Pushimi i fundit ndërkombëtar po rezulton i kushtueshëm për disa klube evropiane, duke përfshirë fuqitë spanjolle, Barcelonën dhe Real Madridin. Të dy skuadrat do të varfërohen nga mungesat e lojtarëve të rëndësishëm shkaku i lëndimeve. Lojtarët janë prekur nga “virusi FIFA” teksa janë në detyrë me ekipet e tyre kombëtare.
Jo shumë kohë pasi Real Madridi konfirmoi lëndimet e sulmuesit brazilian Vinicius Junior dhe mesfushorit të Francës, Eduardo Camavinga, Barcelona e humbi mesfushorin Gavi për shkak të një dëmtimi të rëndë që e pësoi me Spanjën, shkaku i të cilit pritet ta humbasë pjesën tjetër të edicionit. Gavi, i cili u largua nga fusha me lot në sy në minutën e 26-të në duelin që Spanja e fitoi 3:1 ndaj Gjeorgjisë të dielën, do të ketë nevojë për operacion në ditët në vijim për shkak se ka dëmtuar ligamentin e gjurit të djathtë.
Kampioni i Premier Leagues, Manchester City, me sa duket shmangu një goditje të rëndë. Dëmtimi i kyçit të këmbës së Erling Haalandit, i pësuar në miqësoren mes Norvegjisë dhe Ishujve Faroe të enjten, nuk duket të jetë shumë serioz.
Paris Saint-Germaini nuk ishte aq me fat me Warren Zaire-Emeryn, një mesfushor 17-vjeçar i cili lëndoi kyçin e këmbës së djathtë kur u bë golashënuesi më i ri i Francës në debutimin e tij ndërkombëtar, në fitoren rekord 14:0 ndaj Gjibraltarit javën e kaluar.
Manchester Unitedi gjithashtu mund të jetë në telashe pasi portieri Andre Onana nuk mundi të përfundonte ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës të Kamerunit, të premten. Ndërsa Interi pa mbrojtësin Alessandro Bastoni të marrë një dëmtim ndërsa ishte në detyrë me Italinë.
Mediat në Spanjë dhe vende të tjera u referohen lëndimeve të marra në detyrë ndërkombëtare si "virusi FIFA". Dhe lëndimi i Gavit është një shembull tjetër.
“Një çmim shumë i lartë”, ishte titulli në faqen e parë të së përditshmes sportive “Marca” të hënën, së bashku me një fotografi të sulmuesit spanjoll Ferran Torres duke mbajtur fanellën e Gavi pasi shënoi një nga golat e ekipit në pjesën e dytë.
Disa nga mediat spanjolle nxituan të fajësojnë trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, që nuk e nxori Gavin nga loja më herët, kur ai mori goditje në të njëjtin gju. Ndeshja do të thoshte pak për Spanjën që kishte siguruar tashmë vendin e saj në “Euro 2024”.
Raportet e mediave lokale thanë se Barcelona po konsideronte të bënte një ankesë zyrtare në Federatën Spanjolle të Futbollit. Selektori De la Fuente tha se dëmtimi i Gavit ishte një nga momentet “më të vështira” të karrierës së tij si trajner, por vuri në dukje se nuk kishte të bënte me goditjen që ai e mori më herët.
“Kjo mund të ndodhë në çdo kohë. Ishte një aksident”, tha De la Fuente. “Është një moment shumë i vështirë. Është e vështirë për të, klubin e tij, shokët e skuadrës, për mua dhe për federatën. Jemi të shkatërruar”.
De la Fuente pushoi disa nga titullarët e rregullt që kishin luajtur në fitoren 3:1 të Spanjës në Qipro të enjten, por 19-vjeçari Gavi ishte titullar edhe pse luajti gjithë ndeshjen javën e kaluar.
Klubet marrin kompensim financiar kur lojtarët e tyre lëndohen me kombëtare dhe mungojnë më shumë se 28 ditë. Por mungesa e Gavit do të ndihet te Barcelona sepse ai ishte një nga lojtarët kyç në skuadrën e trajnerit Xavi Hernandez që këtë edicion është në rrugën e duhur për të fituar trofe.
Real Madridi, që ka avancuar nga faza e grupeve të Championsit dhe po lufton për kryesimin e ligës spanjolle, do të jetë pa Viniciusin për rreth dy muaj për shkak të një dëmtimi muskulor që sulmuesi pësoi në humbjen 2:1 të Brazilit në Kolumbi në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës. 23-vjeçari Vinicius ka shënuar gjashtë gola për Real Madridin këtë edicion, duke përfshirë tre në dy ndeshjet e fundit të ekipit.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, do të jetë gjithashtu pa Camavingan për disa kohë. Mesfushori 21-vjeçar ka këputur një ligament në gjurin e djathtë gjatë stërvitjes me Francën. Camavinga ishte titullar në katër ndeshjet e Realit në Ligën e Kampionëve dhe u paraqit në të gjitha 13 ndeshjet e ligës spanjolle këtë edicion.
Një tjetër klub spanjoll i prekur është Real Sociedadi. Mesfushori Mikel Oyarzabal, një nga lojtarët kryesorë të skuadrës, u largua nga ndeshja e Spanjës kundër Qipros me një dëmtim muskulor. Në Itali, sulmuesi Victor Osimhen nuk ka luajtur për Napolin që nga pushimi i kaluar ndërkombëtar pasi u dëmtua me Nigerinë. Nuk ishte hera e parë që ai humbi kohë me klubin e tij për shkak të problemeve që kishte me këtë përfaqësuese. Një studim i fundit nga grupi i sigurimeve “Howden” tregoi se koha e mungesës për shkak të lëndimeve të lojtarëve ishte më e gjatë pas Kupës së Botës të vitit të kaluar në Katar, e para e luajtur në dimër dhe në mes të edicionit.
FIFA miratoi programin e saj të sigurimit për klubet kur zyrtari i Bayern Munichut, Karl-Heinz Rummenigge u ankua pasi Arjen Robben u dëmtua me Holandën në Kupën e Botës 2010 në Afrikën e Jugut. FIFA ka ndarë 150 milionë dollarë për periudhën e Kupës së Botës 2023-26 për Programin e saj të Mbrojtjes së Klubeve dhe mund të paguajë maksimumin prej 7.5 milionë eurove për dëmtimin e një lojtari, sipas një tarife ditore prej 20.548 euro, për një maksimum prej 365 ditësh. Pushimi aktual ndërkombëtar i fundvitit përfundon të martën.