Federata e Futbollit e Kosovës nuk është deklaruar të dielën lidhur me dyshimet e shumta për kurdisjen e ndeshjeve Ferizaj – Dukagjini dhe Trepça ’89 – Prishtina. Në të dy ndeshjet e së dielës kishte skena shumë të dyshimta që kulmuan me golin qesharak të pranuar nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, në minutën e 105-të të ndeshjes me Ferizajn.
Në fund ndodhi ajo që pritej, Ferizaj u rendit i teti dhe luan në plejaut, Trepça ’89 mbeti e nënta dhe bie nga Superliga, ndërsa Dukagjini pritet të dalë në Evropë nga pozita e katërt.
Për FFK-në, sipas raportit të publikuar, rrjedha e ndeshjeve të së dielës ishte e zakonshme.
“Nga elita pas Drenicës, me rezultatet e ndeshjeve të sotme u përshëndet edhe Trepça’89, e cila përkundër fitores kundër Prishtinës (2:1) nuk arriti t’i shmanget pozitës së nëntë, ngase fitore realizoi edhe Ferizaj në duel me Dukagjinin (2:1). Kësisoj, në ndeshjen e barazhit për mbetje në Superligë do të luajë Ferizaj kundër skuadrës nga Liga e Parë, Lirisë”, ka shkruar FFK-ja.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga FFK-ja për dyshimet për kurdisjen e këtyre ndeshjeve, por nuk ka marrë përgjigje.
Në postimet ku kanë prezantuar rezultatet, Ferizaj e Dukagjini kanë bllokuar komentet. Reagimet publike ishin të shumta pas skenave të turpshme dhe për këtë dy klubet nuk kanë lejuar komente në postimet e tyre. Ferizaj ndërkohë ka bërë të mundur që të komentohet në postimin e tij. Dhe komentet ishin nga më të ndryshmet.
Ferizajt tani i duhet edhe fitorja në plejaut për të mbetur në Superligë.
“Fitore e merituar pas një super sezoni në pranverë. Buzëqesh më bukur ai që buzëqesh i fundit”, ka shkruar Ferizaj, ndër të tjera.
Edhe komentet në faqen e Prishtinës ishin shumë kundër skuadrës së kaltër.
Ndërkohë Trepça ’89 ka lëshuar një komunikatë ku ka akuzuar rëndë FFK-në. Sipas klubit mitrovicas, FFK-ja dirigjon ndeshjet dhe ndikon direkt në rezultat. 89-shi ka thënë se futbolli është bastarduar dhe se FFK-ja ka mbrojtur klubet servile.
“Ajo që ndodhi në Ferizaj është fytyra e vërtetë e kësaj federate. Kështu është uzurpuar ky institucion”, ka shkruar Trepça ’89 ndër të tjera.
Edhe në faqen e këtij klubi ka pasur shkrime me plot akuza për kurdisje të rezultateve.
Edhe në postimin e kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, në faqen e tij në Facebook, një pjesë e komenteve ishin me plot akuza. Ademi ka shkruar për suksesin e Ballkanit, por asnjë rresht për ndeshjet e kurdisura, që goditën rëndë futbollin kosovar në xhiron e fundit të Superligës.