Sport

FSHF-ja ndan nga 235 euro në muaj, FFK-ja ende pa vendim për mënyrën e përkrahjes

Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur të mërkurën që të ndihmojë të gjitha klubet e futbollit.

Por FFK-ja të mërkurën nuk ka bërë të ditur se sa do të jetë përkrahja për klubet e futbollit në vend apo mënyra e përkrahjes. Kjo nuk është bërë e ditur as të enjten, raporton Koha.net.

Ndërkohë Federata Shqiptare e Futbollit të enjten ka njoftuar se do të mbështet futbollistët, trajnerët, arbitrat dhe këdo që është i punësuar në futboll. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka dhënë më shumë detaje për paketën financiare.

Futbolli në Shqipëri, njëjtë si ai në Kosovë dhe në vendet tjera, është goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

FSHF-ja ka njoftuar se nuk ka arritur të bëjë ndërmjetësimin mes punëtorit sportiv dhe qeverisë, për të kompensuar njerëzit e sportit. Por Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së megjithatë ka miratuar një pako financiare në ndihmë të njerëzve të futbollit. Pakoja parashikon ndarjen e rrogës mujore prej 30 mijë lekëve (235 eurove).

“Rroga apo ndihma financiare do të ofrohet për një periudhë një mujore, nga 15 marsi deri më 15 prill, në mënyrë të barabartë. Nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish. E gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trajnerët që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror”, ka thënë presidenti i FSHF-së, Duka. Ai ka premtuar se pagesat do të fillojnë që nesër.

Mjetet për të ndarë ndihma, FSHF-ja i ka siguruar nga burime të ndryshme.

“Është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar, Edi Reja dhe stafi i tij. Të gjitha ata me paga të larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar ato, që të plotësojmë buxhetin. Do të merret edhe një kredi financiare të cilën mendojmë ta mbulojmë me buxhetin e vitit të ardhshëm”, ka treguar Duka.

Të enjten edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka lëshuar një njoftim për klubet, lidhur me vendimin e qeverisë së këtij vendi për të përkrahur sportistët, ekspertët sportiv dhe administratorët e sportit gjatë gjendjes së emergjencës. Sipas njoftimit, përkrahja është parashikuar për muajt prill dhe maj. Janë cekur shumë kushte që duhet të plotësohen për të realizuar të ardhura.

Ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka një vendim përfundimtar.

“Komiteti Ekzekutiv i FFK-së duke parë gjendjen e vështirë me të cilën po përballen klubet e futbollit, ka marrë vendim që nga mjetet e veta, duke rrezikuar edhe projektet e federatës, të ndihmojë të gjitha klubet për të zbutur hallet e mëdha të tyre. KE e bën të qartë për të gjithë që këto mjete janë ekzistenciale”, thuhet në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Të mërkurën, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka thënë për KOHËN se javën tjetër do të përcaktohet mënyra e përkrahjes për klubet.

Të enjten mbrëma edhe sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu ka konfirmuar se nuk ka vendim për mënyrën e përkrahjes.

“Nuk ka asgjë konkrete” ka thënë ai për Koha.net.