Basketbollisti i NBA-së, Giannis Antetokounmpo, nuk do të luajë për Greqinë në Kupën e Botës që fillon në fund të këtij muaji. Ylli i Milwaukee Bucks tha të premten se së bashku me këshilltarët e tij mjekësorë vendosën se ai thjesht nuk është gati fizikisht për të luajtur në ngjarjen e madhe të basketbollit.
Antetokounmpo kishte një operacion në gjurin e majtë në fillim të kësaj vere dhe i duhet kohë për ta marrë veten në aspektin fizik.
Greqia do të luajë me SHBA-në, Jordaninë dhe Zelandën e Re në ndeshjet e fazës së grupeve në turneun në Manila. Botërori fillon më 25 gusht dhe mbahet në Filipine, Indonezi dhe Japoni.
“Të gjithë e dinë se pasioni dhe dashuria ime për përfaqësuesen time nuk kanë ndryshuar dhe nuk do të ndryshojnë kurrë”, shkroi Antetokounmpo në një deklaratë të lëshuar të premten.
“Që nga përfundimi i sezonit tim në NBA, unë e kam shtyrë trupin tim në kufijtë e tij për të qenë lojtari që duhet të jem për të ndihmuar ekipin të arrijë objektivat që kishte vendosur. Por pas muajsh pune dhe takimesh të shumta me stafin mjekësor, është e qartë se nuk jam gati të garoj në nivelin që duhet të jem për të marrë pjesë në Kupën e Botës”.
Antetokounmpo humbi 19 ndeshje të sezonit të rregullt për Milwaukee Bucks në edicionin e fundit, 11 prej tyre për shkak të dhimbjes në gjurin e majtë. Te Milwaukee Bucks kanë thënë se besojnë se operacioni në gjurin e tij shkoi mirë dhe se ata presin që superylli të jetë gati për kampin stërvitor, i cili fillon pas rreth shtatë javë.
Mungesa e Antetokounmpos do të dëmtojë edhe më shumë Kampionatin Botëror. Ai do të bëhet njëri prej yjeve të radhës që nuk do të paraqitet në këtë ngjarje. Vetëm dy anëtarë të ekipit All-Star të NBA-së të edicionit të fundit – Luka Donçiq i Sllovenisë nga Dallas Mavericks dhe kanadezi Shai Gilgeous-Alexander i Oklahoma Cityt – kanë planifikuar të luajnë në Botëror.
Antetokounmpo është paraqitur shtatë herë në ndeshjet All-Star, dy herë është shpallur MVP i NBA-së dhe udhëhoqi Milwaukee Bucks drejt titullit të kampionit në vitin 2021. Ai edicionin e fundit luajti me mesatare prej 31.1 pikëve dhe 11.8 kërcimeve për ndeshje.
Përfaqësuesja e Greqisë me Antetokounmpon në radhët e veta do të ishte prej më të fortave në Botëror. Por mungesa e tij përfundimisht do të ndihet. Edhe pse nuk do të paraqitet në Botëror, Antetokounmpo pranoi se dëshiron të luajë me Greqinë në Lojërat Olimpike të Parisit që mbahen vitin e ardhshëm.
“Kjo nuk ishte një zgjedhje, por opsioni im i vetëm për t’u siguruar që të kthehem në nivelin e basketbollit për të cilin kam punuar aq shumë për të arritur deri këtu në karrierën time”, tha Antetokounmpo. “Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer që nuk do të paraqitem në Kupën e Botës, por ky ishte një vendim i marrë me stafin mjekësor. Unë do të vazhdoj ta shtyj veten që të jem gati për herën tjetër kur emri im të thirret, pra për Lojërat Olimpike të Parisit”.