SOT

Oborri i shkollës, nga hapësira e harruar në shembull për komunitetin

Oborret e shkollave në Kosovë shpeshherë mbesin hapësira të zakonshme betoni, por në një shkollë të Prishtinës pamja është krejt ndryshe.

Falë angazhimit të drejtorit Nazif Jashari, oborri i shkollës është shndërruar në një oazë gjelbërimi, ku nxënësit gjejnë frymëzim, freski dhe qetësi gjatë kohës së tyre në shkollë.

Nën drejtimin e tij, hapësira e jashtme u mbush me lule, pemë dhe shkurre dekorative, duke e kthyer në një ambient tërheqës për fëmijët, mësimdhënësit dhe komunitetin.

Ky transformim nuk është vetëm estetik, por edhe edukativ. Nxënësit po mësojnë për rëndësinë e ruajtjes së natyrës, përkujdesjes ndaj bimëve dhe përgjegjësisë kolektive për hapësirat e përbashkëta.

“Është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe nder kur një drejtor ka mundësi dhe angazhohet dhe të punojë për shkollën sidomos te oborri i shkollës që është edhe hyrja e shkollës dh e ka një pamje të bukur në pamje edhe nga hyrja e shkollë secili e krijon një përshtypje edhe për shkollën brenda dhe mirëmbajtjen. Unë prej ditës së parë që kam ardhur drejtor në këtë shkollë e kam ngritë çështjen kryesore që mbeturinat para shkollës të largohen dhe ta bëjmë edhe transferimin e oborrit. Kemi pasur fatin që oborrin e kemi transferua së bashku edhe me komunën, jemi duke e shqyrtuar edhe mundësinë e shenjëzimit të oborrit”, ka thënë Jashari.

Angazhimi i Jasharit ka qenë edhe në përfitimin e donacioneve nga organizata të huaja, sidomos për drunjë dekorativ.

“Oborri i shkollës më herët ka qenë në gjendje shumë të keqe dhe synimi ynë që oborri të jetë puna jonë e parë që e përfundojmë. Ulëset i kemi pasur por fati jonë ka qenë që kemi marrë edhe donacione edhe pemë që ta mbajmë më të gjelbëruar kopshtin, kemi hapur edhe një pus por që kemi problem me ujin për shkak të relievit. Ulëset i kemi përfituar nga Ministria e Arsimit, por edhe nga Ndërmarrja e Gjelbër kemi intervenuar dhe na ka ndihmuar”, ka shtuar ai.

Puna për gjelbërimin është realizuar me përfshirjen e vetë nxënësve dhe stafit të shkollës, të cilët kanë kontribuar në mbjellje dhe mirëmbajtje.

Përfitimet tashmë janë të dukshme, një ambient më i shëndetshëm, një atmosferë pozitive për mësim dhe një shembull për shkollat e tjera që të ndjekin këtë nismë.

“Gjithmonë kemi bashkëpunuar që këta drunjtë dhe ky oborr të mirëmbahet edhe duke i vetëdijesuar edhe fëmijët për rolin e madh që e ka ambienti dhe që nuk duhet ta ndotin. Ky park i shkollës, fëmijët të punojnë në të dhe të mos e ndotin, ne së bashku me nxënës kemi mbjellë drunjtë dhe e kemi pastruar që fëmijët ta dinë që kjo hapësirë është e të gjithëve dhe duhet kujdesur”, është shprehur ai.

Jashari ka lindur dhe është shkolluar në këtë lagje dhe thotë që rikthimin në udhëheqjen e këtij institucioni ka qenë që të vazhdojë kontributin në komunitetin e tij.

“Kjo është lagjja ime këtu jam lindur dhe rritur këtu i kam kryer shkollën dhe kam udhëhequr me shkollën tjetër në Kodrën e Trimave. Këtu jam qe 5 vjet për të vazhduar kontributin tim sepse e njoh rrethin dhe problemet e shkollimit këtu. Kur i njeh banorët, lagjen e mësimdhënësit bashkëpunimi është i mirëseardhur, kemi përfituar donacione edhe nga Gizi gjerman pasi jemi zgjedhur kampion në mesin e 20 vendeve të botës”, ka deklaruar Jashari.

Puna e Nazif Jasharit dëshmon se vizioni i një drejtuesi mund të ndryshojë jo vetëm pamjen e një shkolle, por edhe kulturën e të nxënit, duke u dhënë fëmijëve një mesazh të fortë se kujdesi për natyrën është kujdes për të ardhmen.