Në Mitrovicë, një grup grash e kanë gjetur mënyrën më të mirë për ta kaluar kohën e lirë përmes leximit të librave.
Në këtë grup janë mbi 600 gra pjesëmarrëse, ato takohen çdo muaj, përzgjedhin një libër dhe e komentojnë së bashku.
“Gjuetari i balonave” me autor Khaled Hosseini është libri i radhës që ato e kanë përzgjedhur për lexim.
Grupi “Gratë mitrovicase lexojnë” u themelua në janar të vitit 2023 nga mësimdhënësja tashmë në pension, Valbonë Dobroshi-Prekazi, me ndihmën e vajzës së saj.
Që nga atëherë, ato i kanë lexuar dhe komentuar 12 libra, nga autorë shqiptarë e të huaj.
“Unë kam lexuar krejt jetën si vajzë, si grua, si profesoreshë edhe si pensioniste. Kur dola në pension më lindi ideja ta formoj një grup të grave të cilat janë pasionante të librit. Në Kosovë për pensioniste nuk ka edhe aq aktivitete, andaj kjo më frymëzoi më shumë. Në bashkëpunim me vajzën time Nora, në janar të vitit 2023 e themelova këtë grup. Ky është një grup joqeveritar, por vullnetar. Për qëllim ka t’i mbledhë vajzat e gratë, pasiononte të leximit të librave. Duke lexuar libra, e zhvillon imagjinatën dhe oratorinë”, thekson Dobroshi-Prekazi.
“Takimet me gra i bëjmë një herë në muaj, varësisht nga situata jonë shëndetësore dhe planifikimet ditore. Së pari me votim i zgjedhim librat, që planifikojmë për t’i lexuar në një periudhë 1-mujore. 1 muaj lexohet libri dhe në takimin e grupit komentohet rreth përmbajtjes së librit. Për dy vjet kemi arritë t’i lexojmë 12 libra me autorë të ndryshëm”, shton Dobroshi-Prekazi.
Ajo thotë se për këtë aktivitet nuk kanë marrë përkrahje institucionale, por kanë gjetur mbështetje te shkrimtarët dhe OJQ-të, që shpesh u kanë dhuruar libra.
“Edhe pse neve si grup i grave që punojmë për komunitetin nuk kemi gjetë mbështetje institucionale, por kemi gjetë mbështetje nga OJQ-të të ndryshme dhe autorë-shkrimtarë, të cilët na kanë dhuruar edhe libra”, deklaron Dobroshi-Prekazi.
Në mesin e pjesëmarrëseve është edhe Kumrie Sefaja-Pestova, e cila ka 43 vjet përvojë pune si mësimdhënëse.
Ajo thotë se leximi e ka shoqëruar gjithë jetën dhe tani, pas pensionimit, 69-vjeçarja kohën më të madhe ia kushton leximit.
“E kam përjetuar pensionimin me kënaqësi, sepse kam përcjellë shumë gjenerata. Edhe nxënësit e mi kanë lexuar shumë. Gjithmonë e kam pasur pasion leximin dhe më ka ndihmuar shumë në jetë, si në kohërat e vështira dhe të lumtura. Kur dëgjova që Valbona ka hapë grup për gratë që lexojnë, nuk kam marrë pjesë në grupin e parë, por në grupin e dytë”, thotë Sefaja-Pestova.
“Shpresoj të inspirohen edhe qytete të tjera, të krijojnë grupe të leximit sikurse ne. Ne jem të gatshëm të bashkëpunojmë lidhur me aktivitete për leximin”, shton Sefaja-Pestova.
Pjesë e grupit është edhe Arta Ibishi-Çitaku, e cila mes studimeve, punëve të përditshme dhe kujdesit për familjen, arrin të gjejë kohë për pasionin e saj, librin.
48-vjeçarja fton vajza dhe gra të Mitrovicës, por dhe të vendeve të tjera që ta bëjnë pjesë të ditës leximin.
“Jam një nga gratë që i takoj këtij grupi sepse, unë lexuese nuk është se kam qenë nga fëmijëria, par gjatë viteve kam krijuar pasionin tim për leximin. Qëllimi im në këtë grup është të bëj gjithë përfshirjen në grup dhe të ftoj sa më shumë të interesuat të ftoj”, deklaron Ibishi-Çitaku.
“Unë jam bashkëshorte, nënë e dy fëmijëve, studioj dhe jam në përfundim të masterit të dytë dhe e kam një familjar me demencë. Me gjithë këto angazhime ditore, gjej kohë për lexim dhe inkuadrimin në grup me ide për leximin e librave”, shton Ibishi-Çitaku.
Grupi “Gratë mitrovicase lexojnë” është shembull se si pasioni për librin mund të bashkojë breza të ndryshëm.