Sport

FFK-ja mund të kërkojë nga UEFA të rilicencohet stadiumi që do të rinovohet

Federata e Futbollit të Kosovës po e shqyrton mundësinë që të kërkojë rilicencim të stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Kjo është bërë e ditur të shtunën përmes një komunikate të FFK-së, ku është njoftuar për një vizitë që kryetari i FFK-së, Agim Ademi e ka bërë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, raporton Koha.net.

Vendimi për të kërkuar rilicencim nga Komisioni përkatës i UEFA-s mund të vlerësohet jo plotësisht i zakonshëm për faktin se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë pritet të rinovohet plotësisht. Madje kjo është dashur të fillojë shumë kohë më parë, por nuk ka ndodhur ende.

Në FFK nuk e dinë kur do të fillojë rinovimi i stadiumit të madh në Mitrovicë dhe për këtë arsye mund të kërkojnë licencim të tij për ndeshje ndërkombëtare.

FFK-ja ka njoftuar se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë, është mirëmbajtur dhe aktualisht është në gjendje të mirë. Ky stadium i takon kategorisë së dytë dhe në të mund të zhvillohen ndeshjet e klubeve në arenën evropiane, të përfaqësueseve të reja dhe të futbollisteve.

“MKRS e ka shpallur dhe e ka përfunduar tenderin për rinovimin e tërësishëm të stadiumit ‘Adem Jashari’, me qëllim të ngritjes në nivelin e kategorisë së katërt të UEFA-s, që do të ishte stadium alternativ për ekipin kombëtar. Ndonëse nuk dihet se kur do të fillojë rinovimi i këtij stadiumi, duke pasur parasysh se kjo është çështje e MKRS-së, FFK-ja e sheh si mundësi që ta kërkojë rilicencimin e këtij stadiumi nga Komisioni i UEFA-s, në mënyrë që ai të shfrytëzohet për ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

FFK-ja pretendon të organizojë sërish ndeshjet parakualifikuese për Ligën e Kampionëve. Ndeshjet e edicionit aktual ishin luajtur në Prishtinë.

“Në javët në vazhdim, pas kalimit të situatës së pandemisë, do të shqyrtohen mundësitë nëse do të kërkohet rilicencimi nga UEFA apo do të fillojë realizimi i projektit të MKRS-së për rinovimin e tërësishëm”, ka njoftuar FFK-ja.

Lidhur me stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, është raportuar që punimet në fushën e tij të nuk janë ndërprerë asnjë ditë. Është njoftuar se është mbjellë një sasi e konsiderueshme e barit, ndërsa është hedhur edhe rërë e preparate të ndryshme, të nevojshme për fushën. Për vjeshtë është premtuar se stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë në gjendjen më të mirë të mundshme.