Pas shmangies së plejofit të frikshëm për kualifikim në Evropianin e vitit të ardhshëm, “puna e vërtetë” fillon tani për Italinë dhe trajnerin Luciano Spalletti. Dhe kjo punë përfshin gjithçka; nga dronët dhe aplikacionet e telefonave të mençur, deri te darkat dhe ndeshjet e vështira. Italia rezervoi vendin e saj në “Euro 2024” që do të mbahet në Gjermani, me një barazim 0:0 kundër Ukrainës të hënën mbrëma. Humbja eventuale do ta kishte dërguar kampionen në fuqi të Evropës në plejof – një makth për një përfaqësuese që dështoi të kualifikohet në dy Botërorët e fundit për shkak të humbjeve në plejof nga Suedia dhe Maqedonia e Veriut.
Kualifikimi në Evropian ishte minimumi që pritej nga Spalletti kur mori drejtimin e përfaqësueses, pas dorëheqjes së papritur të Roberto Mancinit, më pak se një muaj para ndeshjeve ndërkombëtare të shtatorit. Spalletti e filloi mandatin me një barazim zhgënjyes në Maqedoninë e Veriut përpara se ta kthente Italinë në rrugën e duhur me një fitore ndaj Ukrainës dhe atë duke luajtur si skuadra e Napolit që e kishte udhëhequr drejt titullit të kampionit në Serie A, muaj më herët.
“Nuk është e lehtë të hysh dhe të bësh menjëherë zgjedhjet e duhura, disa gjëra i mësova pasi fillova këtë punë të re dhe tani mendoj se di pak më shumë”, tha Spalletti të martën. “Mora Italinë për ta kualifikuar jo për të gjetur justifikime nëse nuk do t’ia dilnim. Dhe puna e vërtetë fillon tani, ku mund të punoj vërtet. Kur pranova detyrën e dija që duhej të kualifikohesha”.
Spalletti po planifikon më shumë ndryshime në mënyrën se si funksionon ekipi përfaqësues. Ai tashmë ka prezantuar një aplikacion që do t'i lejojë lojtarët të shikojnë video dhe analiza taktike edhe kur janë larg kampit stërvitor të Italisë. Ai zbuloi se lojtarët tani do të fillojnë stërvitjen me prezencën e një droni, për të siguruar që stafi italian të mund të ketë imazhet më të mira të mundshme. Spalletti gjithashtu ka në mendje një metodë më themelore për përmirësimin e Italisë: njohjen e lojtarëve të tij. Dhe ai tha se nuk do të presë deri në pushimin e ardhshëm ndërkombëtar në mars për ta bërë këtë.
“Me ekipin kombëtar ne duam të përpiqemi të afrohemi sa më shumë që të jetë e mundur, sikurse të jemi një klub. Ne duam të qëndrojmë në kontakt, të kemi mundësinë të flasim me njëri-tjetrin dhe të takohemi herë pas here. Do të shkoj të shikoj seancat stërvitore të ekipeve dhe më pas do të shkoj për darkë me ta për të kërkuar mendimet e tyre”, tha Spalletti. “Ne kemi lojtarë seriozë në këtë ekip të Italisë dhe unë dua t'i njoh ata pa atë presionin e nevojës për rezultatin. Tani mund të afrohem me ta sepse edhe ata kanë gjëra për të na thënë”.
Për të ndihmuar skuadrën e tij edhe më tej, Spalletti shpreson të caktojë ndeshje për muajin mars të vitit të ardhshëm ndaj kundërshtarëve të ashpër.
“Do të kërkoj ndeshje të vështira miqësore, më të vështirat”, tha ai. “Shumë nga këta lojtarë duhet të kenë përvojë për të luajtur kundër kundërshtarëve të nivelit të lartë. Shumë prej tyre nuk luajnë në garat evropiane dhe kështu do ta fitonin këtë përvojë në këto ndeshje”.
Herën e fundit që Italia shkoi në Kampionatin Evropian pasi dështoi të kualifikohej në Kupën e Botës, e fitoi turneun, duke mposhtur Anglinë në finale në stadiumin “Wembley” në Londër dy vjet më parë. Vitin e ardhshëm do të ketë një tjetër shans për një sukses të tillë dhe atë me Spallettin në krye, i cili edicionin e shkuar ia riktheu Napolit titullin e kampionit pas më shumë se tri dekadash pritjeje.
“Tani vjen pjesa argëtuese”, tha Spalletti. “Besoj se do të jemi gati për ta mbrojtur trofeun, por është herët të flasim për një synim të tillë”.