Sport

Guardiola thotë se edhe Messi, edhe Haaland e meritojnë “Topin e Artë”

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, thotë se Lionel Messi dhe Erling Haaland meritojnë të fitojnë sivjet “Topin e Artë”, çmimin për futbollistin më të mirë në botë.

Messi, fitues i shtatëfishtë i çmimit më të madh individual në futboll, përmbushi ambicien e tij të jetës duke udhëhequr Argjentinën drejt triumfit në Kupën e Botës të vitit të kaluar. Ndërkohë Haalandi e udhëhoqi Cityn drejt “tripletës” edicionin e shkuar, në vitin e tij të parë në klubin anglez ku shënoi plot 52 gola.

City fitoi titullin e kampionit në Premier League, trofeun e Kupës FA dhe Ligën e Kampionëve.

Guardiola, i cili ishte trajner i Messit te Barcelona dhe e përshkroi vazhdimisht atë si lojtarin më të madh të të gjitha kohërave, beson se është e pamundur të ndahen dy futbollistët kur shpallet fituesi i “Topit të Artë” në ceremoninë që do të mbahet në Paris më 30 tetor. Më herët ka pasur raportime se Messi është fitues.

“Unë gjithmonë kam thënë se ‘Topi i Artë’ duhet të jetë me dy seksione – një për Messin dhe një për të tjerët”, tha të premten trajneri i Cityt. “Haaland duhet të fitojë. Ne fituam tripletën, sepse ai shënoi 52 gola, por aty është edhe Messi. Edicioni më i keq i Messit është më i mirë se i shumicës së lojtarëve. Të dy e meritojnë”.

Guardiola ka pranuar se nuk është korrekte nga ana e tij që të precizojë se Haalandi e meriton “Topin e Artë”. Sipas tij, kjo do të ishte shumë e padrejtë ndaj Messit. Për këtë arsye insiston se nuk mund ta ndajë asnjërin para shpalljes së fituesit të këtij çmimi.

“Si egoist, do të thosha se e dua Erlingun, sepse ai na ndihmoi të arrijmë atë që arritëm. Do të më pëlqente, por nuk do të them se është e padrejtë nëse Leo nuk e fiton këtë çmim”.

Messi u largua nga futbolli evropian në fund të edicionit të kaluar për t'u bashkuar me skuadrën e MLS-së, Inter Miami. Ai shpejt e udhëhoqi ekipin amerikan drejt trofeut të parë, Kupës së Ligës.

Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë dominuar votimin për “Topin e Artë”, duke fituar 12 çmime që nga viti 2008.

Haaland dhe Kylian Mbappe i Paris Saint-Germainit pritet të dalin në skenë si ikonat më të mëdha të futbollit, ndërsa Messi dhe Ronaldo po hyjnë në fazat e fundit të karrierës së tyre. Mbappe e ka fituar Kupën e Botës me Francën, por ende nuk e ka fituar “Topin e Artë” ose trofeun e Championsit.

Ditë më parë mediumet spanjolle kanë raportuar se Messi do ta fitojë “Topin e Artë” pasi ka mposhtur Haalandin në konkurrencën e fortë.

Javë më parë Haaland u zgjodh lojtari më i mirë i vitit në Evropës, sipas UEFA-s.

Vitin e shkuar çmimin “Topi i Artë” e fitoi sulmuesi Karim Benzema. Benzema në afatin kalimtar të verës u largua nga Real Madridi si lojtar i lirë për t’u transferuar tek Al-Ittihadi në Arabinë Saudite.