SOT

Ilaçet e diabetit alternativë apo rrezik për humbje të peshës

Përdorimi i medikamenteve për diabetikët, për shumëkënd është bërë rruga më e shkurtër për të humbur peshë.

Ky trend tashmë ka ardhur edhe në Kosovë. Metformina dhe Ozempiku janë prej barnave më të përdoruara për humbje peshe.

Endokrinologu Genc Shala thekson se këto medikamente mund edhe të ndihmojnë në rënien e peshës por, sipas tij, mënyra më e mirë për humbje peshe janë konsumimi i ushqimeve të shëndetshme dhe aktiviteti fizik.

Shala tregon se këto ilaçe kanë edhe efektet anësore në shëndet, andaj apelon që përdorimi i tyre të jetë në koordinim me mjekun.

“Disa barna i përdorim që kanë efekte të dyfishta edhe për diabet, edhe për humbje peshe. Ato janë Metformina, Ozempiku, Empagliflozina. Këto barna zakonisht përdoren për të ndihmuar humbjen e peshës. Metformina është një bar në formë të tabletës dhe i cili pihet në mes të ushqimeve dhe ka doza të ndryshme prej 500 mg deri në 1000 mg. Efekti i tij te sheqeri është që të mos përthithet ushqemi që ne e marrim shumë shpejt dhe të mos ngrihet sheqeri shumë lart. Gjithashtu ndikon edhe në tru për ta larguar ndjenjën e urisë. Kjo pra ndikon në uljen e mbipeshës. Nuk e rekomandoj me përdor këtë ilaç,  për ata që dëshirojnë me humb peshë, pa udhëzimin e mjekut. Sepse çdo ilaç i ka edhe efektet anësore, së pari duhet të sigurohemi nëse një person është mirë me veshka, nivel të gjakut e sëmundje të tjera e pastaj ta përdorim ilaçin. Ky ilaç ka më së paku efekte anësore”, ka thënë Shala.

“Bari tjetër është empagliflozina gjithashtu përdoret për humbje të peshës, ky bar e humb sheqerin përmes urinës, por duhet të keni kujdes sepse efektet anësore janë te infeksionet urinare, edhe kjo pa udhëzim të mjekut të mos përdoret. Bari tjetër është Ozempiku, i cili është mjaft aktual që po e përdorin për humbje të peshës dhe kontrollimin e sheqerit. Për pacientet që kanë problem me zemër është mjaft i mirë. Edhe ky ilaç ka efekte anësore, së pari është çmimi i lartë, pastaj efekte në shëndet e të cilat janë mjaft të shpeshta. Efektet më të rrezikshme e që për fat të mirë janë të rralla janë humbja e shikimit, mund të shkaktojë kancer të gjëndrës tiroide, dëmtim të pakthyeshëm të veshkave etj. Ky lloj bari mund të përdoret vetëm nëse përmbushen disa kritere. Nuk ka bar magjik për humbje të peshës, humbja e peshës më së miri arrihet me ushqim të shëndetshëm dhe aktivitete fizike”, ka shtuar ai.

Përveç ilaçeve, Shala tregon edhe mënyra të tjera për humbje të peshës, por thekson se pesha mund të rikthehet nëse nuk menaxhohet nga vetë personi.

“Përveç medikamenteve për humbje të peshës, mjaft përdoren edhe përmes vënies së balonës dhe operimit të lukthit, krejt këto edhe pse bëhen rrezik mbetet rikthimi i peshës në gjendjen paraprake nëse nuk kushtohet rëndësi menaxhimi ushqimor, aktivitetet fizike. Pra, më e mira për humbje të peshës është me metoda natyrale”, është shprehur Shala.

Ndërsa, sipas nutricionistëve, humbja apo shtimi i peshës më mirë menaxhohet me ushqim dhe aktivitet fizik sesa me medikamente.

“Çka është e trajtueshme me ilaçe duhet të konsultoheni me mjekun, ndërsa çka është e trajtueshme përmes ushqimit, ne nurtricionistët për këtë punë jemi. Nutriocionistët kanë për detyrë që përmes ushqimit ta shtyjnë personin në menaxhimin e peshës normale, pra shtimit dhe humbjes së peshës. Mbajtja e dietave të shëndetshme është gjeja më kryesore për humbje të peshës. Pjata e mëngjesit duhet të jetë e pasur me proteina, karbohidrate komplekse, yndyra të shëndetshme dhe asnjëherë nuk duhet ta harrojmë hidratimin. Të konsumohet më shumë ujë. Një drekë e shëndetshme duhet të përmbajë sasi të lartë të proteinës, e cila mund të jetë shtazore ose bimore, yndyra të shëndetshme patjetër që janë vaji i ullirit, avokado etj. Dhe të evitohen vajrat e farave të cilat nuk janë të shëndetshme. Ndërsa në darke duhet pasur kujdes sepse nuk duhet konsumuar e të evitohen pemët, sepse kanë sasi të larta të sheqerit. Më shumë të konsumohen sallatat, supat janë mundësi e mirë, po ashtu edh çajet ndihmojnë shumë në ngopjen gjatë darkës. Armiku më i madh i mbipeshës është disiplina, ushqimet e gatuara nga mielli i bardhë dhe ushqimet e përpunuara me shumë vaj”, ka thënë Flora Hajrizi, nutricioniste.

Tregu i Kosovës ofron edhe mundësi jo të ligjshme, që ilaçet e diabetit të blihen edhe pa recetë të mjekut, ndërsa nga Oda e Farmacisteve të Kosovës kanë thënë se një gjë e tillë duhet të ndalohet me anë ligjore.

“Iaçi Ozempic nuk mund të merret pa recetë të mjekut dhe përdorimi i tij duhet të bëhet me kujdes, për shkak të efekteve anësore. Pra, Ozempic jepet vetëm me recetë të mjekut. Përdorimi për humbje peshe lejohet kur rekomandohet vetëm nga mjeku, sidomos kur pacienti ka indeks të masës trupore të lartë. Për parandalimin e shitjes së Ozempic (semaglutide) pa recetë duhet të ndërmerren disa masa, sepse kemi të bëjmë me një ilaç të klasifikuar si ‘vetëm me recetë’ dhe me përdorim që kërkon monitorim. Masat që duhet të ndërmerren janë: Zbatimi i ligjit që ndalon dhënien e barnave pa recetë të mjekut, inspektime të rregullta në barnatore, gjoba ose masa disiplinore për shkeljet dhe, mbi gjitha, funksionalizim i sistemit informativ shëndetësor”, ka thënë Astrit Haxhijaha, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës.

Ozempic kur përdoret te personat që nuk kanë problem me rezistencën në insulinë apo probleme të tjera që lidhen me diabetin është raportuar se ka shkaktuar edhe probleme të ndryshme në shëndet.