Motivi dukej i lartë te hendbollistët e Kosovës që të hënën mbrëma mbajtën stërvitjen e fundit para nisjes për në Sllovaki. Angazhimi i tyre në stërvitjen e mbajtur në Prishtinë ishte i madh, ndërsa nuk mungonte as optimizmi për të avancuar përtej fazës së parë të kualifikimeve evropiane për Kampionatin Botëror të vitit 2025.
Përfaqësuesja e Kosovës të martën do të udhëtojë për në Sllovaki, ndërsa të enjten prej orës 18:00 do ta zhvillojë ndeshjen e parë me sllovakët në Povazska Bystrica. Ndeshja e kthimit është të dielën në Prishtinë prej orës 17:00. Përfaqësuesja më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën e dytë.
Kosova të hënën mbajti dy stërvitje ndërsa grumbullimi ka filluar të dielën. Selektori Bujar Qerimi tha se përkundër kohës së shkurtër hendbollistët kanë punuar mirë. Qerimi tha se beson në ekipin e përzgjedhur.
Në fakt, Kosova do të ketë mungesa të rëndësishme për ndeshjet me Sllovakinë. Drilon e Drenit Tahirukaj nuk i janë përgjigjur ftesës pozitivisht, ndërsa Bujar Ramosaj e Valon Dedaj nuk kanë mundur të grumbullohen. Të gjithë këta janë pjesë e skuadrës zvicerane, Kreuzlingen, ku paraqitet edhe portieri Haris Berisha.
Selektori Qerimi ka thënë se Kosova ka cilësi për të zhvilluar dy ndeshje të mira, me gjithë mungesat e rëndësishme.
“I kemi dy ndeshje, e para në Sllovaki e dyta në Prishtinë. Synimet tona janë gjithmonë për t’u kualifikuar tutje. Situata aktuale është më e komplikuar për ne për arsye të ndryshme që tashmë e kemi njoftuar edhe opinionin. I kemi katër lojtarë mungesë të ekipit që e kemi zakonisht për arsye objektive dhe joobjektive, por që nuk kanë rëndësi për ne. Me rëndësi është që i kemi mungesë dhe duhet të ballafaqohemi me këtë ekip që e kemi. Mirëpo, duhet të jemi optimistë dhe të angazhohemi, të luftojmë në këto dy ndeshje për të qenë rezultati që të vazhdojmë kualifikimet”, ka thënë Qerimi.
Bazuar në gjendjen aktuale, Qerimi ka thënë se Sllovakia mbetet favorite, por jo edhe favorite absolute. Sipas tij, është e rëndësishme që në ndeshjen e parë të sigurohet rezultat pozitiv.
“Mendoj se nëse jemi komplet, Sllovakia është niveli ynë dhe ndoshta jemi mbi të. Por në situatën aktuale ata janë favoritë, por jo favoritë absolutë. Është ndeshje e hapur, do të luftojmë ta bëjmë lojën tonë dhe në ndeshjen e parë të marrim një rezultat pozitiv. Në lojën e kthimit do të përfitojmë prej rastit të kthejmë dy prej katër që i kemi mungesë”, është shprehur Qerimi.
Kapiteni Dedaj dhe Ramosaj pritet të paraqiten të dielën në Prishtinë.
I pyetur për mosftesën e njërit prej hendbollistëve më të mirë në Kosovë, Deniz Terziqi, selektori Qerimi tha se nuk ka koment. Tha se zgjedhja e lojtarëve i takon atij dhe se nuk ka nevojë të arsyetojë vendimet.
Optimizmin për kualifikim në fazën e dytë e ka shprehur edhe portieri Haris Berisha. Ai ka thënë se secila mungesë te Kosova është e rëndësishme, por ka shtuar se motivi i lojtarëve aktual dhe atmosfera e mirë brenda ekipit do të jenë faktor kyç për tejkalimin e Sllovakisë.
Suksesi në Sllovaki do të varet shumë nga forma e Berishës dhe dy portierëve të tjerë, Liridon Zena e Arti Luzha.
“Synimet i kemi të qarta, pra të vazhdojmë tutje. Sllovakia nuk është kundërshtare e lehtë edhe pse ka ekip të ri, por e ka shumë cilësor. Fokusi ynë është në këto dy ndeshje dhe nuk besoj se do të kemi shumë presion për të kaluar tutje”, është shprehur Berisha.
Edhe kapiteni për ndeshjen në Sllovaki, Kastriot Jupa, ka thënë se Kosova udhëton për rezultat pozitiv, përpara se kualifikimin në raundin tjetër ta konfirmoj në Prishtinë. Jupa është lojtari më me përvojë te Kosova dhe për kohë të gjatë prej lojtarëve më të rëndësishëm.
“Kemi mungesa pasi disa lojtarë kryesorë nuk kanë mundur të jenë pjesë e jona. Por, e kemi analizuar kundërshtarin dhe besoj se dimë mjaftueshëm për të. Shkojmë për rezultat pozitiv atje dhe pastaj në Prishtinë ta sigurojmë kualifikimin në raundin tjetër. Janë nivel i ngjashëm me ne dhe besoj se kemi gjasa për avancim”, tha Jupa.
Gjasat e Kosovës për ta eliminuar Sllovakinë në raundin e parë i sheh edhe Egzon Gjuka. Prej Gjukës priten gola, por edhe kontribut i madh në mbrojtje.
“Synimi është të shkojmë në Sllovaki për rezultat pozitiv dhe pastaj në Kosovë të sigurojmë kualifikimin në fazën tjetër. Sllovakia ka një ekip cilësor dhe mjaft me përvojë, por gjasat tona ekzistojnë dhe ne do të japim gjithçka nga vetja për të shkuar në fazën tjetër”, tha Gjuka.
Aloja Lulzim Shabani është tjetër lojtar i rëndësishëm i Kosovës.
“Pa marrë parasysh mungesat që dihen, Kosova gjithmonë ka synuar fitore, sidomos në Prishtinë. Por, ne shkojmë në Sllovaki për rezultat të favorshëm në mënyrë që në Prishtinë të sigurojmë kalimin tutje”, tha hendbollisti i Trepçës.
Kosova ende nuk është kualifikuar në ndonjë ngjarje të madhe. Në vitet e fundit shënoi disa fitore të bujshme, që megjithatë, nuk ishin të mjaftueshme.