Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Kryeqyteti pa asnjë trofe

klubet e PRishtines

“Qyteti pa lumë, por me kupa shumë”.

Kjo thënie është përdorur në rastet kur klubet e Prishtinës, veçanërisht ai i basketbollit dhe futbollit, kanë fituar trofe.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Megjithatë, këtë edicion duket ndryshe.

Klubet e kryeqytetit në futboll, basketboll, hendboll dhe volejboll, janë pranë mbylljes së edicionit pa arritur të fitojnë ndonjë trofe. Madje pa iu afruar atyre.

Skuadrat që dikur luftonin për trofe, këtë herë kanë mbetur larg objektivit kryesor.

Më së miri dështimin e klubeve të kryeqendrës në këtë edicion e përshkruajnë humbja e ekipit të futbollit Prishtina nga ekipi i vendit të fundit në tabelë, Prishtina e Re nga Hajvalia, dhe eliminimi i Sigal Prishtinës nga Bora në çerekfinale të plejofit të Superligës së Kosovës në basketboll. Bora e kishte eliminuar Sigal Prishtinën edhe në çerekfinale të Kupës.

Prishtina në futboll të mërkurën ishte duke fituar 2:0, por humbi nga skuadra e promovuar në Superligë me rezultat 3:2. Me humbjen nga Prishtina e Re, Prishtina thuajse është pa gjasa për të siguruar paraqitjen në garat evropiane.

Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, shtatë prapa Malishevës, që zë vendin e tretë dhe ka një ndeshje më pak të zhvilluar.

Mbi 1 milion euro nga Ligji i Sponsorizimit

Prishtina u eliminua herët nga Kupa e Kosovës. U ndal në një të tetën e finales nga Ballkani.

Te klubi i futbollit Prishtina refuzojnë të flasin për rezultatet e këtij edicioni. Së fundi ka pasur ndryshime në udhëheqje të klubit “bardhekaltër” të futbollit.  

Ndryshime pas pakënaqësive të tifo-grupit “Plisat” ka pasur edhe në udhëheqjen e Sigal Prishtinës.

Sigal Prishtina udhëhiqet me ushtrues detyre të kryetarit. Kryesia e re akuzoi kryesinë e vjetër për keqpërdorime dhe keqmenaxhim të klubit, që ka përfituar plot 1 milion e 210 mijë e 100 euro gjatë vitit 2025 nga Ligji për Sponsorizime në fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Prishtina nga Ligji i Sponsorizimeve përfitoi 1 milion e 133 mijë e 500 euro.

Sigal Prishtina, pas rezultateve zhgënjyese gjatë edicionit të rregullt të Superligës u eliminua në çerekfinale të plejofit nga Bora, klubi tjetër prishtinas i formuar vetëm katër vjet më parë. Bora më pas u ndal në gjysmëfinale nga Bashkimi.

Trepça, që dominon në vitet e fundit në basketboll, është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin aktual, derisa në konkurrencën e femrave e fitoi Bashkimi, që javë më parë fitoi edhe titullin.

Në finale të plejofit për titull në konkurrencën e meshkujve janë Trepça dhe Bashkimi.

Prishtina në hendboll e mbylli në vendin e gjashtë edicionin e rregullt, ndërsa në konkurrencë të femrave në vendin e pestë. Asnjëra skuadër nuk ka arritur të sigurojë plejofin. Dështuan edhe në garën për Kupë.

Hendbolliset e Samadrexhës e fituan Kupën e Kosovës, kurse te hendbollistët e fitoi Kastrioti.

Kritikat për mungesë të sukseseve

Ish-portieri i Prishtinës, Kushtrim Mushica, është goxha kritik për mungesën e sukseseve të klubeve të Prishtinës. Mushica ka mbajtur postin e drejtorit të Rinisë dhe Sportit në Komunën e Prishtinës deri para pak kohësh. Komuna e Prishtinës është në proces të emërimit të drejtorëve të rinj. Ende nuk është bërë publik emri i drejtorit të ri të Sportit në Komunën e Prishtinës.

“Është një vit që qytetin tonë e len pa trofe. Sigurisht që kjo e bën situatën pak të dhimbshme, por hap një kapitull ku besoj se duhet mobilizim, analizë. Kemi pritur trofe nga dy klubet e futbollit dhe basketbollit, të cilat kryesisht kanë sjellë trofe në vitet e pasluftës, ndërsa hendbolli ka kaluar kohë që nuk ka ndodhur, derisa volejbolli deri diku. Është pritur më shumë nga futbolli dhe basketbolli, sidomos në futboll, pasi ka konsoliduar klubin në aspektin financiar, pasi ka pasur ndryshime në udhëheqësi. Klubi i futbollit është mirë në aspektin financiar, mirëpo nuk kanë arritur deri te një konsolidim i mjaftueshëm për të qenë rival ndaj klubeve tjera. Shpresoj të ndodhë shpejtë, kam besim te udhëheqësia e re dhe nga edicioni i ardhshëm të kthej titullin”, ka thënë Mushica për KOHËN të enjten. “Sigal Prishtina është përballur me ndryshime, ka qenë atmosferë e pakëndshme, dhe ajo e ka penalizuar ecurinë e skuadrës. Edhe aty ka qenë një garë e vështirë, duke marrë parasysh ekipet tjera nuk janë ballafaquar me ato gjëra dhe kanë treguar stabilitet, siç është Trepça që ka primatin në basketboll”.

Kritik është Xhavit Kajtazi, njëri prej trajnerëve më të suksesshëm në vend.

Kajtazi si volejbollist e më vonë edhe si trajner dha kontribut të çmuar për promovimin e sportit të rrjetës në Prishtinë dhe në mbarë Kosovën. Kajtazi me përkushtimin dhe punën e tij arriti të nxjerrë emra të njohur të volejbollit të Kosovës.

“Një Prishtinë që gjithmonë nis me synimin të bëhet kampion dhe në fund dështon. Me lavdi të hershme nuk bëhet lavdia e re. Lavdia krijohet me punë në kontinuitet. Nuk duhet të mbështetesh me të kaluarën, duhet të jesh edhe sot.

Është periudha më e dobët që e ka përjetuar sporti i kryeqytetit. Përkrahja nga tifo-grupi ‘Plisat’ nuk i ka munguar asnjëherë. Është mëkat që nuk do t’i gëzohen asnjë suksesi”, ka thënë Kajtazi.

Në volejboll po ashtu ishte edicion për t’u harruar për klubet e Prishtinës.

Te volejbollistët titullin e fitoi Ferizaj, kurse te volejbollistet skuadra tjetër nga Ferizaj, Fer Volley.

Titullin e fundit ekipi i futbollit të Prishtinës e fitoi në edicionin 2020/2021, ndërsa Kupën për herë të fundit e fitoi edicionin e kaluar. Sivjet në finale të Kupës është Dukagjini dhe Ferizaj.

Te meshkuj në hendboll për herë të fundit Prishtina titullin e fitoi në edicionin 2012/2013, edicion në të cilin e fitoi edhe Kupën. Te femrat në edicionin 2016/2017 e fitoi Kupën dhe titullin.

Frazat “Le të jetë ky sezoni ynë” dhe “Prishtina lufton gjithmonë për trofe” do të dëgjohen sërish. Por a mund t’i përgjigjen me sukses këtyre frazave, mbetet për t’u parë në edicionin e ardhshëm.

Nderin Prishtinës ia ka ruajtur klubi i futsallit Prishtina 01, që javë më parë fitoi Kupën, ndërsa është në garë edhe për titull të kampionit.

Prishtina megjithatë mund ta fitoj një trofe të shtunën – Superkupën “Kosovë-Diasporë”. Për këtë trofe të shtunën do të përballet me ekipin e “Kosovës” nga Gjeneva.