Kiana Kryeziu ka realizuar ëndrrën të hënën. Skitarja e re kosovare ka ndarë shtegun me garueset më të mira në botë, me ato që i ka model. Rezultati i 17-vjeçares ishte ai që pritej – shumë larg zonës së medaljeve. Por vetë paraqitja e saj në ngjarjen kryesore sportive, Lojërat Olimpike, është vlerësuar sukses.
Në Yanqing të Kinës, Kiana Kryeziu garoi në disiplinën e sllallomit të madh. Përfundoi të dy lëshimet. Rezultati i përgjithshëm prej 2.42.19 minutash i mjaftoi për pozitën e 49-të. Mbeti e fundit prej atyre që përfunduan garën. Në krahasim me fituesen e garës ishte për 46.50 sekonda më e ngadaltë.
Në total ishin 82 skitare. Dy nuk startuan fare. Një u diskualifikua në lëshimin e parë e shumë nuk e përfunduan lëshimin e parë. Ylli i skijimit, amerikania Mikaela Shiffrin, ishte në mesin e atyre që dështuan në lëshimin e parë. Të tjera skitare dështuan në lëshimin e dytë. Dhe kështu mbetën 49 skitare që kompletuan të dy lëshimet me sukses. E parafundit ishte turkja Oezlem Çarikçioglu, që kishte kohë prej 2:30.73 minutash. Garën e sllallomit të madh e fitoi suedezja Sara Hector, me kohë prej 1:55.69 minutash. Italiania Federica Brignone ishte e dyta me kohë prej 1:55.97 minutash. Lara Gut-Behrami, gruaja e futbollistit kosovar Valon Behrami ishte e treta me kohë prej 1:56.41 minutash. Gut-Behrami përfaqëson Zvicrën.
“Gara ishte shumë e fortë. Niveli i garës ishte më i larti që ekziston. Vetëm fakti që kam qenë në garë me idhujt e mi dhe garueset më të mira të botës e ka bërë këtë garë edhe më të mirë sesa që ishte”, ka thënë Kiana Kryeziu pas garës së parë dhe të vetme të saj në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”.
“Definitivisht ka qenë një garë e vështirë, ka qenë shumë sfiduese. Terreni ka qenë sfidues. Jam shumë e kënaqur që kam mundur të jepja maksimumin prej vetes, aq sa kam pasur përvojë e dije”, ka shtuar skitarja e re.
Ajo në fillim të këtij viti mblodhi pikët e nevojshme për të fituar normën olimpike. Është e para skitare që përfaqëson Kosovën në ngjarjen kryesore të sporteve dimërore.
Për Komitetin Olimpik të Kosovës, gara e Kianës është historike.
“Kiana Kryeziu hyri në histori të sportit tonë si vajza e parë që garoi në Lojërat Olimpike Dimërore. Pavarësisht rezultatit, vetë kualifikimi në LOD ‘Pekini 2022’ është arritje e madhe për Kianën, e cila ka të ardhme të ndritur. KOK-u përgëzon paraqitjen e Kianës dhe arritjen e saj deri në LOD”, shkruan në një postim të Komitetit Olimpik të Kosovës.
Kiana siguroi normën për të garuar vetëm në sllallom të madh. Në gara në Mal të Zi dhe Itali mblodhi pikët e nevojshme për të siguruar normën, që për Lojërat Dimërore fitohet më lehtë se për Lojërat Olimpike Verore.

Garën e parë të hënën e kishte edhe Albin Tahiri, skitari që për herë të dytë përfaqëson Kosovën në Lojërat Dimërore. Ai garoi në lëshim dhe ishte i parafundit prej atyre që kompletuan garën. Gara e lëshimit është dashur të mbahej të dielën, por u shty për shkak të erës së fortë. Në këtë disiplinë ishte vetëm një lëshim.
Tahiri kishte kohë prej 1:52.44 minutash. Për 9.75 sekonda ishte më i ngadaltë se fituesi. U rendit i 35-ti, ndërsa pas vetes la vetëm kinezin Xi Mingfu. Një skitar nuk startoi fare e gjashtë nuk e përfunduan shtegun në Yanqing.
Zvicerani Beat Feuz doli fitues me kohë prej 1:42.69 minutash. Francezi Johan Clarey fitoi medaljen e argjendtë me kohë prej 1:42.79 minutash, ndërsa austriakut Matthias Mayer i takoi medalja e bronztë. Ai garën e përfundoi për 1:42.85 minuta.
Ndonëse i parafundit, Tahiri ka regjistruar rezultatin më të mirë personal në Lojërat Olimpike. Katër vjet më parë, në disiplinën e lëshimit ishte i 50-ti. Ndërsa rezultatin më të mirë e kishte në kombinim alpin, i 37-ti. Në sllallom ishte i 39-ti, në sllallom të madh i 56-ti e në Super G i 47-ti.
Edhe për Albinin është ditur se nuk do të përfshihet në garë për medalje. Ai synon të jetë në 30 më të mirët në ndonjërën disiplinë. Në lëshim dështoi të arrijë synimin. I 30-ti ishte një izraelit që për më shumë se pesë sekonda arriti më shpejt se Tahiri në finish. Tahiri jeton në Slloveni.
“Jam i kënaqur me rezultatin, vendi i 35-të është shumë i mirë. Kam synuar top-30 dhe jam aty diku. Me garën nuk jam i kënaqur. Kam pasur probleme, kam bërë disa gabime. Tani e di çka duhet të bëj më mirë në kombinim. Kështu që shpresoj në rezultat të mirë edhe në kombinim”, ka thënë Tahiri pas garës së parë në Lojërat e Pekinit.
Ai do të garojë edhe në kombinim, sllallom dhe sllallom të madh.
“Albin Tahiri shënon rezultatin më të mirë në Lojërat Olimpike Dimërore. Skitari ynë përfundoi në vendin e 35-të nga 43 garues, pozita e tij më e mirë në LOD”, ka shkruar KOK-u. Komiteti Olimpik ka cekur numrin e përgjithshëm të garuesve, por jo edhe renditjen e skitarëve kosovarë në grupin e atyre që kanë përfunduar garën me sukses.