Sport

Hadar drejton Kosovën në kualifikimet e ardhshme

Me punën që e ka bërë te Peja në tre muajt e fundit, Rami Hadar e ka fituar respektin e komunitetit të basketbollit në vend. Trajneri izraelit e ka udhëhequr Pejën drejt titullit të kampionit të Kosovës, por puna te skuadra e verdhë nuk do të jetë e vetmja në vend për Hadarin. Ai gjatë verës, por edhe më pas, do të jetë i angazhuar në drejtimin e përfaqësueses A të Kosovës në basketboll.

Marrëveshja e drejtuesve të FBK-së me Hadarin tashmë është arritur. Ditëve të ardhshme pritet të zyrtarizohet emërimi i 56-vjeçarit në postin e selektorit të Kosovës në basketboll. KOHA ka mësuar se të dy palët janë shumë të kënaqura për fillimin e bashkëpunimit.

Pas një periudhe jo shumë të suksesshme të përfaqësueses së Kosovës, besohet se me Hadarin gjërat do të fillojnë të lëvizin në drejtimin e duhur.

Pasi fitoi titullin me Pejën, ai mund të ketë disa ditë pushim e më pas duhet të nis përgatitjen e përfaqësueses për sfidat e ardhshme. Menjëherë më 19 korrik, Kosova luan me Zvicrën në rundin e tretë të parakualifikimeve për Eurobasket 2025. Më 26 korrik, Kosova luan në udhëtim ndaj Danimarkës e më 29 korrik në udhëtim ndaj Zvicrës. Këtë fazë kualifikuese e përmbyllë më 5 gusht në shtëpi ndaj Danimarkës. Vendi i parë në grup siguron avancimin tutje. Me Hadarin në krye të ekipit, në FBK besojnë se gjasat janë më të mëdha.

Hadar ka pasur karrierë solide si basketbollist, ndërsa si trajner punon prej vitit 1992. Ka drejtuar shumë skuadra në Izrael, duke përfshirë Maccabi Tel Avivin e Hapoel Tel Avivin. Pos në Izrael ka punuar edhe në Rumani, te skuadra Craiova. Te Peja është prej 20 shkurtit. Peja të enjten fitoi ndeshjen dramatike me Trepçën në Mitrovicë dhe fitoi titullin e kampionit.

Së fundi Kosovën e ka drejtuar greku Christos Marmarinos. Ai megjithatë, nuk ka lënë ndonjë gjurmë. Suksesin e fundit Kosova e kishte me amerikanin Brad Greenberg. Pos tij selektor të Kosovës ishin edhe Damir Mulaomeroviq dhe Arben Krasniqi.

Pozita e selektorit të Kosovës vlerësohet shumë sfiduese. Kjo, për shkak të numrit jo të madh që mund të përzgjidhen për të luajtur për Kosovën. Ka kohë që nuk po dalin emra të rinj të basketbollit, të denjë për ta drejtuar përfaqësuesen. Rrjedhimisht, edhe Hadar pritet të bazohet në lojtarët me përvojë, që janë duke e bartur barrën në skuadrat kosovare.

Pasi ka fituar titullin e kampionit, gjasat janë të mëdha që Rami Hadar të mbetet edhe në krye të Pejës.