Qendra e Malishevës është kthyer në vend investimi për banorët e bizneset e këtushme.
Hapësira e vogël ka bërë që në Malishevë të kemi çmime shumë të larta për një ari tokë.
Qendra e komunës së vogël ka çmime me të cilat ua kalon edhe qendrave të mëdha në Kosovë.
Një ari tokë arrin deri në 80 mijë euro, ndërsa gjetja e një toke për shitje është gjithnjë e më e vështirë, pavarësisht çmimeve të larta.
Sipas Bashkim Krasniqit, drejtor për gjeodezi dhe kadastër në Komunën e Malishevës, çmimet kanë shënuar një rritje deri 20% krahasuar me vitet e kaluara.
“Çmimi i tokës ndryshon varësisht nga pozita. Por, me ndryshimet dhe investimet që kanë bërë kohëve të fundit, është rritur edhe vlera e tokës, banesave dhe lokaleve. 20% është më e lartë sesa që ka qenë. Metri katror i banesave shitet prej 600 deri 750, e cila shifër është e barabartë sikurse me Fushë-Kosovën, Suharekën etj. Në Malishevë një ari tokë shkon deri 80 mijë euro, por ka edhe më lirë. Edhe në Malishevë ka probleme me dokumentacion, por më shumë në vende rurale sesa në qendër të qytetit. Ka edhe prej komunave të tjera që blejnë tokë në Malishevë e bëhen banorë të Malishevës”, tha Krasniqi.
Banorët vendas dhe mërgimtarët janë të kënaqur me Malishevën urbane të kohëve të fundit. Thonë se nuk dallon nga vendet evropiane.
Malisheva ka mbi 200 milionë euro investime private gjatë katër vjetëve të fundit dhe mbi 25 milionë euro nga fondet publike, duke e shndërruar qytetin në një qendër të re zhvillimi.
Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, ka thënë se projektet kapitale kanë ndryshuar pamjen e qytetit.
“Malisheva është transformuar, gjatë këtyre viteve në Malishevë janë kryer një sërë projektesh kapitale. Si më kryesore janë bulevardi “Ibrahim Mazreku”, dhe projekti më kapital “Sheshi i dëshmorëve”, nënkalime, parkingu nëntokësor etj. Krahas kësaj kemi kryer edhe shumë projekte të tjera në infrastrukturë, ujësjellës, energji elektrike, hapësirat publike etj. Në projekte kemi gërshetuar kulturën me urbanizmin. Buxheti i komunës është shpenzuar 100% për qytetin e Malishevës”, tha Morina.
Pritet që gjatë muajit gusht të përfundojnë të gjitha punimet e nisura në qendrën e qytetit, por edhe më gjerë.