SOT

Teknologjia ndikon në të folur, nxënësit me shërbime logopedie falas

Janë bërë pesë vjet prejse brenda shkollës fillore “Emin Duraku” nxënësit mund të marrin shërbime logopedie. 

Drejtoresha e shoqatës “Instituti Kosovar për Logopedi”, Ardita Uka-Rexha, thotë se logopedët janë pranuar mirë nga prindërit për fëmijët e tyre, ndryshe nga vitet e mëhershme. 

“ ‘Instituti Kosovar për Logopedi’ është organizatë që themelu në vitin 2016 dhe që nga ai vit jemi mund me e ngrit zërin për fëmijët që kanë vështirësi në të folur. Misioni ynë është me tregu rëndësinë e logopedit, pasi që në atë kohë logopedia ka qenë një fenomen i ri e tash kanë ndryshu paragjykimet e pikëmpamjet nga ana e prindërve, sepse ata po janë më të vetëdijesum, andaj mendoj se ja kemi arrit një suksesi të madh që nga ai vit. Unë mendoj se kudo që ka fëmijë duhet të ketë logoped duke e ditur se çfarë po bën teknologjia e sa probleme po shkakton në komunikim”, thotç Uka-Rexha. 

Prezenca e lartë e teknologjisë, sipas logopedëve, po ndikon në vështirësitë e fëmijëve në të shprehur. 

Problemet e fëmijëve që kanë nevojë për logoped mund të jenë të njëjta, por njëra nga logopedët thotë se teknikat për trajtimin e tyre dallojnë. 

“Jam në përfundim të vitit të tretë si studente për logopedi. Aktualisht jam pjesë e shkollës fillore ‘Emin Duraku’ ku po e bëjë praktikën për logopedi. Përvoja ime në kabinete shkollore ka të bëjë me ndihmën e nevojave të fëmijëve që i kanë në të folur dhe në të shkruar. Mundohemi të bëjmë planë individuale varësisht se çfarë problemi ka, sepse mund të ketë fëmijë me problem të njëjtë, por mënyra e diagnozës së tyre dallon”, thekson Alije Podvorica, logopedë.

Sipas drejtorit të shkollës “Emin Duraku”, Visar Osmani, shërbimet logopedike merren falas në shkollë. 
Në fillim ishte numër i vogël i nxënësve që kërkonin takime me logopedët, por më pas ky numër u rrit dhe u pranua mirë nga prindërit, thotë Osmani. 

“Për momentin është kabineti i vetëm i logopedisë që ofron shërbime falas për nxënës në Komunë të Prishtinës i përkrahur prej Drejtorisë së Punës dhe Mirqëenies Sociale. Është viti i pestë që ofron këto shërbime, pastaj i gjithë aktiviteti ka filluar në kuadër të Institutit Kosova për Logopedi. Në vitin e parë numri ka qenë diku 10 nxënës që kanë kërkuar ndihmë, pastaj duke u rritur nevoja më tepër për këto shërbime kujtoj një vit që deri në 40 fëmijë kanë marrë shërbime logopedike dhe sot kabineti është funksional dhe funksionon pa ndërprerje. Në fillim ka qenë një lloj hezitimi nga prindërit, por kur është kuptuar që çdo shërbim është gratis, derisa në ordinanca private kostoja e shërbimeve logopedike është goxha e shtrenjtë, atëherë e kanë pritur me mirëkuptim dhe kanë shprehur gatishmëri për të përkrahur në forma të ndryshme”, thekson Osmani.

Në shkollën “Emin Duraku” në kryeqytet shërbimet logopedike për nxënësit mund të merren nga ora 8 e mëngjesit.