Sport

Lenjani: Synojmë fitore ndaj Hungarisë e Polonisë për të rritur gjasat për kualifikim në Botëror

Ermir Lenjani ia ka siguruar Shqipërisë pikët e para në kualifikimet për Botërorin “Katari 2022”. Më 25 mars, lojtari i krahut të majtë realizoi gol të bukur për fitoren 1:0 të Shqipërisë ndaj Andorrës. Më pas kuqezinjtë pësuan 2:0 ndaj Anglisë dhe të mërkurën fituan 2:0 ndaj San Marinos.

Andorra e San Marino duken kundërshtarë të vegjël, por fitoret ndaj tyre nuk ishin të lehta. Këtë e pranon Lenjani, që është aktivizuar në të gjitha tri ndeshjet e deritashme të Shqipërisë në kuadër të Grupit I.

Shqipëria aktualisht është e treta në grup me 6 pikë. Udhëheq Anglia me 9 pikë, ndërsa Hungaria është e dyta me 7 pikë. Pasojnë Polonia me 4 pikë dhe Andorra e San Marino pa pikë të fituar. Të gjitha përfaqësueset e Grupit I i kanë luajtur nga tri ndeshje.

Dy fitore nga tri ndeshje është bilanc që i mundëson Shqipërisë të jetë në garë për kualifikim. Por, shumë do të varet nga dy ndeshjet e ardhshme, me Poloninë e Hungarinë. Ndeshja Poloni – Shqipëri është më 2 shtator, ndërsa ndeshja Shqipëri – Hungari është më 5 shtator. Më 8 shtator, Shqipëria e pret edhe San Marinon.

“Kundër Andorrës dhe San Marinos kanë qenë dy ndeshje të vështira, sepse të dyja ekipet qëndronin prapa shumë. Por, kemi qenë të obliguar të fitojmë. Tani ndaj Hungarisë dhe Polonisë do të shkojmë për fitore, për të rritur gjasat për kualifikim”, ka thënë Lenjani të premten për KOHËN.

31-vjeçari nga Kamenica ka arritur në shifrën e 36 ndeshjeve me Shqipërinë. Ka katër gola të shënuar. Lenjani ka luajtur për Shqipërinë në Euro 2016, që mbetet paraqitje historike për kuqezinjtë. Ai kishte startuar në të tri ndeshjet në grup. Shqipëria po synon kualifikimin e parë në Botëror, ndërsa është pjesë e një grupi të vështirë.

“Do të shohim ndeshje pas ndeshje. Dy ndeshjet e radhës janë të rëndësishme. Nëse fitojmë ndaj Polonisë dhe Hungarisë, do të bëhet shumë mirë për ne. Gjasat i kemi reale, do të luftojmë deri në fund”, ka theksuar Lenjani.

Te Shqipëria po del në pah një gjeneratë e re lojtarësh që po zhvillohet në klube të ndryshme evropiane. Por edhe lojtarët me përvojë, si Lenjani, po japin kontributin e tyre. Ai vlerëson se grupi është shumë i bashkuar.

“Në ekip kemi shumë kualitet dhe i qëndrojmë afër njëri-tjetrit. Kjo gjë na bën më të bashkuar dhe më të fortë”, ka theksuar Lenjani. Ai aktualisht është pjesë e Grasshopperit në kategorinë e dytë zvicerane. Ka luajtur 23 ndeshje këtë edicion. Karrierë ka bërë te Winterthuri, St. Galleni, Sioni e Grasshopperi në Zvicër dhe te Rennesi e Nantesi në Francë.