Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Okarina” e çon zërin e Kosovës në skenat më prestigjioze të Gjermanisë

okarina

Në “Matthäuskirche”, kori “Okarina” u prezantua me një program prej tetë veprash, ku ndërthuri krijimtarinë shqiptare me atë botërore (Foto: Jeton Bylykbashi)

Dy kryeqendra gjermane janë stacionet ku kori i fëmijëve “Okarina” po shkruan kapitujt e rrugëtimit të vet artistik. Një ditë pas Hamburgut ku mbajti koncert të premten, e pret salla kamertale e Filarmonisë së Berlinit. “Nëse flasim për diplomacinë kulturore, ne jemi shumë hapa përpara, duke prezantuar gjithmonë mirë Kosovën në shumë ngjarje të ndryshme jashtë vendit”, ka thënë udhëheqësja e korit, Elikona Hysaj-Shala

Zërat e fëmijëve të korit “Okarina” po jehojnë në qendrat më të rëndësishme të muzikës evropiane. Nga atmosfera intime e një kishe historike në Hamburg e deri te madhështia e Filharmonisë së Berlinit, kori nga Kosova po shkruan kapitull në historinë e tij artistike. Pas koncertit të mbajtur të premten në “Matthäuskirche” në Hamburg, të shtunën “Okarina” ngjitet në skenën e sallës kamertale të Filharmonisë së Berlinit në kuadër të festivalit ndërkombëtar “Choral Space”. 

Në “Matthäuskirche”, kori “Okarina” u prezantua me një program prej tetë veprash, ku ndërthuri krijimtarinë shqiptare me atë botërore. Repertori nisi me “Të falemi o dhe” të Rauf Dhomit dhe vazhdoi me “Deo Gracias” të Benjamin Britten, tri vepra nga kolona zanore e filmit “Les Choristes” të Bruno Coulais, “Music in the Circle” të Mendi Mengjiqit, “Një tokë, një kokë” të Rafet Rudit dhe u përmbyll me këngën tradicionale labe “Janinës ç’i panë sytë”. Koncerti u dirigjua nga sopranoja Elikona Hysaj-Shala, ndërsa në piano u shoqërua nga Pranvera Hoxha.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për Hysaj-Shalën, reagimi i publikut atje ishte dëshmi se kori arriti ta përcillte emocionin që e shoqëron.

“Ka qenë një koncert vërtet i bukur dhe kori i fëmijëve ‘Okarina’ solli një frymë të veçantë, prandaj jam shumë e lumtur për këtë sukses të përbashkët. Me të vërtetë është një përgjegjësi shumë e madhe skenike jona. Kur është hera e parë, duhet pasur jashtëzakonisht kujdes se si prezantohemi para shteteve tjera dhe ne me të vërtetë kemi lënë gjurmë”, ka thënë ajo duke konsideruar se publiku është mrekulluar nga interpretimi i korit që ajo udhëheq.  “Morëm shumë urime pas koncertit dhe kjo tregon më së miri se sa kanë qenë ata të lumtur deri sa na kanë dëgjuar në skenë, sa ata janë kënaqur me interpretimin tonë. Fatmirësisht ishte edhe ambasadori prezent i cili ndjeu krenari kur dëgjoi korin duke performuar”, ka thënë ajo në emisionin “Express” në KTV.  

“Matthäuskirche” është kishë protestante në Hamburg e ndërtuar në fillim të shekullit të 20-të, e njohur sot si një prej qendrave të rëndësishme koncertale të Hamburgut. E vendosur pranë muzeve dhe institucioneve kryesore kulturore të qytetit, ajo është e vlerësuar për akustikën e saj të veçantë dhe për programin e pasur artistik që bashkon muzikën korale, atë klasike dhe krijimtarinë bashkëkohore.

E kulmi i këtij udhëtimi përfundon në Berlin. “Kammermusiksaal”, salla e muzikës së dhomës e Filharmonisë së Berlinit konsiderohet një prej hapësirave koncertale më të rëndësishme në Evropë. E projektuar nga arkitekti Hans Scharoun si pjesë e kompleksit ikonik të Filharmonisë së Berlinit, ajo është e njohur për akustikën e jashtëzakonshme dhe për faktin se në skenën e saj interpretojnë rregullisht artistët dhe ansamblet më të njohura ndërkombëtare. 

Për një kor fëmijësh nga Kosova, ngjitja në këtë skenë përbën një arritje të rrallë dhe një moment që hyn në historinë e secilit prej anëtarëve të formacionit. 

Në Berlin, “Okarina” nuk do të prezantojë vetëm interpretim vokal, por edhe identitetin muzikor shqiptar. Programi përfshin “Bareshën”, kryeveprën e Rexho Mulliqit, në një interpretim të ri të aranzhuar nga Edon Ramadani për kor, piano dhe çifteli, si dhe premierën botërore të veprës “Vjosa, a song of wild eternity” të kompozitorit Aulon Naçi.

Për një kor fëmijësh nga Kosova, ngjitja në këtë skenë përbën një arritje të rrallë dhe një moment që hyn në historinë e secilit prej anëtarëve të formacionit (Foto: Jeton Bylykbashi) 

Udhëheqësja e korit, Elikona Hysaj-Shala, ka thënë se përzgjedhja e repertorit ka qenë përpjekje e vetëdijshme për ta çuar muzikën shqiptare në një prej skenave më prestigjioze të Evropës.

“Kam zgjedhur ‘Bareshën’, sepse është vepra e cila na identifikon pasurinë tonë muzikore, kulturën tonë dhe kemi kërkuar të aranzhohet nga maestro Edon Ramadani në një formacion me çifteli, piano dhe duke përmbledhur korin, si një natyrë shumë e veçantë e kombinimeve të dy instrumenteve unike, por atë dinamikën që e ka vepra ta shënojë pikërisht në këtë sallë. Prandaj, me dëshirën më të madhe doja ta inkorporoja çiftelinë, me idenë që të mbrohet edhe si instrument, të cilin ne e vlerësojmë dhe e kemi autentik”, ka thënë sopranoja Hysaj-Shala, udhëheqëse dhe dirigjente e korit “Okarina”. 

Ka thënë se ky program e prezanton muzikën shqipe si të veçantë. Ka bërë me dije se vepra “Vjosa...” e kompozitorit të shquar, Aulon Naçi, është e komisionuar. 

“Vepra e Aulon Naçit që është kompozuar enkas për korin tonë që të prezantohemi me të në Berlin, i dedikohet bukurisë së rrallë të lumit Vjosa. Por si ide, vepra është nisur shumë më herët. Që nga muaji shkurt kur e kemi kërkuar nga Aulon Naçi që të krijojë një vepër për ‘Vjosën’, duke pasur parasysh se ai vjen nga Vlora dhe e ka një dashuri të madhe për lumin Vjosa. Muzika e tij është shumë e veçantë dhe ai ka dashur që përmes zërave të korit 'Okarina' ta shfaqë krijimtarinë e tij dhe njëfarë ndjesie tjetër që ka për lumin Vjosa”, ka thënë Hysaj-Shala. 

E ka bërë të qartë se vepra nuk ka konotacion politik. 

“Lumi ‘Vjosa’ tani është bërë temë shumë më e gjerë se që është menduar në muajin shkurt kur ka filluar si iniciativë, por që ne duam të kemi shumë kujdes se si e trajtojmë veprën dhe si e prezantojmë, pa pasur nevojë të shpërfaqim atë nga aspekti politik apo diçka tjetër. Kjo vepër e bukur, e larmishme ka një detaj në fund të veprës, merren gurët dhe me ta krijohet tingulli. Ajo është simbolika e veprës që Aulon Naçi ka dashur ta shpërfaqë, për rëndësinë e gurëve dhe rrjedhës së lumit Vjosa”, ka thënë ajo. 

Sipas saj, paraqitjet në Gjermani janë dëshmi e rolit që arti luan në përfaqësimin e Kosovës jashtë kufijve.

“Nëse flasim për diplomacinë kulturore, ne jemi shumë hapa përpara, duke prezantuar gjithmonë mirë Kosovën në shumë ngjarje të ndryshme jashtë vendit. Andaj mendoj se duhet pasur parasysh dhe kujdes të shtuar ndaj ansambleve të cilat punojnë me shpirt dhe duan ta paraqesin Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme... Promovimi i muzikës sonë është më se i nevojshëm sepse kemi muzikë burimore shumë të bukur, me shumë vlera, është një thesar i pafund. Andaj duhet të dimë ta përdorim melosin tonë dhe ta përfaqësojmë vendin siç duhet”, ka thënë Elikona Hysaj-Shala. 

Pas Gjermanisë, kori “Okarina” do të paraqitet edhe në Greqi. 

“Fokusi ynë ka qenë përgatitja për Gjermani dhe Greqi. Atje do të jemi në Prevezë ky mbahet festivali me traditë shumë të gjatë. Sivjet shënohet edicioni i 44-t dhe kjo është e bukura që atje prezantohemi për herë të parë, sepse deri më tani nuk ka pasur kor fëmijësh nga Kosova. Prandaj, është një rast shumë i mirë për t’u prezantuar edhe atje në mënyrën më të bukur me një tjetër program të pasur”, ka thënë ajo. 

Në dy koncertet, bashkë me zërat e fëmijëve shpaloset edhe një copëz e kulturës shqiptare që vazhdimisht gjen vend në skenat më të rëndësishme të botës.