SOT

Pishina e Banjës me veti shëruese për disa sëmundje

Në fshatin Banjë të Malishevës ndodhet një burim uji, që prej vitit 1975 shfrytëzohet si pishinë relaksuese dhe shëruese. 

Me thellësi deri në 2 metra, kjo pishinë ruan temperaturën konstante prej 22 gradësh celsius, si në verë ashtu edhe në dimër. 

Burimi kryesor i ujit gjendet brenda saj dhe njihet për vetitë shëruese të sëmundjeve të lëkurës, lukthit dhe thatëve.

Pishina frekuentohet nga vizitorë vendorë e të huaj, ku për një biletë të rriturit paguajnë 3 euro, fëmijët 2 euro, ndërsa vendasit janë të liruar nga pagesa.

“Unë vazhdimisht vij këtu, por ka që edhe e shfrytëzojnë për mjekim, marrin ujë nga të gjitha anët. E përdorin për pije dhe shërim të puçrrave ose të ithatave. Uji është shërues dhe buron nga toka. Gjatë verës këtu vijnë shumë vizitorë, më shumë vijnë nga larg sesa ne që jemi këtu. Unë vij këtu me shokët, lahemi dhe pimë kafe”, thotë ish-mësuesi i historisë, Faik Telaku.

Rifat Arifaj bashkë me shokët e tij ka marrë rrugë nga Istogu për te pishina e fshatit Banjë.

Thotë se do ta shpeshtojë ardhjen këtu dhe herën tjetër do ta marrë edhe familjen. 

“Vijë për herë të parë në këtë banjë, qenka shumë e mrekullueshme, e bukur. Sipas standardit qenka e mirë edhe për shtresa të ulëta, i ftoj të gjithë që ta vizitojnë. Qenka ujë i pijshëm dhe i shëndetshëm. Ne e kemi edhe banjën e Pejës, por kjo më ka lënë përshtypje. Krejt verën jam bari, tash e kam nis me pishinën e Malishevës, pastaj do të shkoj në pishinë”, tregon Arifaj.

Pishinën e vizitojnë edhe mërgimtarët. Njëri prej tyre është Sadik Kafegjolli, i cili për çdo pushim e shfrytëzon këtë pishinë për not.

“Jetoj në Gjermani, punoj atje që 23 vjet. Çdo herë kur vij Kosovë, e shfrytëzoj pishinën e Malishevës. Është një mrekulli që e kemi këtë ujë. Edhe kohën e dimrit 14 gradë kur ka qenë, jam larë në këtë ujë. Çdo gjë këtu është mirë, tjera vende nuk ka kësi uji. Çdokush s’e ka këtë ujë”, deklaron Kafegjolli.

Pushuesit në këtë pishinë janë nën kujdesin e infermierëve dhe zhytësve në rast të ndonjë incidenti.

Klube të ndryshme të notit pishinën e Banjës e shfrytëzojnë për stërvitje e gara të notit.