SOT

Mërgimtari që solli fluturaken në Pojatë, tani kontribuon edhe në mirëmbajtjen e fshatit

Të shumtë janë ata që fshatin Pojatë të Ferizajt e njohin për fluturaken e famshme të mërgimtarit nga Gjermania, Musli Mehmeti.

Edhe këtë herë, Mehmeti pushimin e verës po e kalon këtu e në të shumtën e rasteve në qiellin e kësaj hapësire me mjetet fluturuese që janë në garazhin e tij, për të cilën thotë se fluturimi në vendlindje nuk krahasohet me asnjë vend tjetër.

“Është një ndjesi e veçantë, të fluturosh është e veçantë dhe tanimë janë bërë mbi 15 vjet që kam fluturaken. Me këtë fluturake udhëtoj shumë më shpesh sepse dal shumë më lehtë me të e në anën tjetër aeroplani është më i komplikuar dhe ka procedura. Në Kosovë vij shumë shpesh, një muaj jam në Gjermani e tjetrin në Kosovë, e dua vendin tim dua të kontribuoj në shkollën e aeronautikës, por fatkeqësisht nuk po realizohet sepse ka pengesa në vendin tonë. Zakonisht kur të vij menjëherë në ditë të para dal me fluturake, së pari u bëj kontrollet teknike të mirëmbajtjes e më pas fluturoj, aty e kuptojnë fshatarët që kam ardh dhe menjëherë më shënojnë më tregojnë se po më shohin dhe gëzohen që kam ardh”, ka thënë Mehmeti.

Ai thotë se me ato mundësi që pati krijoi edhe pistën e fluturimit, porse kushtet nuk janë më të mirat për të ushtruar profesionin e aviacionit.

“Në komunën e Ferizajt janë dhe dy fluturake por nuk janë aktive, më njohin gjithë rajoni i Ferizajt, ata shokët që kanë fluturakët nuk i kanë kushtet, u mungojnë pistat, e unë këto i kam improvizuar në vendin tim. Ka të interesuar por frika nuk i lë të fluturojnë dhe thonë se është sport i shtrenjtë. Unë e kam një djalë dhe dy vajza, djali ka hipur disa herë në fluturake por nuk i pëlqen si sport dhe nuk dëshiron të merret me të”, ka shtuar ai.

Mehmeti përpos që solli mjete aviacioni në Pojatë, ai solli edhe makineri të tjera të cilat ndihmojnë në mirëmbajtjen e fshatit, e madje në mënyrë vullnetare përkujdeset për ambientin përreth, ku mori iniciativën për ndërtimin e një objekti i cili do të jetë i shfrytëzueshëm nga të gjithë bashkëfshatarët për raste të ndryshme.

“Fshati ynë është shumë specifik sepse unë kur kam lind kanë qenë vetëm 3 shtëpi, e tani janë afro 50 shtëpi, të gjithë jemi familjarë mes vete. Fshati është shumë i bukur por të bëhet edhe më i bukur duhet investuar e punuar me të. kemi bërë disa aktivitete bashkë me fshatarët, e kemi ndërtuar një objekt për të pame, kam mbjellë 200 pemë   dekorative përreth rrugës, kam pajisur fshatin me shporta për mbeturina, bëj mirëmbajtjen me kositjen kam sjellë një makineri nga Gjermania vetëm të bëhet fshati edhe më i bukur se që është”, ka thënë ai.

Ai thotë se përpos kontributit të tij me pajisje të sjella nga Gjermania, janë edhe bashkëfshatarët që japin dorën e ndihmës kurdo që organizojnë aksione të tilla.

“Unë kam lind këtu dhe këtu dua të përfundoj, kush ka mundësi është mirë të ndihmoj vendin e tij, unë kam mundësi dhe bashkë me fshatarët bëjmë të mira tek fshati, por falë makinerive që kam sjellë puna dhe mirëmbajtja është shumë më e lehtë”, ka shtuar Mehmeti.

Mehmeti është krenar dhe i lumtur për fshatin e tij të lindjes dhe mendon edhe vetë rikthimin këtu.

“Jemi të gjithë kushërinjtë mes vete, jemi të afërt, patjetër më falënderojnë për kontributin, por edhe ata shumë kanë migruar, këta që janë këtu mundohen të më ndihmojnë dhe të japin kontributin e tyre. Aktualisht fshatit nuk i mungon asgjë, kemi rrugën e shtruar, kemi rrjetin e kanalizimit, kemi ujësjellës, gjitha nevojat bazike për jetesë i kemi në fshat. Herë do kur mendoj të kthehem këtu, unë kam sjellë edhe mjete të shumta të aviacionit me shpresën ta hapi shkollën dhe të kemi pilot të rinjtë por shpresoj të bëhet realitet dhe të kthehem. Ka ende punë për tu punuar në vendin tonë, por siç kemi qenë nuk jemi, kemi përparuar dhe për këtë gëzohem shumë”, ka thënë ai.

Bashkatdhetarët në vazhdimësi kanë qenë ndihmë e madhe financiare për familjarët e tyre që jetojnë në Kosovë, por kohëve të fundit ata janë shembulli më i mirë i atdhedashurisë, e kontributi i tyre nuk ndalet vetëm në rrethin e ngushtë familjar, por tejkalon atë. Ata po investojnë në biznese, ndërtim e infrastrukturë, duke sjellë përvoja dhe ide të reja që ndihmojnë në zhvillimin e vendit.