Vapës së madhe të korrikut që ka përfshirë globin, zonja Maria Gjini Kurti ka vendosur t’i ikë duke e kaluar në freskinë e maleve të bukura të Brezovicës.
Për të, Brezovica ka qenë gjithmonë vendi ku ka gjetur qetësinë dhe përfitime të tjera shëndetësore tash e 45 vjet.
“Unë jam Maria Gjini Kurti nga Ferizaj dhe nga Brezovica, një kohë e kaloj në Ferizaj e një kohë sikurse sot me vapë të madhe vij në Brezovicë në vilën time që e kam që 45 vjet, është atmosfera e këndshme, dëgjoj cicërimën e zogjve, është ajër i pastër e më e mira është efekti që ka për rruazat e kuqe të gjakut. Gjaku është esencial për trupin e njeriut dhe nëse me to je në rregull nuk ka më mirë. Në kohën time të rinisë kam pasë probleme me marramendje dhe në bazë të një kontrolle më thanë që pasqyrën e gjakut e kam keq dhe duhesha të shkoja diku në mal, në atë kohë nuk e kishim vilën por aty vendosëm ta bëjmë një vilë në Brezovicë”, thekson ajo.
Koha e pensionimit e riktheu zonjën Maria për periudha më të gjata në Brezovicë. Ajo beson se çdo fazë e jetës duhet të pranohet dhe të jetohet me qetësi edhe kjo kohë, për të, është pushim nga një jetë e mbushur me aktivitete.
“Brezovica ka ndryshuar për të keq, është mbushur me ndërtime nuk e di se kush jep leje për këto por nuk është Brezovica siç ka qenë dikur, ne duhet ta ruajmë natyrën dhe jo ta shkatërrojmë, një kohë pas pensionimit kam jetuar verë e dimër këtu, e kurdo që mundem prapë rikthehem këtu, unë çdo periudhë e shijoj dhe e pranoj ashtu ka qenë edhe koha e pensionimit edhe pse kam qenë shumë aktive por e kam kuptuar që është koha të bëj pushim”, deklaron ajo.
Edhe pse në një moshë të shtyrë, zonja Maria nuk është ndarë kurrë nga leximi. Mëngjeset në Brezovicë i fillon me një libër në dorë ose duke plotësuar fjalëkryqe.
“Unë e aranzhoj kohën time, nuk mërzitem fare, këtu kujdesem për kopshtin tim, me lule me oborr, i kam pasë dy fqinje por ato kanë ndërruar jetë me to jemi end vazhdimisht, e tani jam tip që bëj diçka mos të më kaloj koha kot, punoj në shtëpi, e më shumë kohën e kaloj duke lexuar dhe plotësuar fjalëkryqe”, shton ajo.
Pas një jete të gjatë dhe aktive si mësuese, ajo ndjeu nevojën për angazhim edhe pas pensionimit. Kështu, bashkë me një kolege, themeloi një qendër për zonjat pensioniste të Ferizajt, ku ato mund të shoqërohen dhe të kalojnë kohën së bashku.
“Një mbrëmje kam qenë shumë nervoze dhe dola në ballkon dhe më thërret djali, i tregova që jam shumë nervoz dhe djali më tha që duhet të merrem me diçka sepse nuk jam mësuar të rri pa bërë diçka, e mendova se ka gra të tilla sikurse unë që nuk dinë të aranzhojnë jetën e vet dhe nuk kanë me çka të merren, prandaj mora iniciativën në këtë moshë të shtyrë të krijoj një qendër për pensionistet ku mund të kalojnë kohën së bashku dhe kështu e bëmë qendrën bashkë me një kolegen time Nazmie Bekteshi”, thotë pensionistja.
Zonja Maria këshillon të gjithë pensionistët që edhe këtë periudhë ta shijojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të jenë aktivë në çfarëdo aktiviteti që ata duan ta bëjnë.
“Unë të gjithëve u them që duhet ditur të aranzhojmë ditën tonë, pensionistëve u them të lexojnë sa më shumë, ne kemi lexuar shumë por tani të rinjtë nuk janë aktiv siç kemi qenë ne, le të merren me diçka madje edhe me një vazo lule por vetëm mos të rrinë kot dhe ta kenë një ditë aktive”, shton ajo.
Zonja Maria ka një përkushtim të veçantë edhe për kopshtin e saj në Brezovicë. Ajo shijon çdo lule që ka lulëzuar dhe që i jep më shumë aromë dhe freski hapësirës përreth vilës së saj.