Përfaqësuesja e Kosovës U17 e ka mbyllur ciklin kualifikues për Evropianin e vitit të ardhshëm që organizohet në Estoni me tri disfata rresht.
Kosova U17 të martën u mposht edhe nga Ishujt Faroe me rezultatin 3:2.
Për “Dardanët” e rinj kjo ishte disfata e tretë radhazi.
Golat për Ishujt Faroe i shënuan Dennis Anghel, Markus Danielsen dhe Tummas Joensen.
Arjon Llugaxhiu dhe Unejs Mustafa ishin realizatorët e golave për Kosovën U17.
Kosova të mërkurën e kaluar i nisi kualifikimet me humbje nga Irlanda me rezultatin 2:0. Disfatë pësoi edhe në ndeshjen e dytë të shtunën e kaluar nga Austria U17 me rezultatin 4:3. Ndeshjet u zhvilluan në Austri.
Kosova U17, që udhëhiqet nga përzgjedhësi Arbnor Morina e mbylli Grupin 6 në vendin e fundit pa pikë. Irlanda i prin grupit me nëntë pikë. Austria e zë vendin e dytë me gjashtë pikë kurse Ishujt Faroe kanë tri pikë në pozitën e tretë.
Në raundin e dytë të kualifikimeve në Ligën A avancojnë vetëm dy të parët e 14 grupeve sa janë gjithsej.
26 ekipet e tjera do të garojnë në raundin e dytë të Ligës B.