SOT

Linja për Aeroport çdo 2 orë, qytetarët kërkojnë të ketë autobusë më shpesh

Autobusi i linjës 1A po pret para Stacionit të Autobusëve në Prishtinë për t’u mbushur me udhëtarë.

Çdo dy orë në të njëjtin vend qytetarët mund të marrin këtë autobus për të shkuar në aeroport për vetëm 3 euro pagesë.

Përderisa më parë kjo linjë ka qarkulluar çdo 1 orë, tani ajo është rralluar në 2 orë duke vendosur kështu njoftimet edhe para vendit ku ndalet ai. E njëjta vlen edhe anasjelltas.

Kjo po paraqet problem për qytetarët sidomos për ata të cilët udhëtojnë rregullisht jashtë shtetit dhe e shfrytëzojnë këtë linjë për të shkuar deri në aeroport dhe anasjelltas.

Maliq Maliqi është njëri prej tyre.  Nga Gjilani është nisur në orën 10:00 për të shkuar në aeroport, pasi aeroplanin e ka në orën 17:00.

Sipas tij do të ishte më mirë që ky shërbim të rikthehej çdo një orë.

Të njëjtin mendim e ndanë edhe një qytetar tjetër i cili udhëton herë pas here jashtë vendit.

Përveç vendorëve, këtë linjë po e përdorin çdoherë e më shumë edhe turistët e huaj.

Përveç ankesës për qarkullim të rrallë, një turist thotë se kishte problem edhe të gjente vendin se ku ndalet ky autobus, pasi nuk ka askund asnjë informacion.

“Jam herët shumë herët, por më mirë preferoj të shkoj më herët sesa të vonohem dhe të humb aeroplanin. Kështu që po shkoj 3-4 orë më herët. Por do të ishte mirë të kishte informacione më të detajuara në stacion se ku ndalet autobusi pasi nuk ka një informacion të tillë. Për rreth 1 orë i kam pyetur 5 persona se ku duhet të pres këtë linjë dhe vetëm 2 persona mezi më treguan ku, megjithëse as ata nuk e dinin saktë se ku, më thoshin se përafërsisht do të ndalet këtu diku”, ka thënë një qytetar.

Ndryshimin e qarkullimit të linjës 1A nga çdo një orë në çdo dy orë e ka bërë “Trafiku Urban” në kohën e pandemisë.

Sipas kësaj kompanie, në atë periudhë nuk kishte shumë udhëtarë kësisoj e kanë reduktuar edhe linjën e cila ka mbetur e njëjta edhe pas pandemisë.

“Ndryshimi është bërë që në kohën e pandemisë. Atëherë është reduktuar shërbimi për shkak se nuk ka pasur udhëtarë shumë gjatë asaj kohe dhe nuk ka qenë e nevojshme për më shumë. Kjo ka vazhduar edhe pas pandemisë, sepse nuk ka pasur kërkesa për të shtuar më shumë autobusë. Por me ardhjen e autobusëve të rinj parashihet që linja për aeroport të bëhet çdo 1 orë. Autobusët e rinj pritet të vijnë pas Vitit të Ri”, thuhet në përgjigjen e Trafikut Urban.

Nga pagesa lirohen pensionistët dhe kategoritë e tjera, vendim i marrë nga Komuna e Prishtinës si në të gjitha linjat e tjera të “Trafikut Urban”.

Orari i nisjeve nga Stacioni i Autobusëve është ora tek, duke filluar nga ora 7. Ndërsa ora çift duke filluar nga ora 8 e deri në 12:00 të natës është nga aeroporti.