorti” (sortition). Në Athinë ishin 10 fise dhe secili fis ishte përgjegjës të siguronte 50 qytetarë që shërbenin për një vit në Këshillin e 500-ve.
Çdo qytetar që kishte të drejtë të merrte pjesë, pajisej me një copëz personale dhe këto copëza futeshin në një makinë të veçantë të quajtur kleroterion, e cila përdorte një teknologji tashmë të humbur – që përfshinte tuba dhe toptha – për të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme kontributin e secilit fis në këshill.
Në Kuvend: Një burrë, një votë
Në Athinë, të gjitha ligjet dhe çështjet gjyqësore vendoseshin nga Kuvendi (ekklēsia), një organ demokratik shumë i madh ku çdo qytetar mashkull kishte të drejtë fjale. Prej 30 mijë deri në 60 mijë qytetarë të Athinës, rreth 6 mijë merrnin pjesë rregullisht dhe kontribuonin në mbledhjet e Kuvendit.
Kuvendi mblidhej në një amfiteatër natyror mbi një kodër të quajtur “Pnyx”, emri i të cilit rrjedh nga një fjalë greke që do të thotë “të mbledhur ngushtë së bashku”, dhe që mund të mbante nga 6 mijë deri në 13 mijë njerëz.
“Grekët nuk kishin zgjedhje në kuptimin që i mendojmë sot, ku ose voton me postë ose shkon në një shkollë apo kishë për të dorëzuar fletën e votimit. Duhej të ishe fizikisht i pranishëm. Pikërisht nga kjo vjen fjala ‘republikë’. Shkon, mblidhesh me qytetarët e tjerë dhe vendos për çështjet para Kuvendit atë ditë”, thotë Del Dickson, profesor i shkencave politike në Universitetin e San Diegos dhe autor i librit “The People’s Government: An Introduction to Democracy”.
Agjenda e përditshme e Kuvendit caktohej nga Këshilli i 500-ve, por më pas të gjitha ligjet dhe politikat qeveritare viheshin në votim. Votimi bëhej duke ngritur dorën dhe fituesi përcaktohej nga nëntë “presidentë” (proedroi). Athinasit ishin shumë të kujdesshëm për të shmangur çdo mundësi manipulimi apo mashtrimi të sistemit.
“Për shembull, nëntë personat që numëronin votat zgjidheshin në mënyrë të rastësishme në mëngjes, pak para se të mblidhej Kuvendi, kështu që do të ishte shumë e vështirë t’i ryshfetonin”, thotë Robinson.
Në Athinë, disa pozita zgjidheshin me votim nga Kuvendi, më e rëndësishmja ishin gjeneralët ushtarakë. Çdo vit, 10 gjeneralë zgjidheshin me një votim të thjeshtë “gishtin lart” ose “gishtin poshtë” nga i gjithë Kuvendi.
Gurët e përdorur si fletëvotime të fshehta
Përveç miratimit të ligjeve, Kuvendi jepte edhe vendime në të gjitha gjyqet penale dhe civile në Athinë. Në vend të një jurie me 12 anëtarë, juritë athinase përbëheshin nga 200 deri në 5 mijë persona, thotë Dickson. Gjithashtu, një anëtar i jurisë zgjidhej në mënyrë të rastësishme për të shërbyer si gjykatës, jo për të marrë vendimin përfundimtar, por për të siguruar që rregullat dhe procedurat ndiqeshin saktë.
Derisa llojet e tjera të votimit bëheshin publikisht, juritë athinase votonin duke përdorur një lloj të veçantë të fletëvotimit të fshehtë që përfshinte gurë.
Siç shpjegon Robinson, çdo anëtar merrte dy gurë të vegjël, një gur të plotë dhe një tjetër me një vrimë në mes. Kur vinte koha për votim, anëtari afrohej te dy kutitë. Guri që tregonte vendimin e tij të vërtetë hidhej në kutinë e parë, ndërsa guri tjetër që nuk përdorej, hidhej në kutinë e dytë. Askush që shikonte nuk mund të kuptonte se cili gur përfaqësonte vendimin.

Zgjedhje të veçanta për ostrakizëm dhe ekzil
Në Athinë, nëse një figurë publike humbiste reputacionin ose bëhej tepër popullor për të mirën e demokracisë, ai mund të largohej për 10 vjet përmes një zgjedhjeje të veçantë të quajtur “ostrakizëm”, një fjalë që rrjedh nga “ostraka”, fjalë e lashtë greke për një copë qeramike.
Në zgjedhjet për ostrakizëm, çdo anëtar i Kuvendit merrte një copë të vogël qeramike dhe udhëzohej të shkruante emrin e dikujt që meritonte të largohej. “Nëse të paktën 6 mijë persona shkruanin të njëjtin emër, personi me më shumë vota largohej nga Athina për 10 vjet”, thotë Dickson.
Një shembull i njohur është Temistokli, një hero ushtarak athinas nga Beteja e Salamisit kundër persëve, i cili u ostrakizua më 472 para Krishtit dhe vdiq në ekzil. Ka prova që armiqtë politikë të Temistoklit gdhendën paraprakisht emrin e tij në qindra ose mijëra copëza qeramike dhe i shpërndanë tek anëtarët analfabetë të Kuvendit.
Në Spartë, një “matës duartrokitjesh” i lashtë
Athina ishte qytet-shteti më i madh dhe më i fuqishëm i Greqisë së Lashtë, por secili qytet-shtet praktikonte formën e vet të votimit dhe zgjedhjeve, thotë Robinson, i cili ka shkruar librin “Democracy Beyond Athens”.
Një shembull është Sparta, e cila nuk ishte demokraci, por përfshinte disa elemente demokratike. Një nga organet më të larta qeverisëse në Spartë ishte Këshilli i të Moshuarve (gerousia), i cili përbëhej nga dy mbretër spartanë dhe 28 zyrtarë të zgjedhur, të gjithë mbi 60 vjeç, të cilët mbanin detyrën për jetë.
“Për të mbushur vendet bosh, spartanët zhvillonin një stil të veçantë zgjedhjesh me britma”, i njohur edhe si votim me aklamacion, thotë Robinson. “Secili kandidat merrte radhën për të hyrë në një sallë të madhe të Kuvendit dhe njerëzit brohorisnin dhe duartrokisnin për ta treguar miratimin e tyre. Në një dhomë tjetër, e fshehur nga publiku, gjykatësit krahasonin fuqinë e brohoritjeve për të zgjedhur fituesit.”
Zgjedhjet romake u jepnin “prerogativë” të pasurve
Republika Romake ka trashëguar disa nga parimet e demokracisë athinase, por kishte ndarë zgjedhësit sipas klasave dhe kishte krijuar një sistem që favorizonte të pasurit, thotë Dickson.
Në vend që të votonin në një Kuvend të madh si në Athinë, romakët kishin tri kuvende. I pari quhej Kuvendi Centuriate, që zgjidhte detyrat më të larta në Romë, përfshirë Konsujt, Praetorët dhe Censorët, dhe ishte kuvendi ai që vendoste për shpalljen e luftës.
Votimi në Kuvendin Centuriate fillonte me klasën më të pasur, dhe numërimi i votave ndalej sapo arrihej shumica prej 193 anëtarësh. Pra, nëse të gjithë të pasurit donin që një ligj të kalonte ose të zgjidhej një konsull i veçantë, ata mund të votonin në bllok dhe të anashkalonin klasat më të ulëta. Në latinisht, privilegji për të votuar i pari quhej praerogativa (përkthyer si “të kërkosh një mendim para të tjerëve”).
Në dy kuvendet e tjera romake, Këshilli i Fiseve dhe Këshilli i Plebenjve, renditja e votimit përcaktohej me short. “Fiset” në Athinë dhe Romë nuk bazoheshin në gjak ose etni, por në zonën gjeografike ku banonin. Në këtë mënyrë, Këshilli i Fiseve funksiononte në mënyrë të ngjashme me Senatin e Shteteve të Bashkuara, ku çdo shtet ka përfaqësim të barabartë.
Fletëvotimet e fshehta dhe fushatat zgjedhore në Republikën Romake
Disa aspekte të zgjedhjeve në Republikën Romake kanë mbijetuar deri sot. Votimi në asamble fillimisht ndodhte si në modelin athinas, ku çdo anëtar ngrinte dorën dhe votonte publikisht. Mirëpo, me kalimin e kohës, u bë e qartë që “sponsorët” e pasur po ushtonin presion mbi anëtarët e kuvendit për të votuar në një mënyrë të caktuar, kështu që duhej të votonin në fshehtësi.
Më 139 para Krishtit, Roma prezantoi një lloj të ri të fletëvotimit të fshehtë. “Ishte një tablo druri me një shtresë dylli në sipërfaqe”, thotë Robinson. “Ti shkruaje votën tënde mbi dyllin dhe pastaj hidhje të gjithë tablonë në kutinë e votimit. Aristokracia u zemërua shumë për këtë, sepse humbën kontrollin e tyre”.
Nëse mendoni se reklamat zgjedhore janë një shqetësim i ri, arkeologët kanë zbuluar qindra shembuj të reklamave të lashta dhe grafiteve politike të gdhendura në muret e Pompeit. Sa i përket fushatës zyrtare, thotë Dickson, kandidatët romakë ishin të kufizuar në një sezon fushate prej një ose dy javësh, dhe pjesa më e madhe bëhej personalisht në sheshin publik.
Marrë nga: history.com, Përktheu: Sinan Berisha