SOT

Enver Kosumi, zëri i personave me aftësi të kufizuara

Enver Kosumi, që nga momenti kur mbeti në karrocë u bë më i angazhuar se kurrë më parë. 

Përballja me një sfidë të rëndë shëndetësore e bëri forcë për të tjerët. Me një përkushtim që zgjat tashmë gati tri dekada, Enveri është kthyer në një zë të fuqishëm për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Sot ai është drejtor i qendrës “Handikos” në Ferizaj, një detyrë që e cilëson privilegj, por edhe përgjegjësi të madhe.

Përballja me një situatë të vështirë shëndetësore e bëri që të ishte forcë për të tjerët, ai me angazhim të afro 3 dekadave ka qenë zë i fuqishëm për personat me aftësi të kufizuara, tani madje udhëheq edhe qendrën “Handikos” në Ferizaj, gjë për të cilën thotë se sa është privilegj njashtu edhe përgjegjësi e madhe.

“Unë jam Enveri, person me aftësi të kufizuara. Kam qenë i angazhuar në grupin avokues të të rinjve me aftësi të kufizuara pas luftës, pastaj kalova si staf i rregullt në pozita të ndryshme e tash që nga viti 2022 jam drejtor i “Handikosit” në Ferizaj. “Handikosi” është organizatë e madhe që mbështet personat me aftësi të kufizuara, është përgjegjësi shumë e madhe por gjithashtu edhe privilegj, sepse ndihem rehat që mund të jap kontributin tim në këtë fushë”, thekson Kosumi.

Në moshën 15-vjeçare, në një kohë lufte e vështirësish të mëdha për çdo qytetar të vendit, Kosumi u përball edhe me diagnozën e distrofisë muskulore, një sëmundje që çon në dobësim të muskujve dhe, në rastin e tij, në përdorimin e karrocës.

“Kam distrofi muskulore, kjo sëmundje paraqitet në kohën e pubertetit, mua më është shfaqur rreth moshës 15 vjet, ku gradualisht është dobësim i muskujve dhe të sjellë deri tek gjendja në karrocë. Në kohën time kur jam përballur me këtë situatë ka qenë kohë lufte, gjithçka ka qenë shumë e vështirë, por familja ime më ka mbështetur dhe ia kam dalë, me kalimin e luftës u bëra pjesë e takimeve të ndryshme dhe e kuptova gjendjen time dhe tani jam krenar me atë se çfarë kam bërë deri tani”, shton ai.

Angazhimi i tij në mbrojtje të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara nuk është ndalur kurrë. Kontributi i tij është vlerësuar me çmime të rëndësishme, së fundmi edhe me “Çmimin për Demokraci” nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

“’Çmimi për demokraci’ për mua është vlerësim i jashtëzakonshëm me të cilin besoj se do ndihem krenar tërë jetën. Një nga sfidat kryesore ka qenë angazhimi im në përgjithësi, sepse në shoqërinë ku jetojmë ka qenë vështirë të përballesh me realitetin e jetuar, ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë financimi i qendrës së ‘Handikosit’, institucionet lokale dhe ato qendrore ende nuk kanë krijuar një mekanizëm për financimin e qendrës, por ne me mundësitë tona ia kemi dalë”, deklaron Kosumi.

Sipas tij, të jesh person me aftësi të kufizuara në Kosovë nënkupton përballje me diskriminim që nga lindja, për shkak mungesës së infrastrukturës dhe kushteve të tjera të duhura për jetesë të dinjitetshme.

“Personat me aftësi të kufizuara janë të diskriminuar që nga lindja, kyçja në sistemin shkollor, qasja kudo, mungesa e shërbimeve sociale, unë i kam kaluar gjitha këto sfida, por të jetosh në Kosovë me një gjendje të tillë është e vështirë, sepse institucionet nganjëherë krijojnë barriera të panevojshme, nuk kemi qasje sikurse të tjerët, gjithçka është sfidë në formën e vet, por unë si qytetar aktiv ia kam dalë dhe nuk jam dorëzuar asnjëherë”, thotë Kosumi.

Ai dhe ekipi i tij në “Handikos” së shpejti do të gëzojnë objektin e ri, i cili është në ndërtim e sipër dhe që do të plotësojë të gjitha kushtet për ofrimin e shërbimeve cilësore për personat me aftësi të kufizuara në Ferizaj.

“Nga viti 2019 jemi marrë me një projekt, objekti ku kemi qenë ne është rrënuar dhe tani veprojmë në një objekt me qira, Komuna i heq shpenzimet e qirasë dhe gjatë kësaj periudhe na është ofruar një parcelë nga ajo për ndërtimin e një objekti, por në kohën e pandemisë kemi qenë të kufizuar, e në vitin 2023 kemi marrë iniciativë për ndërtimin e qendrës dhe na kanë ndihmuar bizneset e bashkatdhetarët tanë që veprojnë kryesisht në Gjermani, por që ende nuk ka përfunduar”, shton Kosumi.

Për ta bërë qendrën e re plotësisht funksionale nevojitet ende mbështetje. Kosumi apelon për përkrahje nga institucionet dhe qytetarët bamirës, në mënyrë që fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara të kenë sa më shpejt qasje në shërbimet që meritojnë.