SOT

Mbesa autike e shtyu Hatixhe Hoxhën ta themelojë shoqatën “Autizmi”

Para shumë vitesh në familjen Hoxha kishte ardhur një vajzë e cila ishte autike, pamundësia që familja kishte në trajtimin e vajzës e kishte shtyrë hallën Hatixhe Hoxhën që të themelojë një shoqatë ku do të trajtoheshin të gjithë fëmijët në Kosovë që e kanë këtë çrregullim. Shoqata “Autizmi” ofron shumë shërbime për fëmijët autikë. Përmes materialit që është i përgatitur nga Meridiana, do ta ndjekim rrëfimin e Hoxhës për sfidat që ka pasur në forcimin e shoqatës.

Ishte viti 1996, kur në familjen Hoxha kishte ardhur në jetë një vajzë e cila ishte e diagnostikuar me autizëm.

Mungesa e shërbimeve në Kosovë në atë kohë dhe mungesa e informacionit, e kishte shtyrë hallën e saj Hatixhe Hoxha, që të interesohej dhe së bashku me disa prindër të tjerë kishte marrë iniciativën që ta themelonin një qendër ku të gjithë fëmijët autikë do të kishin mundësi që t’i marrin shërbimet më lehtë.

Mungesa e informimit dhe e shërbimeve në Kosovë ka qenë e theksuar para vitit 2009, kjo gjë për familjen Hoxha ka qenë shumë sfiduese.

“Sfidat kanë qenë të mëdha për mua në fillimet e mia, fati ka qenë që vëllai im që nga atëherë fokusi im ka qenë që të fokusohem 100 për qind te vajza e cila ka qenë fëmija i tretë në familje, e cila ka qenë e diagnostikuar me autizëm. E kemi pasur shumë të vështirë sepse nuk ka pasur asnjë institucion që ka ofruar shërbime të tilla ne kemi pasur edhe mungesë të informacionit, kemi hulumtuar, ne ishim të vetëm sepse në familje të tjera nuk kishim parë fëmijë të tillë. Kur është bërë klasa e bashkangjitur në shkollën ‘Ismajl Qemajli’, mandej aty i ka vijuar mësimet mbesa”, deklaron Hoxha.

Në shoqatë kanë kontribuar edhe një grup prindërish me fëmijë autikë.

“Për fatin tonë të mirë ne jemi takuar me një nënë shqiptare e cila ka jetuar në USA, dhe ka pasur djalin autik dhe ne e quajmë ambasadore e Autizmit në Kosovë. Ajo na ka dhënë më shumë informacione. Më vonë së bashku me Shpresa Gjaklin dhe një grup tjetër kemi vazhduar dhe sot e kemi themeluar shoqatën “Autizmi”, ndër të parat lider në Kosovë ne i kemi edhe 4 degë në Prishtinë, Prizren, Podujevë dhe Lipjan që ofrojmë shërbime me grupmoshat 2 deri në 18 vjeç. Para vitit 2009-2010 nuk ka pasur një qendër ku do të orientoheshin prindërit për trajtime”, thotë Hoxha.

Shoqata ofron edhe shërbime të tjera për fëmijët nga mosha 2 deri në 18 vjeç që janë autikë.

“Fillimisht ne mbajmë konsulta me prindër, kjo konsultë përfshin psikologun, egroterapeutin, logopedin dhe punëtorin social. Pas konsultës ne e shohim a po kemi mundësi që t’i ndihmojmë fëmijës, pas kësaj ne krijojmë një raport dhe nëse ne vlerësojmë se ai fëmijë mund të trajtohet nga ne, ne fillojmë që t’i tregojmë prindit që fëmija ka një fazë të përshtatshmërisë kur hyn në shoqatë, sepse ambientohet me trapistin dhe ambientin që ne e ofrojmë. Pas kësaj ne vlerësojmë mandej fëmijët”, thotë mbikëqyrësi Burhan Azizi.

Mbikëqyrësi Asdren Hoxha tregon fazat në të cilat kalojnë fëmijët drejt pranimit në qendër.

“Pas vlerësimit fillestar fëmijës i caktohet një nga 6 klasat që ne i kemi. I kemi 2 klasa të fëmijëve të vegjël, klasën e tranzicionit ku i përgatitim për shkollë dhe për kopshte. Pastaj i kemi edhe klasat e tjera, në bazë të aftësive të fëmijëve ne e përcaktojmë edhe klasën për të cilën ka nevojë fëmija”, deklaron ai.

Shoqata “Autizmi” u themelua në vitin 2011 dhe aktualisht trajton mbi 60 fëmijë në Prishtinë.