KI Klaksvik nga Ishujt e vegjël Faroe ka krijuar bujë në të gjithë Evropën këtë verë dhe gjërat mund të bëhen edhe më mirë për këtë ekip.
“Kampionët suedezë na presin në raundin tjetër... sepse është e sigurt që po kalojmë!”
Ky ishte postimi i ekipit hungarez Ferencvaros në rrjetet social, kur zbuloi se fituesi i ndeshjeve që i kishte me Klaksvikun në raundin e parë, do të përballej me Hackenin e Suedisë në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve. Por besimi i Ferencvarosit shpejt u kthye në dëshpërim. Ndeshja e parë përfundoi pa gola, përpara se KIaksviku - i cili ka fituar çdo ndeshje kampionale deri më tani këtë edicion - të regjistrojë fitore tronditëse 3-0 në Hungari dhe të kalojë në raundin tjetër. Pas një tjetër ndeshjeje të parë pa gola në shtëpi kundër Hackenit, skuadra suedeze postoi në internet: “Tani do ta sigurojmë fitoren në shtëpi javën e ardhshme”.
Përsëri, Klaksviku befasoi dhe Hackeni u eliminua. Klaksviku shënoi tre gola në ndeshjen e dytë, por avancoi tutje pas fitores me penallti, pasi ndeshja përfundoi me rezultatin 3:3. Tani, Klaksviku ka mundur Molden, kampionin e Norvegjisë. Ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues, që u zhvillua të martën mbrëma në Ishujt Faroe, përfundoi 2:1 në favor të Klaksvikut, ndërsa dueli i kthimit do të luhet javën e ardhshme në Norvegji. Klaksviku ka njohuri të madhe për kundërshtarin e tij, nëpërmjet trajnerit Magne Hoseth. 42-vjeçari është golashënuesi më i mirë në historinë e Moldes me 84 gola. Edhe nëse Klaksviku eliminohet përfundimisht nga Molde, ai tashmë e ka të sigurt për t'u bërë skuadra e parë në historinë e Ishujve Faroe, që arrin fazën e grupeve të një gare evropiane. Eliminimi në këtë fazë të Championsit do të rezultonte me zhvendosjen e Klaksvikut në plejofin e Ligës së Evropës, ndërsa eliminimi edhe nga kjo garë, do ta çonte direkt në grupet e Ligës së Konferencës. Ndeshjet e Klaksivkut, tani e tutje duhet të luhen 50 kilometra larg në një ishull tjetër, në kryeqytetin Torshavn, sepse stadiumi i tyre ishte i miratuar vetëm për të pritur ndeshjet në dy raundet e para.
“Tetë vjet më parë bordi i klubit angazhoi trajnerin vendas Mikkjal Thomassen. Së bashku me trajnerin e ri, klubi doli me një deklaratë të fortë duke insistuar se do të jetë klubi i parë nga Ishujt Faroe, që do të paraqitet në fazën e grupeve të njërës prej garave evropiane”, thotë Sigurjon Einarsson, një gazetar lokal. “Të gjithë qeshën me këtë deklaratë, por tani ata nuk po qeshin më. Me paraqitjen tashmë sigurt në arenën evropiane, kjo është gjëja më e madhe që ka ndodhur në historinë e futbollit tonë”.
Thomassen nuk është më trajner - ai u largua për te skuadra norvegjeze Fredrikstad vitin e kaluar dhe u zëvendësua nga ish-mesfushori norvegjez Hoseth.
“Ambicia jonë ishte të arrijmë të pamundurën, një fazë të grupeve evropiane. Klubi unë po përpiqet të çojë përpara futbollin e Ishuje Faroe duke e ngritur nivelin sa më lart që mundet”, thotë zëdhënësi i klubit, Suni Clementsen.
Shumica e lojtarëve të Klaksvikut, qofshin vendas apo të huaj, punojnë me orar të plotë jashtë futbollit, por marrin shpërblime të mëdha për suksesin vendas dhe përparimin evropian. Arni Frederiksberg ka shënuar katër nga gjashtë golat e Klaksvikut në Champions këtë edicion, ndërsa veterani Pall Klettskard është golashënuesi më i mirë në ligë me 14 gola në 13 ndeshje, por ai ende nuk ka luajtur në Evropë për shkak të lëndimit. Klaksviku shkroi historinë edicionin e shkuar, duke e fituar titullin e kampionit me rekord të pikëve. Tuboi 77 prej 81 sa ishin në dispozicion, ndërsa këtë edicion është në rrugë të mbarë për ta thyer këtë rekord. I ka fituar 16 ndeshjet kampionale në edicionin 2023 deri më tani dhe synimi është ta mbrojë titullin duke tubuar të gjitha, 81 pikët. Suksesi i klubit nuk kufizohet as këtë edicion, pasi ka humbur vetëm dy ndeshje në ligë në më shumë se tre vjet (nëntor 2020, tetor 2021). Dy barazimet ia mohuan edicionin perfekt, të cilin e mbylli me 25 fitore në 27 ndeshje. Klaksviku ka fituar 20 tituj kampioni, përfshirë këtu tre nga katër të fundit por nuk kishte fituar për 20 vjet më parë.
“KI është klubi i popullit, jo vetëm në Klaksvik por në të gjithë ishullin në verilindje të Ishujve Faroe. Klaksviku tërheq shumë shikues në vendin tonë, qoftë në ndeshjet në shtëpi apo udhëtim”, tha Einarsson.
Klaksviku është një qytet me një popullsi prej vetëm 5,000 banorësh, por në një vend aq të vogël sa Ishujt Faroe, e bën atë vendbanimin e dytë më të madh pas kryeqytetit Torshavn.
“I gjithë komuniteti lokal është i çmendur për futbollin. Kur bëhet fjalë për pasionin e qytetarëve të Klaksvikut për futbollin, thuhet: ‘Kur fiton KI, puna shkon shpejt dhe mirë në fabrikën lokale të peshkut. Nëse skuadra humbet, shkalla e punës është më e dobët’”, zbuloi Einarsson.
E në rast se e eliminon edhe Molden pas Ferencvarosit e Hackenit, atëherë Klaksviku në plejofin e Championsit do të përballet me fituesin e duelit mes Galatasarayt dhe Olimpijas së Lubjanës. Megjithatë, gjasat më të mëdha i ka të luajë kundër Galatasarayt, pasi ekipi turk triumfoi të martën mbrëma në ndeshjen e parë në Slloveni me rezultatin 3:0.