Sport

“Blick” shkruan për rolin e Hajdarit dhe Avdullahut te Kosova

Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari

Gazeta e madhe zvicerane “Blick” i ka kushtuar një shkrim të gjatë fitores së Kosovës kundër Suedisë.

Kosova fitoi 1:0 ndaj Suedisë të hënën, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. 

Sipas “Blick”, rol kyç në fitoren e Kosovës kanë luajtur dy futbollistët e Hoffenheimit, Leon Avdullahu dhe Albian Hajdari. Dy futbollistët vendosën të luajnë për Kosovën e jo për Zvicrën në nivel senior. 

“Të dy lojtarët e Hoffenheimit shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin në fushë, me lojën që ndërtohet pothuajse ekskluzivisht nga Hajdari në qendër të mbrojtjes dhe lideri i mesfushës Avdullahu”, shkruan ndër të tjera gazeta zvicerane.

Kosova është e dyta në grup me shtatë pikë. Ka tri pikë më pak se liderja Zvicra. Me Zvicrën do të përballet në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të ciklit kualifikues për Kupën e Botës 2026. Blick ka shkruar se ndeshja në Prishtinë mund të jetë vendimtare për vendin e parë.

“Fakti që Kosova është i vetmi shtet në Grupin B që ende mund të përbëjë kërcënim për ekipin kombëtar zviceran në luftën për kualifikim direkt, është për shkak të dy lojtarëve zviceranë”, shkruan Blick.