Pasi e fitoi trofeun e parë për këtë vit në futbollin kosovar, Ballkani i Suharekës po synon ta fillojë me fitore edhe stinorin pranveror të Superligës së Kosovës. Javë më parë, Ballkani e mposhti Llapin në Antalia për ta fituar Superkupën e Kosovës për edicionin e kaluar.
Ndërkohë, të shtunën e nis rrugëtimin për ta mbrojtur titullin e kampionit që e fitoi edicionin e shkuar. Në ndeshjen e parë të stinorit pranveror, Ballkani është mysafir i skuadrës së Malishevës. Ndeshja luhet në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë prej orës 13:00 dhe i takon xhiros së 19-të.
Ballkani është i dyti në tabelë me 38 pikë, sa i ka edhe Drita që është lidere falë goldallimit më të mirë. Malisheva renditet e teta me 19 pikë të tubuara.
Në dy ndeshjet e stinorit vjeshtor, Ballkani ka triumfuar ndaj Malishevës – 3:2 në udhëtim dhe 2:1 në shtëpi. Të dy skuadrat javën e kaluar avancuan në çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Me fitore, te skuadra nga Suhareka shpresojnë ta vazhdojnë edhe të shtunën.
Mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi, ka thënë të premten për KOHËN se janë gati për pjesën e dytë të kampionatit. Sipas Thaqit, Ballkani është përgatitur mirë gjatë pushimit dimëror. Ai ka paralajmëruar se nuk i pret ndeshje e lehtë, ndërsa ka vlerësuar lart Malishevën, e cila tani udhëhiqet nga Bybyl Sokoli. Sokoli është trajneri i tretë në krye të Malishevës këtë edicion pas Arsim Thaqit e Sami Sermaxhajt.
“Po e fillojmë stinorin pranveror pas një pushimi shumë të nevojshëm. Mendoj se pushimi na ka rigjeneruar në mënyrën më të mirë të mundshme pas orarit të ngarkuar në vjeshtë. Jemi të gatshëm dhe të përgatitur që të japim maksimumin në pranverë. E nisim në udhëtim te Malisheva dhe e kemi parasysh se kjo është finalja e parë për të arritur qëllimin që e kemi në fund të sezonit”, ka thënë Thaqi. “Do të jetë një ndeshje e vështirë sepse Malisheva ka skuadër cilësore dhe si vendase është shumë e fortë. Duhet të angazhohemi maksimalisht për të marrë tri pikët për të cilat edhe do të udhëtojmë, por nuk do të jetë lehtë aspak”.
Edhe te Malisheva e kanë vlerësuar si shumë të fortë përballjen me Ballkanin. Mirëpo kanë insistuar se synimi është të marrin një rezultat pozitiv pasi vetëm në këtë mënyrë mund të largohen nga zona e rënies. Aktualisht, Malisheva është në pozitën që siguron ndeshjen e plejautit në fund të edicionit.
“Përballë kemi një kundërshtar shumë të fortë dhe na pret një ndeshje tepër e vështirë në xhiron e parë në pranverë. Por ne nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi. Ballkani ka lojtarë cilësorë në radhët e veta, por ne do të japim më të mirën nga vetja që të mos mposhtemi në shtëpi”, ka thënë sulmuesi i Malishevës, Alban Shillova. “Jemi përgatitur mirë dhe mendoj se jemi plotësisht gati për pranverë. Si ekip jemi të motivuar dhe kam besim se do t’ia dalim ndaj Malishevës. Personalisht shpresoj të shënoj gol dhe ta ndihmoj ekipin për rezultat pozitiv”.
Të shtunën zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera.
Skuadra e Gjilanit, që është riorganizuar në momentet e fundit, e pret në shtëpi Ferizajn. Ferizaj zë vendin e fundit në tabelë me 13 pikë, ndërsa gjatë afatit kalimtar të dimrit ka bërë shumë përforcime. Ndërkohë, Drenica si vendase luan kundër Llapit në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, pasi stadiumi në Skënderaj nuk mund të shfrytëzohet për shkak të dëmtimeve nga përmbytjet.
Të dielën do të luhen dy ndeshjet tjera me të cilat do të mbyllet xhiroja e parë e stinorit pranveror.
Në Klinë, skuadra e Dukagjinit do të përballet me Prishtinën. Këto skuadra luajtën të hënën në Lipjan në kuadër të Kupës së Kosovës dhe Prishtina e eliminoi Dukagjinin duke e mposhtur me rezultatin 3:1. Ndeshja tjetër e së dielës është ajo ndërmjet Trepçës ’89 dhe Dritës, në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë. Trepça ’89 është e parafundit në tabelë me 19 pikë.
Superliga – XIX
E shtunë (13:00)
Malisheva – Ballkani
Gjilani – Ferizaj
Drenica – Llapi
E diel (13:00)
Dukagjini – Prishtina
Trepça ’89 – Drita
1. Drita 18 11 5 2 36:19 38
2. Ballkani 18 11 5 2 30:15 38
3. Prishtina 18 7 6 5 25:19 27
4. Gjilani 18 7 6 5 18:21 27
5. Dukagjini 18 6 4 8 17:16 22
6. Llapi 18 5 5 8 23:28 20
7. Drenica 18 5 5 8 17:22 20
8. Malisheva 18 5 4 9 29:30 19
9. Trepça ’89 18 4 7 7 28:35 19
10. Ferizaj 18 2 7 9 15:33 13