SOT

Bujku nga Sveçla, që gjatë gjithë vitit merret me kultura të ndryshme bujqësore

Bimët e para i mbolli kur ishte vetëm 7 vjeç, duke marrë mësime nga babai dhe gjyshi. 

Visar Vokrri, nga fshati Sveçël i Podujevës, aktualisht ka arritur të mbjellë kultura të ndryshme bujqësore në tokën e tij prej 26 hektarësh. 

Kryesisht merret me mbjelljen e kultivimin e perimeve dhe ka shumë hektarë me lakra, presh dhe patate.

“80 ari i kem me sera. 17 hektarë me lakër, 3 hektarë me somborka, 6 hektarë me patate, presh, rreth 3 hektarë me grurë etj. Preshin e mbjellim gjatë muajit dhjetor. Gjatë muajit prill fillojmë me shitjen e preshit si prodhim vendor. Kujdesje kërkon edhe kjo si bimët e tjera. Shpesh hasim edhe në telashe, sepse sezoni i dimrit është më i vështirë”, thekson Vokrri. 

“Fundin e muajit shkurt dhe fillimin e muajit mars merrem me mbjelljen e fidanëve të lakrës, e cila për shkak të kohës rreth një muaj i duhet bimës për të dalë në hapësirë. Këtu kemi fidanë përafërisht për 2 hektarë e gjysmë. Çdo fidan i bimës kërkon përkujdesjen si një foshnjë kur lind në ditët e para. Ujitjen, ushqimin, spërkatjen nga sëmundjet e ndryshme etj. Ne kemi arritur ta bëjmë ujitjen automatike, kur bima ka nevojë për ujë. E kemi dhe agronomin, i cili kujdeset për të mbjellat tona. Një hektar i ka deri në 36 mijë fije lakra, por ne shkojmë gjithmonë më shumë për shkak se disa prej tyre dëmtohen”, shton Vokrri. 

Bujku thotë se gjatë gjithë vitit puna në bujqësi nuk ndalet. 

Për disa kultura bujqësore kujdeset rreth mirëmbajtjes dhe rritjes së bimëve, ndërsa për disa të tjera merret vetëm me shitjen e tyre. 

Vokrri tregun kryesisht e ka në Kosovë, por edhe jashtë kufijve.

“Me lakër verore marrim produkt rreth 90 tonë. Me lakër dimërore mbi 100 tonë. Tregun e kam në Kosovë dhe jashtë për çdo kulturë bujqësore. Këtë vit kemi qenë të kënaqur me çmimin e lakrës dhe të tjerave produkte. Çdo fermer që punon ka me qenë i kënaqur me të ardhurat që vijnë nga kjo punë. Nuk është punë e lehtë, sepse ke me u zgjuar në mëngjes herët dhe varemi nga natyra. Secila punë i ka problemet e veta, por fundi është i kënaqshëm”, thotë ai. 

“5 punëtorë i kam aktualisht, por në sezone e rrisim numrin e punëtorëve. Fidanishtja dhe krejt mjetet bujqësore, të cilat i kam për të mbjellat e mia, janë financim nga mjetet financiare vetjake. Kam nevojë është për mjete të tjera bujqësore. Nga Ministria e Bujqësisë marr vetëm subvencione, 550 euro për një hektar”, shton Vokrri. 

Familja Vokrri njihet për traditën që ka në kulturën e perimtarisë.