Sport

Fanellat e Messit në ankand, çmimi mund të shkojë mbi 10 milionë euro

Kompania “Sotheby's” do të nxjerrë në ankand gjashtë fanella të veshura nga Lionel Messi gjatë triumfit të Argjentinës në Kupën e Botës “Katari 2022”. Kompania mendon se ato mund të bëhen koleksioni më i vlefshëm i relikteve sportive të shitura ndonjëherë, me më shumë se 10 milionë dollarë.

Shtëpia e ankandeve tha të hënën se do të nxjerrë në shitje në New York gjashtë nga shtatë fanellat e pjesës së parë që kapiteni i Argjentinës kishte veshur në Katar, përfshirë atë që veshi në fitoren dramatike në finale kundër Francës. Argjentina fitoi finalen dhe Kupën e saj të tretë të Botës, me penallti, pas barazimit 3:3 në stadiumin “Lusail”, në të cilin Messi kishte shënuar dy gola.

“Sotheby's”, që u themelua në Londër në vitin 1744, do të ofrojë fanellat e Messit në New York midis 30 nëntorit dhe 14 dhjetorit. Fanellat do të shfaqen në selinë e Shtëpisë së ankandeve në New York në një ekspozitë publike që hyrjen do ta ketë falas gjatë datave të ofertimit.

“Sotheby’s” po punon me kompaninë e teknologjisë me bazë në SHBA “AC Momento”, e cila bashkëpunon me sportistë të profilit të lartë për të ndihmuar në menaxhimin e kujtimeve të tyre nga ndeshjet. Rekordi aktual për një fanellë të veshur në ndeshje është fanella e finales së NBA-së e vitit 1998 e Michael Jordanit, e cila u shit për 10.1 milionë dollarë në “Sotheby's” në New York, në shtator të vitit 2022. Rekordi aktual për një fanellë futbolli të veshur gjatë lojës është një fanellë e veshur me Diego Maradona në fitoren e Argjentinës në çerekfinalen e Kupës së Botës të vitit 1986 ndaj Anglisë, ku në mënyrë famëkeqe shënoi një gol me dorë, që ai tha se quhej “Dora e Zotit”. Ajo fanellë u shit për 9.3 milionë dollarë në “Sotheby's” në Londër në maj të vitit 2022.

Fitimi i Kupës së Botës vitin e kaluar bëri që Messi të arrinte suksesin e Maradonës në vitin 1986. Një pjesë e të ardhurave nga ankandi do t'i dhurohet projektit “UNICAS”, të udhëhequr nga Spitali i Fëmijëve në Barcelonë “Sant Joan de Deu” me mbështetjen e Fondacionit “Leo Messi”, për të përmbushur nevojat e fëmijëve që vuajnë nga sëmundje të rralla.

36-vjeçari Messi, i cili aktualisht luan për Inter Miamin në MLS të SHBA-së, kaloi 17 vjet te Barcelona, duke fituar ligën e Spanjës në shumë raste dhe Ligën e Kampionëve në katër raste. Ai ka fituar tetë herë “Topin e Artë”, i cili i jepet çdo vit lojtarit më të mirë të futbollit. Por ishte triumfi i tij i vonshëm në Katar me Argjentinën që çimentoi vendin e Messit mes të mëdhenjve të të gjitha kohërave të këtij sporti , ku janë edhe Pele dhe Maradona. Kjo është arsyeja pse fanellat e Messit janë potencialisht kaq të vlefshme.