SOT

Kosovarët ankohen për shtrenjtim, por thyejnë rekord në kërkesat për oferta pushimesh

Në një kohë kur pothuajse gjithçka po shtrenjtohet, ankesat për inflacionin e lartë dhe pagat e ulëta janë bërë të përditshme. Megjithatë, kjo nuk po i ndalon kosovarët që të bëjnë pushime të mira në verë.

Baki Hoti nga “Unioni i Turizmit të Kosovës” thotë se përkundër ankesave të rritjeve të çmimeve, agjencitë turistike flasin të kundërtën. Sipas tij, ato po përballen me një fluks të madh të rezervimeve, duke shënuar kështu një rekord në kërkesat për udhëtime.

“Po ndihet një problematikë sa i përket ekonomisë dhe sfidave që janë me çështjet globale që po ndodh dhe pritet çdo ditë shtrenjtim të çmimeve, nëse e shohim nga ana e agjencive turistike ata thonë se ka fluks të madh që rezervojnë oferta për të shkuar në pushime verore duke nisur nga Shqipëria, Turqia, Bullgaria e vende të tjera, sipas tyre ka shumë punë këtë vit dhe ka rritje të fluksit të qytetarëve që duan të marrin pushimet përmes ofertave të tyre”, ka thënë Hoti.

Ai shton se, krahas Shqipërisë, është rritur dukshëm interesimi edhe për destinacione si Greqia, Bullgaria dhe Turqia, edhe pse çmimet janë mbi 20% më të larta.

“Duke u bazuar në informatat që kam marrë nga agjencitë turistike çmimet këtë vit janë të rritura mbi 20% e në anën tjetër ka shtim të interesimit, se çka ka ndikuar nuk e di. Shumë kosovarë e kanë pasë destinacion Turqinë e tani me liberalizim të vizave ata po lëvizin në vendet si Greqia dhe ka shtim të kërkesave për këto vende”, ka shtuar ai.

Hoti apelon që bashkatdhetarët nga diaspora të eksplorojnë edhe turizmin malor në Kosovë sepse siç thekson ai “turizmi nuk zhvillohet vetëm në det”.

“Unioni i turizmit mundohet t’i mbrojë të drejtat e bizneseve dhe urojmë që ky sezon të shkojë mbarë, ne presim tani edhe diasporën dhe mundohemi me gjithë operatorët të i bëjmë pritje sa më të mira që ata të vijnë disa ditë në Kosovë dhe t’i vizitoj vendet e bukura të Kosovës e ne mundohemi t’i promovojmë atraksionet tona ku diaspora jonë të kalojë disa ditë në vendet tona të mira”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, thotë se disa qytetarë bëjnë sakrifica të mëdha, madje futen në borxhe, vetëm për të kaluar disa ditë pushimi në luks.

“Kur flasim për ankesat e qytetarëve ata ankohen për rritje të çmimit të e energjisë dhe shportës ushqimore por në anën tjetër nuk i ndal pushimet e çdo vikend pothuajse janë në Shqipëri, por në momentin që një qytetar ndan të holla për pushime nuk llogaritet qytetar që jeton nën mesatare sepse nëse bën një turizëm ke mirëqenie të mirë. Qytetarët në parim nuk i kanë kushtet për të bërë turizëm e për mua është e pakuptueshëm që qytetarët hyjnë në overdraft marrin borxhe e më pas kur të rikthehen mezi e përballojnë muajin”, ka thënë Kadriaj.

Sipas tij, në këtë kohë kur mezi mbyllet muaj pushimet duhet të jenë një luks i arsyeshëm dhe jo barrë financiare.

“Ne jemi në tranzicion sepse është e pakuptueshme të marrësh kredi për të shkuar në pushime, turizmi nuk është patjetër është diçka nëse i ke mundësitë i kryen obligimet e më pas të mbesin kursime e mund të shkosh në pushime”, ka potencuar ai.

Kadriaj thotë se qytetarët e Kosovës paguajnë çmime të larta për pushime në Shqipëri, por shpeshherë nuk marrin shërbimin e duhur. Sipas tij, kjo ka bërë që kohëve të fundit të ndryshojnë edhe planet për destinacionet e verës.

“Në ekonominë e tregut nëse pushuesi nuk e merr shërbimin e mirë atëherë patjetër se zgjedh vendin që e mirëpret, Greqia ka çmim të përafërt me Shqipërinë e madje kushtet më të mira prandaj edhe këtë vend e zgjedhin si opsion, sepse shqiptarët duhet ta rrisin mirëpritjen e turistëve sepse përndryshe askush nuk vjen në bregdetin tënd”, ka përfunduar Kadriaj.

Këtë vit, vera ka ardhur më herët se zakonisht. Qershori ka qenë me temperatura të larta, dhe fundjavat janë shfrytëzuar masivisht nga kosovarët për të udhëtuar drejt bregdetit shqiptar si parapërgatitje për pushimet e gjata të verës që po afrohen.